Vota për unitetin

Opinione

Vota për unitetin

Nga: Engjëll I. Berisha Më: 16 nëntor 2017 Në ora: 09:59
Engjëll I. Berisha

Kush e krijon unitetin, duhet ti besohet vota. Ndonëse na pandehin për popull problematik, unë mendoj se jemi tejet të urtë, durojmë më shumë seç duhet dhe falim ngase besojmë. Bile si tepër lejojmë të na mashtrojnë. Problematike është politika që instalon metodat e veta dhe urtësia e jonë që nuk protestojmë kur duhet.

Diçka tjetër po e lëndon urtësinë tonë. Nuk përdorim stimuj për të zgjuar vetveten, por presim dikush tjetër të na i zgjojë emocionet. Të emocionuar dalim në votime, zgjedhim struktura jashtë dëshirës, ngase emocionet i ngulfatin dëshirat. Pastaj, votojmë duke e shikuar interesin e ngushtë, jashtë atij me përmasë. E ngushta zgjatë sa një ditë dhe e dëmton ditën tjetër.

Se gjendja ekonomike e përcakton vetëdijen e njeriut e kanë thënë filozofët e mençur. Dhe, se po ashtu gjendja ekonomike, po e nënshtron moralin e njeriut, jo si proces i zhvillimit permanent me modernitetin e kohës si aktualitet, por siç po shihet si inferioritet.

Këtyre ditëve, gara për të menaxhuar me komunat, e që i bie për të menaxhuar me varfërinë e popullatës, apo me gjërat jetike siç janë uji, mbeturinat, kanalizimin e rrugët,  po e kalon procesin e përballjes së ideve ndaj kandidatit përballë, sepse ta fitosh idenë është të jesh i varur nga çdo gjë që të rrethon. debati bëhet për idenë, e jo për pragmatikën racionale që peshon më rëndë.

Sa herë nisin garat për marrjen e  pushtetit, të duket se individi merr mbi vete qëndrimet e të tjerëve, e në parim ndodhë diçka  më ndryshe. Edhe pse ndohë më ndryshe, ne ende nuk po e kuptojmë. Shembulli me qenin se atë e mëson të bëjë si njeri, duhet ta bësh me gjestikulacione, pakëz duke bërë vetë si qen e pakëz duke e bërë atë të bëjë sikur ti, na mëson atë dualizmin e dallimit kur individi ndikohet nga individët e tjerë. Mos e merrni për të keq qenin, se është qenie fisnike, merrje për të keq ndikimin dhe mungesën e stimujve prej atyre që kërkojnë e nuk japin.

Në demokraci të garosh aq sa është e përligjshme, gara sjellë zhvillim, sepse, prodhohen ide dhe shanse më të mira për popullatën. Aq sa jemi të papërgatitur, po aq  mentalitetit tonë i duhet shërim, të mos lejojmë e të mos kërkojmë votimin në këmbim, sepse kjo instalon përçarje. Sado që propagandat duken hipokrizi të zhurmshme të momentit, ndarjet e përçarjet krijojnë tek ne një tjetër hipokrizi, atë patologjike, shërimi  i të cilave zgjatë më shumë  se sëmundjet tjera. Te ne ka sëmundje të mentalitetit që na kanë zgjatur me shekuj.

Fushatatat kanë marrë formën për  dikën ankth e për dikë shpresë. Ankth, ngase ndjenja e hakmarrjes na sillet në kokë, të paktën ende nuk jemi liruar nga frika se dikush do të hakmerret nëse nuk je me te, nëse nuk e përkrahë, në këtë rast nëse nuk e voton. Kjo është pasojë  e thënies, i varfëri gjithmonë friket. Pse shpresë? Pa qenë presupozitive ndërrimi i strukturave, kjo ndodhë pasi që të gjithë nisemi në garë me shpresën, por dikush përfiton më shumë.

Nga kjo që po shihet, votuesin e tërheqë influenca, inati, e krejt pakë adhurimi ndaj subjektit. Bisedoni natyrshëm me qytetarët, shumica prej tyre në gjendje intimiteti, dëshmohet se  nuk kanë ndonjë adhurim të përshpirtshëm me subjektin që janë rreshtuar, sindrom i pjekur ky, e që ne e kemi  rritur  dhe vullnetarisht e  pranojmë, si te shpirti i robit kur nga koha e gjatë e robërisë,  gati sa e refuzon lirinë. Ndërsa bota po e krijon klimën që është taban hyjnor me tri karaktere që e ruajnë shoqërinë siç janë, - e Vërteta, Liria dhe Virtyti, tri gjëra këto që edhe na motivojmë ta duam jetën, tek ne bëhet më shumë luftë për ti hermetizuar që të tria, për të pasur më shumë mundësi manipulimi. Kjo ndodhë kur gjërat shikohen si material, përfshirë edhe mendjen edhe shpirtin, duke e manipuluar demokracinë e njeriut, apo fuqinë e zgjedhjes ideale.

Zgjedhje ideale nuk ka, sepse, ka pakëz idealistë që garojnë. Më së keqi është kur dëgjon të thonë, se, po e zgjedh njërin nga më të këqijat. Pse të mos jetë njërin nga më mirët. Ky është lëndimi më i madhi që po i bëhet shoqërisë sonë. Kur të vijnë zgjedhje, që votohet gati pa bërë debat fjalamujtas do të jemi shoqëri e avancuar.

Dje, sot, e mos o Zot edhe nesër, votojmë me emocione, me inate, me slogane dhe me kërkesa gati për ti ikur mesjetës. Nëse e duam një kohë më ndryshe, ajo është kur guxon të protestosh ndaj shëmtisë në shoqëri. Kur guxon të kërkosh sanimin e defekteve aty ku jeton. Dhe, kërkesa jote nuk i nënshtrohet politikës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat