Kërcënimet si “risi” e fushatës parazgjedhore në Preshevë - Bota Sot
Kërcënimet si “risi” e fushatës parazgjedhore në Preshevë

Opinione

E martë, 12 dhjetor 2017

Kërcënimet si “risi” e fushatës parazgjedhore në Preshevë

Nga: Shaip Kamberi Më: 6 dhjetor 2017 Në ora: 15:23
Shaip Kamberi

Sot, NDRYSHIMI i vetëm i propaganduar për Preshevën na paraqiten të jenë KËRCËNIMET ndaj atyre që mendojnë ndryshe. Shpresoj që kjo politikë, të mos jetë mbizotëruese nesër, kur zgjedhjet edhe të përfundojnë!

Fushata për zgjedhjet e parakohshme lokale në Preshevë, ka hyrë në fazën finale. Pesë parti, pranë Komisionit zgjedhor komunal, kanë dorëzuar listat e veta zgjedhore, ndërkohë që pritet edhe disa prej tyre të bëjnë këtë ditët në vijim.

Do të jenë shtatë apo tetë lista zgjedhore nuk është më e rëndësishmja.

Deri më tani, bazuar në tubimet fillestare të partive që i kanë mbajtur ato, fushata, të cilën e karakterizojnë kritikat e ashpra ndaj “kundërshtarëve”, “të vjetërve”, “të harxhuarve” etj, ngjason të jetë e njëjtë apo e ngjashme sikurse edhe në zgjedhjet paraprake, edhe në ato të mëhershmet.

Risi, për të keq, në këto zgjedhje na paraqiten të jenë kërcënimet e drejtpërdrejta dhe publike të disa militantëve të një partie, ndaj atyre që mendojnë ndryshe dhe ndaj atyre për të cilët janë të sigurt se nuk do tua marrin votën.

Deri më tash, pavarësisht ashpërsisë së gjuhës të përdorur nëpër tubimet partiake, askujt nuk i ka shkuar ndërmend ta kërcënojë kundërshtarin politik e aq më pak qytetarin për të cilin e dinë se nuk e kanë lojalë në mënyrë kaq të drejtpërdrejtë dhe publike.

Nëse “Dita e mirë shihet në mëngjes” atëherë i bie se edhe “Dita e keqe shihet në mëngjes”. Pra, nëse kjo fushatë zgjedhore paraqet mëngjesin e asaj që do të ndodhë pas zgjedhjeve, Presheva, vërtetë duhet të jetë e brengosur nga këto kërcënime.

Preshevën, vërtetë e presin konflikte edhe më të mëdha ndërshqiptare, sepse kërcënimet po u dërgohen shqiptarëve nga shqiptarët. Në këto konflikte të brendshme po tentohet që me çdo kusht të futet edhe diaspora. Prandaj edhe Presheva duhet seriozisht të mendojë se kujt do t’i jap votën, sepse me votën e vet përcakton edhe raportet e ardhme ndërshoqërore, fqinjësore, miqësore për katër vitet e ardhshme.

Në një rajon, dekada me radhë politikisht të diskriminuar nga politikat shtetërore, në të cilin gjendja sociale po e gërryen edhe substancën kombëtare, të kërcënosh me “ditë të zeza” shqiptarët, sepse ata po konsiderohen armiq e jo serbët e unifikuar në stilin e “Serpskës” vërtetë të detyron të mendosh për mentalitetin hakmarrës të një qeverisje të mundshme në Preshevë.

Jo, që rivalët e kërcënuar politikë duhet të frikësohen, jo që Presheva është Kore e Veriut, jo që kërcënuesit kanë raketa bërthamore, larg asaj!

Vetë kërcënuesit, prej politikave shtetërore, janë të brishtë dhe gjenden në situatën e njëjtë diskriminuese sikurse edhe ata që po i kërcënojnë! Kjo më tepër flet për mendësinë politike të një pretendenti për ta qeverisur Preshevën.

Kjo vërtetë shtron dilemën se si do të sillet kryetari i ardhshëm i Preshevës? A do të jetë ai kryetar i gjithë qytetarëve të kësaj komune të varfëruar? Në emër të kujt dhe për llogari të kujt bëhen këto kërcënime?

Ndoshta, fryma e ndryshimeve në Preshevë preferon të zbatojë politikat e diskriminimit edhe në nivelin lokal, dhe gjendjen, edhe ashtu të rënduar socio-politike ta bëjë të padurueshme.

Dilema tjetër që shtrohet është ajo se a mund që kjo fushatë e kërcënimeve parazgjedhore ta arsyetojë një kryetarë tjetër të Preshevës nesër t’i përdorë kërcënimet e sotshme për revanshizëm politik si mjet ndaj vetë kërcënuesve të sotshëm.

Sot, nga ajo që po shihet del se NDRYSHIMI i vetëm i propaganduar për Preshevën na paraqiten të jenë KËRCËNIMET ndaj atyre që mendojnë ndryshe. Shpresoj që kjo politikë, të mos jetë mbizotëruese nesër, kur zgjedhjet edhe të përfundojnë!

(Autori është kryetar komune në Bujanoc, publicist dhe analist politik)

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
    test