Dënimi i Mlladiçit, amniston përfshirjen e Serbisë në luftën e Bosnjës

Opinione

Dënimi i Mlladiçit, amniston përfshirjen e Serbisë në luftën e Bosnjës

Nga: Arben Sylejmani Më: 24 nëntor 2017 Në ora: 15:53
Arben Sylejmani

Dënimi i Kasapit të Ballkanit Ratko Mlladiç me burgim të përjetshëm, nga ana e Tribunalit të Hagës është për tu përshëndetur, sepse më në fund triumfoi një pjesë e vogël e drejtësisë së vonuar për krimet dhe gjenocidin që i sapo dënuari i bëri në Bosnje, veçanërisht në Srebrenicë, ku u vranë rreth 8 mijë boshnjakë myslimanë, kryesisht burra dhe djem të moshës prej 12 deri 77 vjet.

Por, më këtë epilog nuk mund të themi se më në fund u vendos drejtësia e përgjithshme, sepse në këtë gjenocid dhe në të gjithë luftën e Bosnjës, ishte përfshirë thellë Serbia, përmes ushtrisë që udhëhiqej nga ajo e që në atë kohë quhej Armata Popullore Jugosllave, e përbërë gati e gjitha nga serbët.

Me këtë gjykim u dënua Mlladiçi individualisht për vrasjen e rreth 8 mijë boshnjakëve, por spastrimi etnik dhe gjenocid në Srebrenicë u bë nga serbët vullnetarë të furnizuar me armë nga ushtria që e dispononte të gjithë armatimin e rëndë të ish-Jugosllavisë që konsiderohej si njëra ndër pesë armatat më të forta në Evropë.

Armata Popullore Jugosllave, në atë kohë urdhrat i merrte direkt nga Beogradi, edhe pse qëndrimi zyrtar në Serbi ka qenë se në Bosnje po zhvillohej një luftë civile ndërmjet boshnjakëve e kroatëve kundër serbëve lokale, e gjoja APJ-ja vetëm po ndërmjetësonte në ndalimin e këtij konflikti.

Para gjenocidit të Srebrenicës, forcat serbe me ndihmën e APJ-së patën rrethuar dhe sulmuar për 1. 395 ditë rresht edhe Sarajevën qytetin e bukur që në vitin 1984 u mbajtën lojërat olimpike.

Qyteti u rrethua dhe u bombardua për çdo ditë me ndihmën e 260 tankeve të APJ-së. Këto bombardime lanë të vdekur mbi 10 mijë persona dhe mbi 50 mijë të plagosur, ku nuk kurseheshin as shkollat dhe spitalet dhe objektet fetare që ndalohen me konventën ndërkombëtare të Gjenevës për rregullat e luftës.

Se Serbia ishte e përfshirë në luftën e Bosnjës e tregon edhe një raport i Fondit për të Drejtën Humanitare. Sipas këtij raporti, gjatë Luftës në Bosnje dhe Hercegovinë, rreth 4 mijë oficerë serbë atje janë paguar nga Serbia. Po ashtu, i gjithë armatimi dhe uniformat iu shkonin nga Serbia.

Përfundimisht, dënimi i Mlladiçit e amniston Serbinë për përfshirje në luftën e Bosnjës përmes APJ-së dhe ndihmave tjera që ajo i ka bërë serbëve boshnjak, sepse u dënua vetëm zbatuesi i projektit për Serbi të madhe që ndihmohej nga Beogradi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat