Demarkacioni shkak apo shkas?

Opinione

Demarkacioni shkak apo shkas?

Nga: Mimozë Lakna Më: 4 dhjetor 2017 Në ora: 14:10
Mimozë Lakna

Situata politike në Kosovë po hynë në një fazë mjaft interesante. Komisioni Shtetëror i formuar nga Kryeministri Ramush Haradinaj, do të prezantojë përpara këtij të fundit, të gjeturat e reja lidhur me demarkacionin e kufirit me Malin e Zi. Si për ironi, këto fakte të mbledhura nga terreni, na bëjnë të kuptojmë se versioni aktual, kundërshtohej fuqishëm nga opozita, pa pasur fakte konkrete, pasi tek tani ato fakte po prezantohen.

Me paraqitjen e fakteve nga Komisioni, Kosova direkt po hyn në një “konflikt” me një vend anëtar të NATO-s, siç është Mali i Zi, i cili tashmë e konsideron si të mbyllur këtë marrëveshje.

Mbetet të shihet, pas të hënës se cili do të jetë opinioni i kundërshtarëve të versionit aktual dhe atyre që e përkrahën të njëjtin version.  Edhe njëra palë edhe tjetra nuk i janë qasur  në mënyrë të rregullt këtij problemi. Të gjithë mbase kanë pritur gabimin e palës kundërshtare, që çështjen e kufirit me Malin e Zi ta shfrytëzojnë politikisht.  Politikisht, u shfrytëzua edhe me rastin e rrëzimit të Qeverisë Mustafa, kur Demarkacioni me Malin e zi, u bë “shkas” i rrëzimit të saj, madje edhe nga PDK-ja, partnere e LDK-së që tani ndanë pushtetin me AAK-në dhe dhjetëra subjekte të tjera duke përfshirë edhe Listën serbe.

Është përsëritur me qindra herë se marrëveshja për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, është kusht për liberalizimin e vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës. Madje, është përsëritur edhe nga miqtë ndërkombëtarë, të cilët e kanë mbështetur versionin e tanishëm.

Qytetarët e Kosovës, vazhdojnë të jenë të privuar nga Lëvizja e lirë, për faj të disa personave që sot bëjnë politikën e Kosovës.

Asnjë qytetarë nuk do të pajtohej, që Malit të Zi, apo cilitdo shtet tjetër t`i falët tokë e Kosovës. Askush nuk mund t`a privatizojë ndjenjën e dashurisë për atdheun, madje as ata që sot kanë për kauzë mbrojtjen e 2800 hektarëve tokë. E në anën tjetër, askush nuk mund ta mohojë se faktet e komisionit të kaluar janë mbledhur në bazë të të dhënave kadastrale të Komunës së Pejës.

Ka qenë Gazmend Muhaxheri, kryetari i rizgjedhur i Komunës së Pejës, ai që kishte mbrojtur versionin aktual të Demarkacionit me Malin e Zi. Por, kjo nuk e kishte penguar të jetë fitues i zgjedhjeve.

 Muhaxheri triumfoi në zgjedhje edhe me votat e rugovasëve, prej nga buron problemi i Demarkacionit.

Kjo na bën të kuptojmë, se Kosova nuk e ka kaluar fazën e tensioneve e protestave. Demarkacioni do të vazhdojë të përdoret si shkas për t`i shtyrë proceset. E ardhmja lë shumë për të dëshiruar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat