“Maca në thes” në politikbërjen preshevare

Opinione

“Maca në thes” në politikbërjen preshevare

Nga: Nehat Hyseni Më: 15 dhjetor 2017 Në ora: 23:55
Nehat Hyseni

Në zgjedhjet e rregullta lokale të 24 prillit 2016 në komunën e Preshevës ndodhi “mrekullia” që befasoi jo vetëm shqiptarët e komunës së Preshevës, por dhe tërë Luginën e Prishtinën dhe Tiranën dhe mbarë opinionin shqiptarë dhe atë rajonal.

Kjo “mrekulli”, ose si thonë hoxhallarët dhe mjekërroshat pantashkurtër dhe radikalistët vehabistë e selefistë të tarafit të tij, si “muxhizë”, ndodhi me Shqiprim Arifin, një gastarbajter i fshatit Tërnavë të komunës së Preshevës, i lindur në Manheim të Gjermanisë dhe partinë e tij, Aleancën për Ndryshim (APN), që akoma pa i mbushur një vit nga themelimi, arritën rezultat rekord, duke fituar 11 nga gjithsej 38 mandate në Kuvendin Komunal të Preshevës, dhe duke u radhitur si parti e dytë në këto zgjedhje.
Asnjëherë më parë nuk kishte ndodhur një gjë e tillë në komunën e Preshevës të ket fituar një person plotësisht i panjohur në skenën e politikbërjes preshevare, i cili erdhi si “parashutist” nga Gjermania.

Madje, Shqiprim Arifi arriti të bëhet edhe kryetar i komunës së Preshevës në mandatin 2016-2020, duke i faleminderuar koalicionit qeverisës paszgjedhor me PVD-ën, si parti më e madhe dhe më e vjetër në Luginë të Preshevës.

Si u bë Shqiprim Arifi kryetar i komunës?

Kjo befasi për të gjithë dhe kjo “mrekulli” ndodhi pikërisht për arsye se asokohe askush nga spektri politik i komunës së Preshevës nuk e mori seriozisht Shqiprim Arifin, duke e konsideruar si person joserioz dhe plotësisht të panjohur për qytetarët e komunës së Preshevës.

Prandaj, partitë më të mëdha, PVD dhe PDSH e nënçmuan dhe neglizhuan, madje mund të thuhet se e injoruan skajshmërisht Shqiprim Arifin dhe APN-ën, e cila as që ishte konstituuar formalisht si parti politike, sipas rregullave dhe procedurave e parimeve elementare demokratike.

Kështu, kjo mospërfillje rezultoi t’i kushtoj sidomos PVD-së të Riza Halimit, e cila arriti rezultatin më të dobët në historinë e saj, duke fituar vetëm dhjetë këshilltarë dhe u radhitë si parti e tretë, dmth pas APN-së.

Vlerësimet analitike mbi arsyet për këtë ishin se PVD kishte caktuar kandidatin e gabuar për kryetar komune, që nuk përkonte me preferimet e votuesve tradicional të saj dhe shumë vota të saj iu kaluan APN-së.

Meqë PDSH e Ragmi Mustafës ishte komprometuar shumë gjatë keqqeverisjes 12 vjeçare të komunës së Preshevës, korrupsioni marramendës, keqpërdorimet dhe abuzimet e tmerrëshme ishin bërë të padurueshme. Prandaj, PVD me 10 dhe APN me 11 këshilltarë bënë koalicionin qeverisës me 21, nga gjithsej 38 këshilltarë të Kuvendit Komunal dhe Shqiprim Arifin e zgjodhën kryetar të komunës, kurse Ardita Sinani u zgjodh kryetare e Kuvendit.

Imponimi i islamit politik

Por, së shpejti pas fillimit të punës së pushtetit lokal, u pa puna se Shqiprim Arifi i shkeli të gjitha premtimet e fushatës parazgjedhore dhe marrëveshjen e koalicionit qeverisës.
Kështu, Kuvendi Komunal u pushtua nga radikalistë islamikë me mjekrra dhe pantollashkurtër dhe me vajza me shamia. Praktikisht, Kuvendi u shndërrua në xhami dhe vatër të xhihadistëve islamikë.

Kurse, kolona e APN-istëve radhitej duke zaptuar Xhaminë e Ibrahim Pashës, që është përballë ndërtesës së Kuvendit, duke e shndërruar xhaminë në qendër të veprimtarisë së tyre politike. 

Pra, e instaluan këmbëkryq islamin politik, me një agresivitet dhe arrogancë të paparë ndonjëherë në historinë e saj.

Sulmi militant mbi islamin tradicional suni, të methhebit hanefi, të cilit i përkasin shqiptarët e Luginës së Preshevës, si dhe të gjithë shqiptarët në Ballkan, u sulmua në formën më të paskrupulltë, duke imponuar mënyrën vehaniste të faljes dhe të praktikimit të islamit tek ne.

“Maca në thes”

Kurse, në planin politik, Shqiprim Arifi filloi sulmin e tërbuar kundër politikbërjes së shqiptarve të Luginës së Preshevës, madje edhe para ambasadave dhe faktorit ndërkombëtar si “fajtore për gjendjen e vështirë të shqiptarve në Luginë të Preshevës” dhe duke e amnistuar Serbinë!
Arroganca serbofile dhe antishqiptare dhe anticivilizuese e tij arriti kulmin sidomos me tentativën e tij banditeske për ta kontrabanduar Planin Aksional për kolonizimin e komunës së Preshevës me serbë nga Kroacia, Bosna dhe Kosova dhe me refugjatë të tjerë nga Afganistani, Siria dhe Iraku, për ta ndryshiar strukturën kombëtare të komunës së Preshevës.

Ky ishte kulmi dhe PVD e prishi këtë koalicion qeverisës, duke e shkarkuar Shqiprim Arifin dhe duke zgjedhur Ardita Sinanin në postin e kryetares së komunës së Preshevës, në mbledhjen e Kuvendit Komunal të 10 marsit 2017.

Pra, rezultoi se Shqiprim Arifi ishte figurë enigmatike dhe një mashtrues e matrapaz kulminant, i cili arriti në afatin rekord t’i mashtroj votuesit shqiptarë dhe qytetarët e komunës së Preshevës, por dhe spektrin e politikbërjes së shqiptarve të Luginës së Preshevës.
Sepse, të gjithë i besuan, pa e njohur fare, siç thonë preshevarët, “si maca më thes”, pa e njohur fare se kush ishte Shqiprim Arifi realisht.

Misioni serbo-rus i APN-së

Motoja e APN-së dhe Shqiprim Arifit në këto zgjedhje është:
“Politika e vjetër 27 vjeçare duhet të shkoj në pension, sepse ata nuk kanë bërë asgjë...”
Atëherë, poqese i zbresim 27 vite nga 2017-ta, na mbetet viti 1990. 
Kjo do të thotë se duhet të kthehemi në vitin 1990. 

Ku ishin shqiptarët e Kosovës dhe të Luginës së Preshevës asokohe?

Pra, në atë kohë ishte regjimi i Sllobodan Millosheviqit, kurse shqiptarët ishin në LKJ dhe nuk ekzistonin partitë politike shqiptare.
Serbia tërë kohën është duke u angazhuar që para opinionit ndërkombëtar, para serbëve, e tani edhe me partitë shqiptare të imponoj vlerësimin e saj se “Partitë politike shqiptare nuk i sollën asnjë të mirë shqiptarve. Gjithçka bënë shqiptarët ishte gabim:

Referendumi i 1 dhe 2 marsit 1992 i shqiptarve të Luginës së Preshevës për Autonomi Politike e Territoriale, me të drejtë bashkimi me Kosovën,
Lufta e UÇK-së e vitit 1999 dhe ajo e UÇMB-së e vitit 2000-2001,
Pavarësia e Republikës së Kosovës, etj.

Politikbërja dhe vizioni politik i Presidentit Historik, Dr. Ibrahim Rugova dhe Riza Halimit, si themelues i politikbërjes së pavarur të shqiptarve të Luginës së Preshevës, etj.

Koalicioni APN-SNS

Mohimi dhe mosnjohja e Pavarësisë së Republikës së Kosovës nga Serbia, sidomos pas shpalljes dhe problemeve të njohjes së pavarësisë së Katalonisë në Spanjë, që e ka trimëruar dhe nxitur Serbinë për ta kontestuar Pavarësinë e Republikës së Kosovës në institucionet relevante të vendimmarrjes ndërkombëtare. Serbia ka gjetur dhe ka përgatitir e stërvitur gjatë kohë aleatin e vet të devotshëm, Shqiprim Arifin në Manheim të Gjermanisë, si person i përshtatshëm vehabist dhe ekstremist islamik, dhe ka futur atë si “kali i Trojës” në politikbërjesn e pavarur të shqiptarve në Luginën e Preshevës.
APN i ka shpallur të gjitha këto programe makabre antishqiptare, si program politik të vetin në fushatën parazgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonëshme lokale të 24 dhjetorit 2017.

“Fondet e zeza” në fushatë

Për këtë qëllim Qeveria e Serbisë i dha në dispozicion APN-së “fondet e zeza”, për blerjen e këshilltarëve dhe për sponzorizimin e bllokadës së punës së Kuvendit Komunal dhe për shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonëshme, sipas skenarit të parapërgatitur.

Duke shkarkuar kryetaren legjitime të komunës së Preshevës, zonjës Ardita Sinani dhe duke emëruar Shqiprim Arifin në krye të Masave të dhunëshme, Qeveria e Serbisë ia arriti t’i shkatërroj institucionet e pushtetit lokal dhe menaxhmentin e ndërmarrjeve publike, sikur regjimi i Sllobodan Millosheviqit që e bëri me vendimin e 5 korrikut 1990, me të cilin e suprimoi Kuvendin e KSA të Kosovës dhe menaxhmentin e ndërmarrjeve publike e shoqërore në tërë Kosovën.

Shqiprim Arifi tani e ndien veten shumë të fortë, ashtu siç d ndiente veten të fortë Rrahman Morina dhe bashkëpunëtorët e tjerë faqezinjë të regjimit fashist të Sllobodan Millosheviqit.

Tani Shqiprim Arifi ka gjithçka në dispozicion për ta blerë votën e lirë të qytetarëve të komunës së Preshevës.
Anembanë komunës së Preshevës gumëzhojnë bagerat, shpërndahen kubëzat aty ku i nevoitet vota Shqiprim Arifit.
Në fshatin Zhunicë, për t’i marrë 30 vota, çmi ishte asfaltimi i një rruge të gjatë reth 300 m. Por, kushti ishte që kjo punë të kryhet para zgjedhjeve, dhe kështu u bë. 
Ajo rrugë tani më u krye!
Votat u siguruan.
Kësisoj u veprua edhe me rrugën Bukuroc-Rahovicë, e cila është kah përfundimi.
Shqiprimi i premton një lagjeje në Preshevë se do t’ ua shtroj sokakun me kubëza dhe do ta emëroj profesorin e asaj lagjeje drejtor të një institucioni, poqese i jipen 150 votat e asaj lagjeje.

Janë të panumërta rastet e korruptimit të votës me abuzim të buxhetit komunal dhe fondet e zeza.
Shqiprim Arifi ishte dhjetë muaj kryetar komune dhe nuk bëri asnjë rrugë, kurse tani si kryetar i Masave të dhunëshme edhe oborret e shtëpive do i asfaltoj për ta blerë votën dhe pushtetin.

Gjatë fushatës, Shqiprim Arifi flet në emër të Qeverisë së Serbisë, madje edhe premton publikisht, siç ishte rasti në emisionin “Rubikon” të KTV-së, ku premtoi hapjen e kufirit më Maqedoninë, që është kompetencë ekskluzive e Qeverisë së Serbisë?!

Serbia e mobilizuar si kurrë më parë!

Serbia është mobilizuar fuqishëm, si kurrë më parë, që ta imponoj misionarin dhe agjentin e vet besnik në krye të komunës së Preshevës, me qëllim të realizimint të qëllimeve të saja të errëta antishqiptare për ndryshimin e strukturës etnike të komunës së Preshevës duke e rikolonizuar me serbë dhe refugjatë të tjerë, si dhe për t’ia lehtësuar vetes rrugën për anëtarësim në BE, pa i plotësuar kriteret e parapara dhe obligimet ndaj shqiptarve të Luginës së Preshevës, si pakicë kombëtare në Serbi.
Prandaj, zgjedhjet e jashtëzakonëshme lokale të 24 dhjetorit 2017 janë shpallur si “Referendum i Dytë” i shqiptarve të komunës së Preshevës, kundër regjimit antishqiptar të Serbisë dhe misionarëve të tyre nga radhët e shqiptarve në politikbërjen preshevare.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat