Bashkë me përçarjet ndodh edhe ndryshimi….

Opinione

Bashkë me përçarjet ndodh edhe ndryshimi….

Nga: Sevdail Hyseni Më: 17 dhjetor 2017 Në ora: 13:38
Sevdail Hyseni

Vikendi tjetër e pret Preshevën me proces të votimit, për zgjedhjet e parakohshme lokale të 24 dhjetorit.

Këto zgjedhje mund të quhen historike për fushatën elektorale, e cila asnjëherë në këtë komunë dhe më gjerë në Luginë të Preshevës, nuk ka qenë më e zëshme, më e zhurmshme, më propagandistike, e pse jo edhe më problematike për akuza, shpifje e kërcënime perfide.

Listat e shumta zgjedhore për një grusht pushtet në Preshevë, kanë vënë në lëvizje pushtetin qendror të Beogradit, i cili pa ndonjë pompozitet medial, po shkakton delvalvimin e skenës politike shqiptare, duke e asimiluar identitetin politik të saj e duke shkatërruar bërthamën etnike të një komune e një parlament lokal qind për qind shqiptar.

Ka vite që Serbisë i ka penguar përbërja e pastër etnike shqiptare e një Kuvendi Komunal, përmes të cilit bien vendime me rëndësi për shqiptarët e këtij rajoni, qoftë në aspektin lokal, qoftë në aspektin rajonal si: platformat e deklaratat politike ashtu edhe akte të tjera të rëndësishme për ardhmërinë politike dhe ekonomike të këtij rajoni.

Mobilizimi i serbëve lokal me një Listë të përbashkët, që nuk kanë më shumë se 1300 votues, me ndihmën e Trupit Koordinues dhe partisë në pushtetin qendror të presidentit Vuçiq, është një tregues i qartë se Preshevës, ngadalë po i bie era multietnicitet pushtetar.

Këtë sukses Beogradi po e arrin edhe përmes disa partive kinse me program qytetar, duke akuzuar partitë e vjetra për kinse mosaktivitet, mashtrim të elektoratit me premtime boshe, nepotizëm, abuzime me fonde komunale, korrupsion dhe patriotizëm të rrejshëm.

Këto parti të reja me kuadro rinore e me një koncept qytetar, po reflektojnë në këto zgjedhje të parakohshme lokale, të cilat edhe kontribuan të ndodhin ato përmes Beogradit, një politikë me një qasje ndryshe nga partitë e “moçme”, duke i ofruar elektoratit “kontrata” e “zotime”, për kinse një alternativë tjetër për qeverisje lokale.

Kush ka rastisur të përcjell sadopak fushatën parazgjedhore në Preshevë, e cila vazhdon edhe për një javë, nuk e ka vështirë të bindet se sa në zor është elektorati preshevar, i cili është mërzitur nga zhargoni i fjalorit politik rrugor, që përdorin kandidatët e mundësh për kryetar komune.

Duke i parë marifetet e rivalëve politikë votuesit preshevarë, duhet të mendohen mirë kë duhet ta votojnë ngase vota e tyre është çelësi i ndryshimeve në përbërjen e re të Asamblesë komunale.

Po qe se elektorati preshevarë dëshiron ta ruaj identitetin politik dhe identik, duhet t’i favorizojë partitë politike, të cilat në programet e tyre zgjedhore kanë për synim avancimin e të drejtave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, rregullimin me ligj të simboleve kombëtare dhe realizimin në praktikë të dygjuhësisë, si dhe jë varg projektesh të tjera me interes shoqëror dhe kombëtar.

Vikendi i ardhshëm dhe ai i fundit për këtë muaj dhe për këtë vit është shumë vendimtar për statusin institucional të Preshevës, komunë kjo e cila viteve të fundit është prekur në dinjitet, jo vetëm nga forcat denigruese serbe, por edhe nga vetë disa shqiptarë ardhacakë, haraçxhinjë dhe mercenarë, të cilët vijnë për të vënë rend dhe ligj në këtë rajon të trazuar politikisht dhe të katandisur ekonomikisht.

Babadimri i Vitit të Ri preshevar, ka përgatitur një thes me dhurata, jo temë për ata që dalin fitimtarë në këto zgjedhje të imponuara lokale, por edhe për votuesit e mirë, të urtë, të matur dhe parimor, të cilët, gjithmonë kanë treguar një kulturë të lartë votimi në këtë komunë, nga më karakteristikat e hapësirave shqiptare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat