Gjakova dhe zgjedhjet lokale 2017

Opinione

Gjakova dhe zgjedhjet lokale 2017

Nga: Ylber Vokshi -Ylli Më: 13 nëntor 2017 Në ora: 21:47
Ylber Vokshi -Ylli

Po  e përcjelli me vëmendje fushatën zgjedhore në Gjakovë këtyre ditëve dhe po jam kureshtar të di se kujt gjakovarët do të ia besojnë udhëheqjen e komunës në mandatin e ardhshëm katër vjeçar. Do të tërheqi një paralele të zhvillimit Hapësinor dhe Urban të Komunës gjegjësisht të qytetit pas vitit 1999,pasi konsideroi se është e një rëndësie të veçantë, ku ma së miri vërehet në detale karakteri dhe qëllimi parësor i një Kryetari Komune.

Nëse do duhet të jesh objektiv i pa anshëm politikisht,të mendosh dhe të veprosh si profesionistë, atëherë duhet analizuar të gjitha rrethanat që e kishin pru situatën shkatërrimtare të qytetit pas vitit 1999 e deri në nëntorin e vitit 2013, kur u ndërrua udhëheqja e Komunës. Në kushtet apo realitetin tonë Kosovar është vështirë me kaluar pa pasoja të natyrave të ndryshme,këtë e kamë provuar ne rastin tim,por e vërteta është vetëm një dhe vetëm një.

Më duhet të potencoi se është shqetësues qëndrimi i përfaqësuesit të AAK-së dhe disa të tjerëve që adutin kryesor për të sulmuar zonj. Mimoza Kusari-Lila ishte vendqëndrimi i saj, e jo puna produktive që e kishte bërë apo nuk e kishte bërë në katër vitet (2013-2017) si Kryetare e Komunës. Në shekullin 21 ku teknologjia informative po të mundëson komunikime marramendëse në tërë globin, që dikur ishin të pa imagjinueshme, është absurd në vete të insistohet në këso detale të pa rëndësishme.

Është mirë të rikujtoi “patriotët lokal ” se në vitet shtatëdhjeta kur Gjakova përjetoi rilindjen industriale dhe zhvillimin e madh ekonomik, Kryetar i Komunës ishte një gjakovar që jetonte me familjen në Prishtinë. Ishte i nderuari Neshet Zhubi të cilin distanca nuk e pengoi që të kontribuoi për vendlindjen,prandaj i kisha lutur këta patriot të mos luajnë me ndjenjat e popullatës por të pranojnë realitetin e shekullit të ri. Mendoi se edhe ne duhet të jemi pjesë e kësaj bote globale, e jo të strukemi në provincializëm primitiv, pasi kjo qasje destruktive nuk e prosperon këtë mjedis.

Ajo çka është tentuar me dekada që pjesa e qendrës së qytetit të fitoi identitetin urban,që është proces shumë i vështirë urban u arrit të degradohet pas luftës (1999) nga vet ne. Atëherë kur kishim aq shumë kuadro të profileve të ndryshme,kur ishin vendosur themelet e një zhvillimi të mirëfilltë hapësinor dhe urban,filluan degradimet e shumta në të gjitha anët e qytetit dhe komunës me ndërtime pa leje. Se pari u sulmua qendra e qytetit që me aq mund e kishte krijuar IDENTITETIN urban pas disa dekadave ekzistencë,e pastaj edhe pjesët e tjera të qytetit duke e përfshirë edhe Çarshinë e Madhe,që  tregon lashtësinë dhe vazhdimësinë e ekzistencës së popullit Shqiptar në këto troje.

Ishte Qeverisja e Komunale që ka lejuar këto degradime urbane deri në vitin 2013,pjesë e të cilës ishte edhe z. Ardian Gjini i cili në hije ka vepruar si udhëheqës i lartë i AAK-së,që tani po garon për postin e Kryetarit të Komunës. Gjakova nuk ka pasur nevojë pasi i kishte të definuara çështjet urbane me kohë. As në kohen e masave të dhunshme,serbët me “mashat” e tyre shqiptare,nuk kanë guxua të bëjnë ndërhyrje urbane në qendrën e qytetit, pasi kishin kundërshtime të mëdha nga arkitektët gjakovar dhe ishin kundër ligjeve të urbanistikës,si dhe iu kanë frikësuar organeve të veta shtetërore.

Kulminacioni i mos respektimit të rregullave urbane ishte ndërtimi i një objekti afarist-banesor mu në “sheshin e Fontanes”,në anën veriore të qendrës,në mes të objektit të ish “Bankkosit” dhe shtëpisë së mallrave “Agimi”,pa u respektuar asnjë rregull urbane,morale apo kanunore. Është uzurpuar edhe prona e huaj,një çmenduri të tillë urbane as që e ka imagjinuar dikush ndonjëherë.

Kjo i hapi rrugë mos respektimit të rregullave elementare urbane të definuar për qendrën e qytetit,u rrënua hoteli i vjetër,filluan ndërtime çoroditëse të disa objekteve “surrogate”,që qendrën e ngushtë të  qytetit e kthyen në një “burg urban”,të pa shembull për një qytet i cili i kishte definuar më parë kriteret urbane për qendrën e qytetit,duke i mbrojtur vizurat ndaj Çabratit, jetike për gjakovarët. Kjo vazhdoi me zhdukjen e identitetit urban të krijuar me vështirësi të mëdha, që konsiston me ndryshimin e pamjes (fasadës) së shtëpisë së mallrave “Agimi”,e shumë veprimeve të pa kontrolluara me ndërtime në zonat tjera të qytetit si në “Orize,ku projekti urbanistik i Parkut të Kusarëve

(Vorret e Poshtme) u keqpërdor.

Është iluzore të pritet që për një periodë të shkurtë kohore katër vjeçare të ndryshohet rrënjësisht situata në Komunë dhe Qytet, aq ma parë kur për 14 vite është abuzuar me të madhe me hapësirën e komunës dhe urbanizimin e qytetit. Ishim dëshmitarë okular çka ishin në gjendje ti bëjnë Qendrës së qytetit,Çarshisë së madhe,Parkut të Kusarëve,Shtratit të lumit Ereniku, dhe shumë zonave që ishin të mbuluara me dokumente hapësinore dhe urbane të cilat respektoheshin maksimalisht. E sot mu këta njerëz të na ofrojnë projekte zhvillimore,pak kush mundet të iu beson.

Dorën në zemër edhe në këto katër vitet e fundit kishte disa tentime për devijime të vogla të cilat do të mundeshin të keqpërdoreshin në të ardhmen, si ishte rasti i

” Revidimit parcial të parkut qendror në Gjakovë ”. Për atë rastë kisha reaguar publikisht dhe për fat të mirë nuk u aprovua në asamblenë komunale,apo zgjerimi-arnimi i  objektit të administratës qendrore komunale.

Qeverisja e zonj. Mimoza Kusari-Lila në aspektin urban ishte në tërësi korrekte, kurse në aspektin hapësinor me siguri ka për çka të mburret, pasi falë vendosmërisë, energjisë admiruese të sajë, ri-filloi materializimi i  bashkëpunimit ndërkufitarë Kosovë-Shqipëri ( Gjakovë-Tropojë-Has ). Pas një shekulli ndasie,që ishte ëndërr  e shumë gjeneratave, Malësia e Gjakovës e cila dikur ka funksionuar si një tërësi në të gjitha aspektet  u aktualizua, pasi ky bashkëpunimi ka të bëjë me rrënjët historike,me traditën,zakonet, kulturën,tregtinë e regjionit. 

Pas parapërgatitjeve që filluan që në vitin 2014,për tu kurorëzuar me përfundimin e fazës së parë të projektit  me sukses, falë angazhimit të paparë të strukturave komunale të qytetit të Gjakovës, në krye me kryetaren energjike z. Mimoza Kusari-Lila. Ri-fillimi i bashkëpunimit ndërkufitar në mes të Shqipërisë dhe Kosovës,posaçërisht në zonat Gjakovë-Tropojë-Has që dikur ishin shumë aktive,do të ndikon pozitivisht në zhvillimin e tyre në të gjitha aspektet,në të dy anët e kufirit Shqiptaro-Shqiptar drejt integrimeve Evropiane.  

Mu këtu shihet largpamësia profesional e një ndërmarrje të tillë e Kryetares së Komunës së Gjakovës, e cila e vetëdijshme për rëndësinë jetike të kësaj ndërmarrje për tërë zonën,nuk kurseu asgjë që ky projekt të filloi të jetësohet, edhe se rezultatet pozitive nuk janë të ndërlidhura me një mandat qeverisës apo me vota,si zakonisht bëjnë politikbërësit tonë.

Një ndërmarrje e qëlluar e Kryetares ishte edhe organizimi i “Konferencës së donatorëve në nivelin komunal” si dhe shpallja e Gjakovës si ”Zonë e lire ekonomike”,që në relacione afatgjate do të ripërtërinte  ekonomin dhe namin që e kishte dikur Gjakova. Janë të pa shpjegueshme sjelljet diskriminuese të Qeverisjes Qendrore ndaj kësaj Komune,të cilat ende po vazhdojnë dhe po kanë ndikime negative përkundër iniciativave progresive të ndërmarra nga ana e  Kryetares Mimoza Kusari-Lila.

Kryetarët e Komunave do të shkojnë e vijnë duke u përmendur për të bërat e tyre pozitive apo negative, e neve do të na mbesin këto abuzime me ndërtime pasi ato shihen,nuk mundesh me i injorua,në një formë akuzojnë ata që i lejuan me i ndërtuar, ulin dhe zhvlerësojnë kualitetin e jetës urban. Do të shërbejnë si dëshmi e një kohe në të cilën ishim detyruar të jetojmë, njëkohësisht  duhet të na shërbejnë si ekzemplar se si nuk duhet me punuar në të ardhmen.

Prandaj kujdes gjakovarë kënd po e votoni për të parën apo të parin e Komunës.

Autori është ish-Kryetar i Këshillit për Planifikim Hapësinor të Kosovës (KPHK)...

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat