Pushtetarët bythë-lakuriq të djeshëm, bosa të sotëm

Opinione

Pushtetarët bythë-lakuriq të djeshëm, bosa të sotëm

Idriz Zeqiraj Nga Idriz Zeqiraj Më 16 dhjetor 2017 Në ora: 20:03
Thaçi, Haradinaj dhe Veseli

Është në rrjedhën logjike kundërshtia e vendosur dhe gjithë sakrificë e aktivistëve të Vetëvendosjes. Sepse ata janë të rinj të shkolluar, por, pa punë të siguruar, pa perspektivë për të ardhmen, nën sundimin korruptiv e kriminal të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Ramush Haradinaj, të cilët, me tenderë, haraçe e hajni zyrtare, janë bërë  milionerë, pa ju thënë kush "puna e mbarë", bythë-laskuriq të djeshëm, bosa të sotëm. Kjo bandë ka depozituar pasuri edhe për shumë breza të tyre familjarë, ndërkohë që, të rinjtë e Kosovës përballën me vështirësi ekonomike, për të mbijetuar! Andaj të gjitha reagimet, veprimet e Vetëvendosjes, për ta parandaluar legalizimin ligjësimin e tradhtisë pushtetarë, kanë qenë dhe mbetën, plotësisht, të përligjura.

Kundër-përgjigja e "dhunshme" e Vetëvendosjes, është e përligjur, në raport me provokimin e rëndë shtetëror e qeveritar. Vota e popullit, në mbështetje të Vetëvendosjes, e provoi këtë të vërtetë. Ishte një reagim i imponuar, për ta mbrojtur Republikën nga bastardët, hafije në shërbim të shteteve armike të Kosovës tonë. Sot, Kosovës po i goditën vajzat dhe djemtë, e ardhmja e saj, sepse ata janë të vendosur, për ta mbrojtur Republikën, tërësinë e saj, pasuritë e saj, edhe pse korrupsioni, hajnia zyrtare e pushtetarëve kriminelë, nën maskën e privatizimeve, ka abuzuar dhe përvehtësuar shumë nga pasuritë e brezave shqiptarë. 

Jo linçime, por debat demokratik brenda-partiak

Lëvizja Vetëvendosje duhet ta tejkalojë krizën aktuale, si rrjedhojë e instalimit të një ideologjie, anakronike për kohën. Thirrjet e kuadrove me përvojë, si ajo e ish-Avokatit të Popullit, Sami Kurteshi, me shokë, duhet dëgjuar. Me zotëri Kurteshin jam njohur dhe kemi punuar në Ministrinë e Informacionit në Gjenevë, në vitet `90-a. Ai është i matur dhe këtë e ka dëshmuar kur mbante postin e lartë. "Gabimet janë njerëzore dhe duhet menaxhuar me urtësi", - porositë ish-burgaxhiu politik, Kurteshi. Këtë mendim e ndajnë të gjithë ata, që ia duan të mirën Lëvizjes Vetëvendosje dhe Kosovës.

Përjashtimi aktivistes të zëshme, Aida Dërguti, për arsye të një shprehje, në afekt e sipër dhe zemërplasur, për plasaritjet parimore, brenda Vetëvendosjes, "e papranueshme gjithsesi", siç e vlerëson, realisht, Aida, nuk është zgjidhje. Në vend të përjashtimit, fort të gabuar, duhej të fillonte debati brenda-partiak. Linçimet nuk e madhojnë, përkundrazi, e zvogëlojnë Vetëvendosjen.

Metoda linçuese ndaj aktivistes dinjitoze e me kurajo qytetare, Aida Dërguti, më ngjason me linçimet në Shqipëri, në vitet `70-a, kur për dy-tri arka portokaj të kalbur, në një magazinë, ministri i Tregëtisë Kiço Ngjela dënohej më 25 vjet burg të rëndë, në Burgun e Burrelit. Ose, anëtarët e Byrosë Politike, Abdyl Këllezi e Koço Theodhosi, për diç të ngjashme, ekzekutohen.

Vetëvendosje, në bashkërrugëtim me LDK-në, shpresa e së ardhmes

Akuzat e shtuara ndaj Lëvizjes Vetëvendosje, nga eksponentë të partisë-bandë, PDK-së, si Gani Koci, i cili kërkon "të shpallet organizatë antikushtetuese", Lëvizja Vetëvendosje, apo Blerand Stavileci, e quan "terroriste", flasin për frikën që ka PDK-ja, nga begatimi i Vetëvendosjes me anëtarësi. Shtrohet pyetja: Pse këta zotërinj, të cilët militojnë në një parti të krimit vrastar dhe të hajnisë zyrtare, nuk kërkojnë shpalljen e paligjshme të PDK-së, e cila, me SHIK-un e saj kriminal e terrorist, ka ekzekutuar 1.800 shqiptar të pafajshëm?!

Është koha që Lëvizja Vetëvendosje të këndellët, ta kalojë krizën e pritur. Ajo nuk duhet dhe nuk guxon ta lërë Kosovën në duart të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Ramush Haradinaj dhe bandave të tyre, të etura për krime dhe pasuri.

Është skandaloze renditja e Lëvizjes Vetëvendosje përkrah partisë-bandë, AAK-së, në rivotimin për kryetar komune, në Istog, më 17 dhjetor 2017! Aktivistët e Vetëvendosjes, përkatësisht, anëtarësia e saj, nuk duhet t`i bindën këtij urdhri të nxituar, të pamatur dhe hiç real. Ata "nuk duhet ta zbatojnë "amanetin e keq", siç porosiste dikur, i burgosuri politik, në ishullin Golji Otok, mullah Zekë Bërdynaj.

Anëtarësia e Lëvizjes Vetëvendosje duhet ta bashkojë votën me sivëllezërit e tyre opozitarë të LDK-së. Dhe, po të ndodhte kjo edhe më parë, do të përfitonin shumë reciprokisht, ashtu siç ndodhi në Prizren spontanisht dhe në Vushtëri zyrtarisht.

Lëvizja Vetëvendosje është shpresa e së ardhmes, e cila, në bashkërrugëtim me LDK-në, në pritje për t`u reformuar, do ta konsolidojnë Republikën e Kosovës, aq shumë të përdhosur dhe të përtokur, nga partitë-banda, përgjakëse të popullit të Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat