Gjergj Kastrioti e ruajti identitetin dhe shpirtin e kombit - Bota Sot
Gjergj Kastrioti e ruajti identitetin dhe shpirtin e kombit

Opinione

E hënë, 22 janar 2018

Gjergj Kastrioti e ruajti identitetin dhe shpirtin e kombit

Nga: Gjon Keka Më: 17 dhjetor 2017 Në ora: 13:53
Gjergj Kastrioti -Skënderbeu

Ajo që e dallonte Gjergj Kastriotin, si një burrështetas i vërtetë, i madh e vizionar në fushën e diplomacisë, ishte se ai e kuptonte që vetëm e vërteta, dhe jo dinakëria e mashtrimet dhe hipokrizitë, është qëllimi i diplomacisë dhe i praktikës së saj, sepse bota ka më shumë nevojë për artin e vërtetë të diplomacisë se sa për maskën e këtij arti dhe degëzimi shkencor. Ky edhe ishte kodi i diplomacisë së tij, sepse ai suksesin në diplomaci e shihte vetëm nëpërmjet kësaj fryme dhe këtij arti real të diplomacisë. Pikërisht ky sukses ishte i pandalshëm në kohën kur ai e qeveriste shtetin e Arbrit. Ndërsa në anë tjetër, ai i shihte marrëdhëniet diplomatike me Vatikanin, me Raguzën, me Napolin, si dhe me Romën, si marrëdhënie të natyrshme dhe që përbënin, në fakt, edhe pikën më të fuqishme mbështetëse të kohës, në lidhje me mbrojtjen e qytetërimit europian nga pushtimi barbar i perandorisë së egër otomane.

Si një burrë shteti, Gjergj Kastrioti u bë për politikën dhe për familjen e kombeve të kontinentit margaritar i diplomacisë europiane dhe vizionar i madh i të gjitha kohëra, sepse ai, me urtësinë e tij, me guximin dhe me parimet që mbartte u bë baba që ruan me dashur identitetin, kulturën dhe shpirtin e kombit të vet, por edhe të kombeve të tjera të familjes europiane. Duhet theksuar këtu se, po në këtë shekull mund të vërehej edhe ana tjetër që pengonte revolucionin e përgjithshëm dhe evoluimin e kombeve të këtij kontinenti, e ky ishte zinxhiri i ndarjeve në politikën europiane dhe në atë të princave, mbretërve dhe krerëve të shteteve të kombeve europiane.

Megjithëkëtë, përveç kësaj, po ashtu, gjatë shekujve XIV dhe XV kemi edhe një lulëzim tepër të dukshëm të qytetërimit të përgjithshëm të kombeve të familjes europiane. Në këtë periudhë të rëndësishme kishte filluar hapja e universiteteve me emër të madh kombëtar e ndërkombëtar; vetëm gjatë kësaj kohe ishin hapur pothuajse mbi tridhjetepesë universitete, kishte rritje të vlerave dhe të dijes, duke dalë kështu nga djepat e ndryshëm kombëtarë poetë, shkrimtarë, piktorë, skulptorë, arkitektë, shkencëtarë, akademikë,
intelektualë, artistë etj. Është për t’u nënvizuar se ende në këtë kohë Italia ishte nëna e arsimit fisnik dhe, në fakt, përbënte edhe tempullin e dijes së kohës, duke mos harruar lidhjet e saj me hapat e mëhershëm të zhvillimit të arsimit, që nga antika pellazge-ilirike e gjer në ditët tona. Këtu mund të përmendim, ndër të shumtët, vetëm disa personalitet të mëdha të dijes, si Dante Alighieri, Petrarch (Francesco Petrarca), Giovanni Boccaccio, astrologun e njohur shqiptar Gjon Gazulli (Johannes Gazulus de Ragusa), njëherësh edhe ambasador i shtetit të Arbrit në Raguzë, i emëruar nga lideri dhe burrështetasi Gjergj Kastrioti, Erwin von Steinbach, Johannes Müller von Königsberg (Regiomontanus), Rudolph Agricola, Konrad Crltes, Johann Reuchlin, Desiderius Erasmus Toterdamus, Leonardo da Vinçi, Albrecht Dürer, Lucas Cranach, Raphael Sanzio e shumë e shumë
të tjerë që lanë gjurmë të pashlyera në zhvillimin e fushave të përgjithshme të dijes, arsimit e shkencës. Mund të thuhet, se këta u bënë etërit apo themeltarët e këtij tempulli shumëplanësh arsimi e dije.

Historia gjatë kësaj periudhe dhe e atyre pasuese tregon një përsosje gradualisht me progresin e iluminizmit dhe të vënies së institucioneve të fuqishme demokratike, atyre të diplomacisë dhe të politikës në përgjithësi të kombeve brenda familjes europiane. Kështu shquhet personaliteti i shquar mbikohor, siç ishte edhe Gjergj Kastrioti, i cili mbartte në idetë dhe te vetja e tij rrënjët më të thella të vizionit, të urtësisë dhe të njohjes për një Europë të fuqishme dhe për një politikë e diplomaci të pjekur dhe të dobishme, si për rrugëtimin e kombit shqiptar ashtu edhe të kombeve të tjera të Europës, për të kontribuar në mënyrë të pashembullt në avancimin e tyre të mëtejshëm. Gjergj Kastrioti i donte frytet në gjithçka të mirë, sepse ai e dinte se çdo pemë që nuk jep fryt pritet, siç shkruhet tepër thellë në librin e Mateut: “Sëpata tani është te rrënja, çdo dru që nuk jep
fryt do të hidhet në zjarr”. (Mateu, 3:10) Ai i kishte talentet dhe e dinte se vetëm duke i shfrytëzuar ato ai do të mund të arrinte shumëzimin e tyre dhe do të paraqitej i denjë para pasqyrës reale të jetës jo vetëm kombëtare, por edhe më tej. Kështu, ai ishte një njeri i frytshëm, një personalitet që veprimet e tij i bëri në hapa të sigurt dhe në bashkëveprim me parimet kombëtare.

Jo rastësisht, në fjalimin e tij të mrekullueshëm në Kuvendin e Lezhë së 2 marsit 1444, pastaj edhe në çdo komunikim me princër, mbretër apo krerë shtetërorë, Gjergj Kastrioti e vinte në rend të parë kombin, pastaj parimet e krishtera, me të cilat ai ishte i lidhur shpirtërisht dhe që kishte një marrëdhënie të fuqishme personale të besimit me Krishtin. Sepse emri i tij lavdërohej kudo ku ai gjendej, si në tryeza diplomatike ashtu edhe në porositë që ai jepte për kombin e për shtetin e Arbrit.Gjergj Kastrioti ishte i vetmi që ka sfiduar realisht tërë ideologjinë e errët të sulltanizmit dhe planet e tij prej demoni që kishte kundër kontinentit europian.

Sido që të jetë periudha e mesjetës, ajo mund të cilësohet si një periudhë e sfidave, e tundimeve dhe e progresit të madh. Kjo, për faktin se në këtë periudhë rol të madh kanë luajtur figurat qendrore të familjes së përbashkët të kombeve europiane, sidomos në revolucionet dhe në evoluimin e ndërtimit të institucioneve kombëtare, politike e diplomatike, si dhe të ballafaqimit më qartë të Europës si familje në pasqyrën e jetës së saj natyrore. Madje, pikërisht këto lëvizje bënë që kombet ta ndiejnë veten të lirë, të sigurt dhe me vizion, për një të ardhme të mirë për të gjithë, brenda shtëpisë së përbashkët të familjes europiane.

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
    test