Vrasjet politike, Gjykata Speciale dhe iniciativa e dështuar për shfuqizimin e saj

Opinione

Vrasjet politike, Gjykata Speciale dhe iniciativa e dështuar për shfuqizimin e saj

Nga: Mimozë Lakna Më: 25 dhjetor 2017 Në ora: 23:58
Mimozë Lakna

Një deklaratë e nënkryetarit të Organizatave të dala nga Lufta, Nasim Haradinaj e bërë në një emision televiziv kishte tronditur opinionin publik. Të gjithë ishin kundër miratimit që Haradinaj ia bëri  vrasjeve të zyrtarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Duke folur rreth krijimit të Gjykatës Speciale dhe hetimit të vrasjeve politike, Nasim Haradinaj, tha: “punë e madhe që janë vra anëtarët e LDK-së”.

Ky deklarim, në fakt tregoi fytyrën e vërtetë të atyre që gjithmonë kanë kundërshtuar LDK-në, madje edhe duke i vrarë zyrtarët e saj.

Në vend se të distancoheshin nga deklarata e Nasim Haradinajt, tre krerët e shtetit, Presidenti Thaçi, Kryeministri Haradinaj dhe kryetari i Kuvendit Veseli, të premten në mbrëmje vetëm sa i dhanë jehonë asaj që kishte deklaruar Nasim Haradinaj.

Ata tentuan ta shtyjnë “vjedhurazi”, në Kuvend një agjendë mjaft të rrezikshme për vet shtetin e Kosovës. Kërkonin seancë për shfuqizimin e Gjykatës Speciale, ani pse Gjykata Speciale ka mbetur e vetmja derë, ku familjarët e të vrarëve dhe të plagosurve të LDK-së pas luftës, po kërkojnë zbardhjen e rasteve.

Deklaratën e Nasim Haradinajt dhe veprimin e krerëve të shtetit të Kosovës, e ndanë vetëm dy ditë.

Tentimi për shfuqizimin e Gjykatës Speciale, duket se ka të bëj direkt me frikën e zbardhjes së vrasjeve politike. Kujtojmë, se Presidenti i vendit Hashim Thaçi, kishte deklaruar vazhdimisht se Gjykata Speciale, do të pastronte njëherë e përgjithmonë luftën e drejtë të UÇK-së. Edhe kryeministri Haradinaj, në momentin e formimit të Qeverisë me PDK-në dhe të tjerët, kishte deklaruar se Qeveria e tij do t`i përmbushë obligimet e shtetit të Kosovës ndaj partnerëve ndërkombëtar.  Ndryshimi kaq i menjëhershëm i mendimit të tyre, na e thellon bindjen se Gjykata Speciale, në hetimin e saj do të përfshijë edhe raste të vrasjeve dhe krimeve të tjera me motive politike, së paku atyre që kanë ndodhur deri në fund të vitit 2000.

Kjo u la të kuptohej të premten mbrëma. “Tre musketierët” e Kosovës, Thaçi, Veseli e Haradinaj, nëpërmjet njerëzve të tyre në Kuvend, tentuan ta rrënojnë atë që me vite ishte ndërtuar në shtetin e Kosovës. Rrezikuan, pa fije shqetësimi miqësinë e përhershme të Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ata vendosën interesin e tyre personal para interesit shtetëror, duke harruar kështu deklaratat e miqve ndërkombëtarë se do të jenë mbështetës të fuqishëm të Republikës së Kosovës. Ashtu siç kishte shkruar gazeta “Bota sot”, disa herë me radhë, tashmë Gjykata Speciale nuk ka kthim. Tentimet, sikurse ato të së premtes janë të destinuara të dështojnë. Janari po vjen, për t`ua “çjerrë”, maskat atyre që për vite me radhë mbajtën peng Kosovën. Nuk janë larg as arrestimet. Të gjithë janë për mbrojtjen e vlerave sublime të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Por, askush nuk është për mbrojtjen e individëve që për interesa partiake e politike, kanë qenë të gatshëm të vrasin intelektualët më të mëdhenj që kishte Kosova.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat