Mitrovicën e ndau SHIK-u me Kushnerin; Rugovën e ndan Ramushi

Opinione

Mitrovicën e ndau SHIK-u me Kushnerin; Rugovën e ndan Ramushi

Nga: Kimete Berisha Më: 20 shkurt 2018 Në ora: 23:11
Kimete Berisha

Të gjithë shkruajnë vjersha, e askush s'e mbyt veten.

Ka qenë e drejtë e Ramush Haradinajt ta shfrytëzojë majën e Çakorrit për t'u ngjitur shkallëve të ndërtesës së qeverisë së Kosovës. Pse mos me shfrytëzu kur mundesh!

Që ja kaq heq copë Çakorrit, ja ka heq, por fati i tij i mirë, të gjithë bashkëvuajtësit e tij janë pajtuar me vuajtjen që sjell ndarja nga Çakorri.

Dhe tani rugovasit janë në fazën e katërt të vuajtjes, faza kur dhimbja shndërrohet në poezi, e lotët shndërrohen në gurë.

Të përvuajturit kanë filluar të ndahen me vjersha të ndjera por të drejtpërdrejta nga Çakorri, dhe ndarja nuk është e lehtë, absolutisht jo, ndarje ma, si çdo ndarje, të plas zemra prej mërzie.

Veç kush e ka provu ndarjen, e kupton dhe e kujton Zotin, se njeriu njëmend më i fortë se guri i Çakorrit, dy zemra i kish, një për dashni, respektivisht ndarje, dhe një zemër që punon e pavarur nga ndikimet e jashtme.

Ama rugovasit po japin veç vjershave, edhe nasihat. Nuk po presin m'i lutë kush m'u pajtu me vazhdu jetën pa Çakorrin. Janë ofru vullnetarë.

Kush kish thënë. Askush prej katundarve nuk po ia bën si katundarët ktyneherë, gratë kur i kanë ndëshku me metoda speciale që nuk i njeh historia e popujve tjerë, veç tonës: grave që kanë dashtë me ua plas zemrën, m'i kopë e me la lesh n'to, as nuk i kanë lshu (që ato mos me mujt m'u martu e me pa ditë), e as nuk i kanë mbajtë. Pra, i kanë lënë pezull, në situatë të paqartë e të dhimbshme, në vendnumëro...mos provo Zot.

Katundarët sidomos s'kanë pranu m'u nda, pa dasht ata, pra, s'ke mujt t'i m'u nda prej katundarit kur ke dasht vet.

E tash, erdh dita, që katundarët e Rugovës me heq dorë (pa luftë) nga toka e tyre dhe plus m'i kushtu edhe vjersha kësaj 'dashnie të ndaluar', kësaj 'molle të ndaluar', pa
provu për asnjë moment me dhënë jetën ose me 'vra veten' për të.

Për dashuri ish dashtë me dhënë jetën, shkaku se dashuria është i vetmi kuptim
i jetës....edhe Liria.

Ne (nejse, Ata), e japim jetën për Liri (si ide estetike dhe magjike, diçka që s'e posedon askush), por kur specifikohet vendi apo qyteti, katundi apo mëhalla për të cilën lypset me dhënë jetën, e tërë pamja merr përmasa prozaike dhe pastaj ti nuk e jep jetën se e sheh që nuk ke për çka: 
Të del përpara bërllogu, pështyma nëpër xhade; tregu dhe era e djathit të Sjenicës, që e mbajnë shitësit tinarëve shpluar; shitësja e bukës që i heq puçrrat n'bukatore; mishi që pikon gjak në mishtoren e pagëzuar me emrin e 'Migjenit'; Lypësi i mëhallës që ka pare më shumë se ti; shtrigat që i marrin m'qafë njerëzit në sesionet e tyre Pranverë-Dimër; pra, s'sheh asgjë të bukur për të cilin ia vlen me dhënë jetën, dhe as nuk të kujtohet asnjë e mirë që të ka ndodh në atë vend.

Po e krahasoj Tokën me Gruan, për arsye se m'i prek shqiptarin në tokë ka qenë e rëndë s'i m'i prek në grua dhe anasjelltas.

Edhe Islam Llauka ish hallashtisë me Çakorrin, gjynah, i kish thënë 'Lamtumirë Çakorr, afti yt ka m'i nxan Ramushin, Hashimin (e këta 'kriminelat tjerë', shënimi im'). 
Frizurën brushë-brushë, Islami n'tesha kat', ish veshë mirë, vuajtje zotnishi, nëpër një vuajtje të madhe po kalojke Islami, por s'po kish tjetër çka me ba, përveç m'u pajtu me humbjen e Çakorrit.

Me dhënë jetën për Çakorrin, ec e jepe. Pse me jep jetën ti, e tjetër kush m'u kënaq. Kurrë Jo.

S'sheh kund kësi yrrneku. Po, çka me ba, Ramushit duhet me ja lshu udhën.

Pra, Ramushi ka të drejtë m'u rimendu për Çakorrin. Që i ka ndërru fjalët, nuk i ka humb burrnia, ai është i vrazhdtë dhe arrogant dhe këto karakteristika të tij ia kanë ngatërru për burrni.

Qysh ka pas thënë para disa muajve: 'Nuk ka forcë që e sjell kufirin nga Çakorri në Kuçishtë
(përveç meje).

Mitrovicën e ndau SHIK-u me Kushnerin; Rugovën e ndan Ramushi, Podujeva më së lehti ka me kapërcy.

P.S. Mezi s'po pres m'u plakë që m'u çartë shlirë qysh kam qejf. Se derisa i ke so ymyde n'jetë, nuk po mundesh m'i thënë bash-bash krejt...

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat