Fillet e gjuhës dhe të shkrimit: Shkrimi më i vjetër në botë në Luginën e Danubit

Opinione

Fillet e gjuhës dhe të shkrimit: Shkrimi më i vjetër në botë në Luginën e Danubit

Nga: Dedë Palokaj, arkeolog Më: 17 nëntor 2017 Në ora: 18:50
Dedë Palokaj

E para ishte fjala. Po ç’është fjala? Si kemi filluar të flasim? Si linden dhe evoluan gjuhet? Për zanafillën më të hershme kemi një mori pyetjesh, më shumë pyetje se përgjigje. Që nga lashtësia e deri në ditët e sotme problemi gjuhëve apo i të folurit ka qenë një fushë spekulimesh dhe hipotezash të ndryshme. Gjuha si mjet komunikimi, ka vlerë të paçmueshme, por forma dhe mënyra e komunikimit ka evoluar, nga epoka në epokë, nga shekulli në shekull, e madje nga viti në vit. Shpjegimi i prejardhjes së gjuhës është një çështje tepër e vështirë, pasi sot nuk gjendet asnjë gjuhë në gjendjen fillestare. Në fillimin e jetës asgjë nuk ishte kështu si e shohim ne sot, gjithçka ka pësuar evoluim, zgjerim si dhe një lloj përsosje të mënyrës së vet. Këtë nuk e ka bërë vetëm natyra, ndryshimit iu është nënshtruar edhe njeriu, nga një organizëm, i cili ndonëse ka pasur të gjitha vetit që i ka edhe sot, mendja e tij ishte më e pazhvilluar.

Të gjithë ne e përdorim fjalën çdo minutë, çdo orë, çdo ditë. E përdorim kur flasim, por edhe kur mendojmë, kur jemi zgjuar, por edhe kur jermojmë në kllapinë e gjumit. Fjala, është ajo që na lidh me të tjerët, ajo që na bën të shprehim çka kemi brenda vetes, është ajo që na bën të dallohemi nga të gjitha gjallesat tjera të rruzullit tokësor. Me një fjalë, ne dhe fjala jemi një. Ajo është pjesë e jona e patjetërsueshme, e domosdoshme, jetike, e paasgjësueshme, madje edhe atëherë kur nuk shkruhet.  

Gjuha është dukuri njerëzore e cila lindi si nevojë e domosdoshme për komunikim. Shkenca mbi gjuhën (linguistika) dëshmon se gjuha është përcjellës i pashmangshëm i qenies njerëzore e cila lindi që nga krijimi i njerëzve të parë. Pa gjuhën dhe shkrimin nuk do të dinim asgjë për të kaluarën as të sotmen. Puna, mendimi dhe gjuha janë krijuar së bashku në të njëjtën kohë. Foshnja e posalindur nuk din të flas sepse nuk e ka të zhvilluar organin e të folurit. Mungesa e të folurit e nxit trupin për komunikim të heshtur. Kjo do të thotë se njeriu përveç gjuhës në mënyrë instinktive mëson të përdorë me të njëjtën mënyrë edhe një gjuhë tjetër, atë që quhet “gjuha trupit ose gjuha fizike” e cila shoqëron të folurit tonë. Kjo do të thotë se njeriu zotëron aftësinë për të transmetuar mesazhe që behën të kuptueshme jo vetëm nëpërmes përdorimit të fjalëve dhe zërit që janë dy “vegla” kryesore për komunikim, por edhe duke përdorur lëvizjet e duarve, të fytyrës, kokës apo trupit të tij ose akoma duke përdorur edhe shqisat, si p.sh. nuhatjen, dëgjimin etj. Fytyra dhe sytë tanë shpeshherë pasqyrojnë ndjenjat tona, frikën, gëzimin, surprizën, të vërtetën dhe gënjeshtrën. Një mesazh ose informacion, për ta transmetuar zakonisht i përdorim tri ‘vegla’: fjalën, zërin dhe lëvizjen ose simbolin. Shtrirja e dorës, shprehja e fytyrës, shikimi i ashpër apo i butë, ngritja apo ulja e zërit etj. flasin mbi gjendjen tonë shpirtërore, mbi atë se çka po ndodhë ndërmjet njerëzve. Duke u rritur dhe duke mësuar të flasim, nevoja fillestare e “gjuhës së trupit ” kufizohet, sepse me anë të fjalëve mund të shprehemi me qartë dhe më saktësisht. Kështu zhvillojmë të folurit dhe të menduarit tonë. Fjala është diçka e thënë me gojë, e shprehur nëpërmjet një tingulli apo grupi tingujsh që tregon një kuptim, përshkrim, vend, lajm apo mendim. Fjala është pjesë themelore e marrëveshjes (komunikimit) gojor midis njerëzve. Gjuha është instinkt natyror i fshehur në mendjen e çdo njeriu që nga lindja e tij, dhe njëkohësisht, fitohet nga ambienti në të cilin jeton dhe formohet përmes shkollimit dhe edukimit ku njeriu zhvillon kulturën e të folurit. Aktualisht, në botë numërohen rreth 7000 gjuhë, shifra e saktë është e vështirë të përcaktohet sepse shpesh nuk ka dallim të qartë midis gjuhës dhe dialektit por edhe për shkak se, zbulohen edhe sot e kësaj dite gjuhë të reja.

“Nëna” gjuhë ka ekzistuar qysh në të kaluarën e lashtë parahistorike e cila është fol nga njerëzit të cilët ne nuk i njohim. Ajo ishte bashkudhëtare besnike me mendimin, meditimin, gjykimin dhe vlerësimin. Shkrimet e para nuk gjenden në letër, por në muret e shpellave të banuara nga njerëzit parahistorik. Ato nuk ishin shkrime poetike, por figura të thjeshta e të zakonshme të skenave të gjuetisë apo të riteve të magjisë. Njerëzit filluan të komunikojnë mes veti, të mendojnë e padyshim të shprehin ndjeshmëritë e tyre të brendshme dhe  përshtypjet e jashtme të mjedisit ku jetonin. Por që të gjitha këto ishin në fazën fillestare.

Komunikimi dhe mendimi, nuk arritën të shpjegojnë drejt dukuritë e natyrës dhe të jetës së përditshme. Lëkundjet e tokës, pastaj zjarret, thatësirat, të ftohtit apo reshjet e dendura ishin të vështira për tu kuptuar dhe për tu shpjeguar nga njeriu i hershëm parahistorik. Kjo bëri që njerëzit të krijojnë bindjen se një forcë e mbinatyrshme me kujdes kontrollon natyrën duke i përfytyruar dhe adhuruar si perëndi dukuritë natyrore me emra e me një hierarki të caktuar. Mbase për të frenuar këto dukuri, ata i drejtoheshin një besimi, botëkuptimi dhe bindje fetare për diçka të mbinatyrshme që mund të zbuste sadopak dëmet që vinin nga dukuritë e sipërmendura. Në historinë e njerëzimit zbulimi i shkrimit (paleografia) dhe përdorimi praktik i tij është mjaft i lashtë dhe shënon periudhën e historisë kur zhvillimi i shoqërisë njerëzore dëshmohet me shkrime dhe dokumente historike.

Image

Gjeneza e shkrimit: shkrimi më i vjetër i padeshifruar në Luginën e Danubit   

Shkrimi është petk i jashtëm i fjalës ku përmbajtja dhe forma janë të veshura me fjalën e shkruar. Përdorimi i shkrimit është mjeti më i rëndësishëm për ruajtjen e fjalës nën të cilën fshehet e vërteta apo gënjeshtra. E folmja (ligjërimi,  këshillimi, qortimi, këndimi, bisedimi i gjallë etj.) me kohë del nga mendja dhe harrohet, por shkrimi ruan me kujdes për të mos u zhdukur thesari i fjalës së fshehur.

Të dhënat arkeologjike dëshmojnë se njeriu që nga fillesat parahistorike bënte hulumtimin e visarit të germave. Me këto kërkime dëshironte ta hap portën e madhe të historisë. Mbi këtë na dëshmon numri i madh i shenjave - germave të kulturës së Vinçës dhe të kulturave tjera në tërë territorin e Ballkanit të cilat na flasin për gjurmët e para të paleo - shkrimit.

Në periudhën parahistorike, kur njeriu dëshironte të lajmëroj diçka, këtë e bënte me anë të vizatimit. Një vizatim e shpjegonte lajmin. Kështu nëse njeriu ka dëshiruar ta përcjell porosinë si për shembull: Unë kam marrë dru - e ka vizatuar njeriun dhe malin (shkrim piktografik - me figura). Pos komunikimit gojor, kultura e shkrimit është mënyra e parë e komunikimit mes njerëzve, dhe mjeti i parë i përdorur për ruajtjen dhe përcjelljen e të dhënave dhe informacioneve.

Shkrimet e para ishin tejet primitive. Historia përfshin periudhën nga shpikja e shkrimit e deri në ditët e sotme. Shkrimi është shpikur gjatë historisë së lashtë në disa vende, pavarësisht njëri nga tjetri dhe për këtë në historinë e shkrimit përmendet Kina, Mesopotamia, Egjipti etj. U përdorën disa sisteme shkrimsh: kinezët përdornin ideogramat, ku një simbol (shenjë) shprehte një fjalë, sistemi sumer i Mesopotamisë përdori sistemin kunjor ku një shenjë kunjore shprehte një fjalë gjithashtu, por në formë tjetër. Sistemi egjiptian i shkrimit përdori hieroglifet, ku secili prej tyre shprehte një fjalë. Sistemi i lashtë indian “Devanagari” ka qenë më i përhapur, sepse ka përdorur për çdo rrokje një simbol. Historia botërore e shkrimit dëshmon se shkrimin më të vjetër në botë e kanë shpikur sumerët në Babiloni. Shkrimi piktografik sumer (proto - Sumerian pectographic script) nga Uruku i Bagdadit deri tani është konsideruar shkrimi më i vjetër. Mirëpo, kërkimet e reja të alfabeteve të lashta, tregojnë se të parët që kanë shpikur germat dhe që kanë përdorur alfabetin për të shkruar në gjuhën e tyre kanë qenë pellazgët, banorët më të lashtë të Europës që përmenden shpesh edhe nga autoret antik, por siç duket dietarët e mëvonshëm nga shkaku i falsifikatorëve, atë e braktisën dhe e harruan. Në literaturën shkencore termi pellazg është përdorur në kuptime e përmbajtje historiko-gjuhësore. Vlen të përmendët se Tezat e hipotezat e studiusve për identitetin e pellazgëve, shkojnë nga mohimi i ekzistencës së tyre deri në përpjekje etnike e gjuhësore. Këto interpretime, në thelb të skajshme, e shprehin pamjaftueshmërinë e argumeteve të njohjes ose të tjetrës pikëpamje, ndaj edhe e kanë komprometuar së tepërmi përdorimin e termave pellazg e pellazgjishte, e si rrjedhim shumë studiues të sotëm, për emërtimin e popullësisë së lashtë ballkanike parapëlqejnë të përdorin termat: parailire, paratrake, paragreke etj.

Pos komunikimit parashkrimorë, provat bindëse të përdorimit të shkrimit, janë ndeshur në “Kulturën e Vinçes” të zbuluara në truallin e sotëm të Serbisë, që është zhvilluar gjatë neolitit në mijëvjeçarin e 6 para Krishtit. Para se të shpikej shkrimi, dhe para së të krijoheshin qytetet e para të Mesopotamisë dhe të Egjiptit, Lugina e Danubit ka qenë një nga civilizimet më të sofistikuara dhe sipas zbulimeve arkeologjike, teknologjikisht edhe më e përparuara në botë. Termi “Danub” i referohet disa kulturave të avancuara qe u ngriten në Evropën Juglindore dhe në zonat përreth, që janë të lidhura në Luginën e Danubit. Civilizimi i kësaj Lugine ka luajtur një rol të rëndësishëm kulturor, sidomos për atë se mund të ketë qenë sistemi i parë i të shkruarit. Tani për tani simbolet e Luginës së Danubit përfaqësojnë gjuhën më të vjetër të shkruar në botë.

Në kulturën neolitike të Vinçës, që shtrihej në Gadishullin Ballkanik, gjatë mijëvjeçarit të 6 para Krishtit, janë zbuluar mbishkrime të lashta deri tani të pavlerësuara nga ana gjuhësore. Në këtë lokalitet arkeologjik u zbuluan mbi 800 artefakte të cilat na ofrojnë një pasqyrë të vërtetë të “shkrimit parahistorik”. Në bazë të analizave për matjen e lashtësisë siç janë metodat: C - 14 (karboni radioaktiv), metoda stratigrafike, metoda krahasuese si dhe metoda tjera arkeologjike, mësojmë se deri me tani ‘shkrimi’ i Vinçës është i pari dhe më i vjetri shkrim i qytetërimit botëror. Artefaktët arkeologjike tregojnë se germat e paraqitura në kulturën materiale të Vinçës, nuk janë përdorur për të shënuar punëtorinë e një vendi, apo mjeshtrin e punimit, apo edhe zbukurimet e thjeshta etj., por kanë shërbyer për komunikim të gjërë. Në objektet e kësaj kulture janë të gëdhendura mbishkrime të cilat paraqesin shkrimin fonetik. Mirëpo bartësit e kulturës neolitike dhe të parahistorisë në përgjithësi janë të panjohur për ne sepse nuk dimë përkatësinë etnike, as gjuhën që është folur në atë kohë. Edhe nëse guxojmë të flasim për fillesat e etnisë në një kohë kaq të lashtë, duhet ta dallojmë atë nga etnitë në epokën e historisë. Andaj edhe përfundimet janë më tepër supozime se sa argumentime. Lidhur me këtë vlen të përmendet idhulli nga terrakota (dheu i pjekur) tashmë e njohur si “Hyjnesha në Fron” e cila është zbuluar në vitet e ‘50-ta gjatë ndërtimit të fabrikës së tekstilit “TJERRTORJA” në dalje të Prishtinës, për të cilën është shkruar shumë, por gabimisht se ajo është hyjneshë dardane. Në fakt “Hyjnesha në Fron” nuk ka të bëjë asgjë me mbretëreshën dardane apo me mbretërit e mbretëreshat e kësaj periudhe. Ky gabim është përcjellur edhe në mediat tona, në rrjete sociale, po edhe në guidat që iu jipen turistëve që vendosin të vizitojnë Kosovën. Është gabim amator të thuhet se “Hyjnesha në Fron” - simboli i Prishtinës është dardane duke ditur se për periudhën parahistorike nuk mund të flitet për ndonjë grup etnik, apo popullatë të caktuar. “Hyjnesha në Fron” nuk mund të trajtohet fare si e periudhës paradardane (shek. IX para Krishtit), as paraurbane e shekujve VI-IV kur formohet identiteti dardan. “Hyjnesha në Fron” i përket periudhës së neolitit të vonë (Neoliti 6500 - 3500 vjet para Krishtit) e njohur si periudha e matriarkatit që ishte karakteristikë dalluese e neolitit ku rolin drejtues në gjithë jetën ekonomike, shoqërore e familjare e luante gruaja. Madje, u ngriten shumë dilema ndërmjet arkeologëve, antropologëve dhe studijuesve të ndryshëm, u bënë shumë analiza se a është mashkull apo femër “Hyjnesha në Fron”. Për Ilirët dhe entogjenezën e popullit shqiptar shkruanë shumë autor, por rrallëherë me argumente arkeologjike dhe historike.

Periudha më e lashtë dhe më e gjatë është parahistoria, periudhë kjo kur ende nuk ishte zbuluar asnjë formë e shkrimit për të shkruar në një gjuhë të caktuar. Edhe pse parahistoria daton që nga krijimi i gjithësisë, ky termin shpesh shfrytëzohet për të emërtuar periudhën kur u paraqit jeta në tokë. Periudha parahistorike përkon me kohën e njeriut analfabet, pra të njeriut që nuk dinte shkrim as lexim. Edhe pse njeriu i asaj kohe nuk kishte arritur të shkruaj dhe të lexoi, mirëpo ai dinte të gjykoj, të kuptoj dhe të mbahej gjallë në jetën e përditshme shoqërore në një mënyë të ulët jetese, karakteristik kjo për shoqërinë e hershme njerëzore.

Fjala e pashkruar e njeriut parahistorik e kishte rëndësin dhe mesazhin e vet. Nevojat e veta njeriu i kësaj periudhe i definonte me anë të mendimeve dhe fjalëve të shprehura. Çdo gjë përcillej me gojë e jo me shkrim. I drejtuar në fjalën si mjet komunikimi njeriu i atëhershëm kujdesej për realitetin e përgjithshëm dhe traditat primitive për t’i zbatuar në jetë rregullat e përgjithshme jetësore.

Ruajtja e traditës dhe normave zakonore trashëgohej nga një brez në tjetrin dhe zhvilloheshin më tej si një thesar i çmuar. Rëndësia e fjalës ishte mjet i thjeshtë njoftimi dhe komunikimi që mundësonte mënyrën e jetesës në kushte shumë të vështira ekonomike dhe përherë në luftë me forcat e ashpra të natyrës dhe të ndryshimeve klimatike për të mbijetuar. Edhe pse shumçka mbetët e paqartë dhe e errët për atë kohë, thesari arkeologjik: reliktet, veglat e punës, mënyra e jetesës etj. kanë mbetur dëshmi e kuptueshme deri në ditët tona.

Mendimi, gjykimi, shprehja e ndjenjave të gëzimit dhe të pikëllimit qoftë me anë të këngës, vallëzimit apo formave tjera si dhe pasqyrimi i botës subjektive dhe objektive shprehej përmes simboleve, vizatimeve, figurave të thjeshta primitive dhe veglave të punës. Mbi këtë flasin gjetjet e shumta të kulturës materiale të arkeologjisë parahistorike. Historinë e bëjnë popujt me veprimtarinë e tyre, ndërsa fjalët dhe librat e shkruara s’janë gjë tjetër veqëse kujtesë e popujve të ndryshëm. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat