Shqiptarët e boshnjakizuar e mbrojtën Sarajevën

Opinione

Shqiptarët e boshnjakizuar e mbrojtën Sarajevën

Gani  Mehmetaj Nga Gani Mehmetaj Më 9 janar 2018 Në ora: 08:35
Kur sanxhaku frymonte shqip-shqiptaret me veshje kombetare

Shqiptarët e boshnjakizuar nga Rozhaja, Tutini deri në Sanxhak e Peshter e mbrojtën trimërisht Sarajevën. Sarajevën e mbrojtën edhe oficerët shqiptarë të ish Armatës Jugosllave, të cilët lufta i gjeti në vendin e gabuar dhe në kohën e gabuar. Por nuk di grupe shqiptarësh të boshnjakizuar a të pacenuar nga ky ndikim sllav të kenë luftuar në mbrojtje të Dardanisë, kur krisi lufta. As shqiptarët e boshnjakizuar të Shkupit e të rrethinës, nënat e të cilëve kur erdhën nga Sanxhaku vetëm gjuhën shqipe e flisnin, nuk dolën në anën e shqiptarëve, por në anën e sllavëve të Maqedonisë. 
 
Kështu një pjesë e shqiptarëve të boshnjakizuar në vend të kthenin kokën nga Prishtina, u kthyen nga Sarajeva. Disa iu kthyen madje edhe Beogradit e Podgoricës. Është vështirë të gjejmë shembuj të shqiptarëve nga këto krahinë ta kenë ndihmuar luftën në Dardani, ndërsa ishin heronjtë e Sarajevës. Lufta e Sarajevës nuk ishte e tyre, kështu që shumica pastaj u kthyen në vendlindje të zhgënjyer, të tjerët jetojnë në Bosnjë të përbuzur, i trajtojnë mish i egër. "Shiptari" u thoshin me përbuzje pasi mbaroi lufta në Sarajevë, ashtu sikurse u thoshin dikur "shiptari" me përbuzje serbët e malazezët të gjithë shqiptarëve në ish-Jugosllavi.

Shqiptarët e boshnjakizuar janë fatkeq, sepse janë të pa identitet: në Sarajevë nuk i pranojnë për boshnjakë, në Dardani nuk i trajtojnë për shqiptarë, në Serbi e Mal të Zi i përdorin kundër shqiptarëve me ndjenja kombëtare. Këta fatkeq të shkombëtarizuar shpesh ngrihen kundër përdorimit të gjuhë shqipe, ndërsa para pesëdhjetë vjetësh flisnin shqip. Pjesën tjetër Beogradi e Podgorica i ndjekin si shqiptarë të dyshimtë me ndjenja të fjetura kombëtare, sepse e thonë serbët e malazezët fare lehtë mund të bëhen shqiptarë, mjafton vetëm  një xixë. Por ajo xixë shqiptarizmi kurrë nuk shkrepi nga Dardania as nga Shqipëria.

Prandaj, Serbia e Mali i Zi nxituan, që ta pengojnë zgjimin e ndjenjës kombëtare shqiptare, thirrën emisarët turq e arabë, ndihmuan në ndërtimin e qindra xhamive, hapën dhjetëra mejtepe, madje edhe kolegje islamike, krijuan shoqata turko-boshnjake e turko-serbe, mbinë qindra shoqata islamike, por nuk e lejuan asnjë shoqatë shqiptare. Shqipja është e ndaluar kudo. S'ka djalë nënë që guxon të transmetoj ndonjë këngë shqipe në Pazar të Ri, Tutin, Bello Polje etj., ndërsa këngët turke dëgjohen nga secili radiostacion. Shkollat shqipe janë mbyllur me t'u tërhequr ushtria shqiptare me 1944-45 nga këto krahina dhe më të rënë qeveria e Mustafa Krujës nga pushteti. Emri i Enest Koliqit që bëri punë kolosale në arsimimin dhe në rizgjimin e ndjenjave kombëtare nuk guxonte të përmendej, sepse i pushkatonin.   

Në luftën e Bosnjës grupet e para militante "sanxhakli" u rekrutuan nga muhaxhirët myslimanë sllavë, të ardhur para më shumë se njëqind vjetësh nga Bosnjë-Hercegovinën pasi Austro-Hungaria e aneksoi këtë krahinë. Këta muhaxhirë të ndihmuar atëbotë nga Turqia rrëmbyen me forcë pronat e tokat shqiptare, e bënë të njëjtën gjë sikurse e bënë kolonistët serbë në Dardani. Turqit i ndihmuan dhe i ndërsyen kundër kelmendasve vendës. Pastaj i ndihmuan pushtuesit serbë e malazezë, duke i ndërsyer prapë kundër shqiptarëve vendës. Shqiptarët nisën të shkriheshin me boshnjakë nga presioni serbë e malazezë, që të mos flisnin shqip, pastaj e "hëngrën" gjuhën edhe me martesat e përziera.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat