Premtimeve boshe, mashtruese dhe gënjeshtrave të turpit, shpejt ju bjer ngjyra

Opinione

Premtimeve boshe, mashtruese dhe gënjeshtrave të turpit, shpejt ju bjer ngjyra

Nga: Haki Latifi Më: 24 shkurt 2018 Në ora: 13:51
Haki Latifi

Dëshira për të qenë i besueshëm dhe i ndershëm pasqyron menjëherë pohimin se të gjithë janë të ndershëm dhe të besueshëm. 

Fjala kyçe dhe çelësi në Republikën e Kosovës dhe kudo tjetër është dhe duhet të jetë besimi, pasi që marrëdhëniet ndërnjerëzore bazohen tek besimi. Kjo nënkupton se, çdo njeri dëshiron t’i besojë njeriut që ka përballë, por edhe institucionit të shtetit ku ai jeton. 

Është shumë e rëndësishme dhe e domosdoshme që institucionet të kenë besimin e qytetarëve, bizneseve dhe investitorëve jo vetëm vendas, por edhe ata të huaj, të kenë besimin e fqinjëve, miqve dhe partnerëve ndërkombëtarë të cilët na ndihmuan të bëhemi shtet. 

Dihet se, besimi është parakusht për zhvillimin e qëndrueshëm dhe funksionimin e institucioneve të vendit. 

Shkelmim i besimit të qytetarëve nga politikanët mashtrues

Premtimet e politikanëve mashtrues gjatë fushatave elektorale në Kosovë, për fat të keq kanë qenë krejt jorealiste, prandaj edhe disa prej tyre, me të drejtë kanë marrë ndëshkimin e qytetarëve me votën e tyre. 

Mendoj se, qytetari duhet që përfundimisht të vetëdijesohet dhe t'i ndëshkon të gjithë këta politikanë mashtrues, të korruptuar e të tejshpenzuar me votën e tij në zgjedhjet që organizohen në vend.

Ta kesh si premtim diçka që nuk është në dorën tënde, është mashtrim që nuk mund të fshehet.

Mashtrimi nuk ka kufij, as kombësi, prandaj bashkëpunimi ndërmjet institucioneve është thelbësor në mënyrë që të mos lejohen kriminelët të integrohen në udhëheqjen e shtetit. 

Politikani mashtues nuk duhet të jetë më i fortë se institucionet, prandaj duhen shkëmbime efikase dhe në kohën e duhur edhe për raste të caktuara i takon inspektimeve dhe hetimeve ligjore. 

Rrjedhimisht politikani i cili mashtron të tjerët, jeton me frikën e mashtrimit nga ana e të tjerëve.

Një popull që nuk arrin t’i mësojë të këqijat që i kanë bërë udhëheqësit e tyre mashtrues, nën emrin e tyre, atëherë ai popull nuk do ta ndiejë kurrë përgjegjësinë e fajësisë, e rrjedhimisht, nuk do ta kuptojë asnjëherë që jeta e njerëzve të një grupi tjetër shoqëror është po aq e vlefshme sa edhe jeta e tyre. Politikani mashtrues i zgjedh shokët dhe miqtë e tij nga mjedisi, siq janë servilët dhe puthadorët të pa kurriz. 

Në çdo lloj mashtrimi, politikani mashtrues kërkon mbështetje nga njerëzit që e rrethojnë. Mbështetja vjen ose nga familja (ambienti familjar) ose nga rrethi shoqëror. Dhe, kjo për fat të keq ka ndodhë dhe është duke ndodhur në shoqërinë tonë nga politikanët mashtrues nga i gjithë spektri politik në Kosovë.

Para se të vijnë në pushtet të mbushin me gjithfarë premtimesh, edhe pse e dinë se janë thjesht gënjeshtra e mashtrime elektorale, duke përdorur „Vijat e kuqe“, ndërsa pas zgjedhjeve shndërrohen në vija të trasha të gjelbërta. Ose më mirë të themi, kur të marrin frerët e pushtetit, s'ka asgjë që i ndal në babëzinë e tyre kriminale për të zhvatur shtetin. Një pjesë dërmuese e tyre janë shkurt e shqip, për të zhvatur, vjedhur, mbushur xhepat e trastat dhe për të shkatërruar shtetin që me aq shumë mund të krijuar nga shumë breza. 

Mendoj se ndëshkimi i kësaj së keqe, në radhë të parë korrespondon me disiplinimin e partive politike e politikanëve dhe përkthehet në favor të trupit publik. Kurse, vota për ata të cilët që deri dje bashkëjetuan nën ombrellën e krimit, korrupsionit, degradimit institucional, zhvatjes, tjetërsimit të aseteve publike në favore të ngushta politike e farefisnore. Kjo thjesht, korrespondon me të keqën dhe amnistimin e kriminelëve, dhe përkthehet në vazhdimësinë e degradimit institucional dhe regresit social e ekonomik.

Kjo praktikë e kësaj „elite politike“ po e çon vendin dhe shoqërinë tonë drejt qorrsokakut dhe këtë e dinë fare mirë edhe autorët e mbështetësit e këtij degradimi e shkatërrimi të shtetit ligjor e demokratik.

Rrjedhimisht, sot kemi luftë bandash për të bërë një qeveri. Në fund mafiozët gjejnë gjuhën e përbashkët për ndarjen e pjesëve dhe llokumave, ky është realiteti. 

Banda e madhe kërcënon bandën më të vogël, me fjalë të tjera, kemi një klasë politike që nuk mendojnë gjë tjetër vetëm si t’ua hedhin votuesve. Natë e ditë këta mendojnë si të mashtrojnë. 

Vetë ideja e "fillimit të ri" që u proklamua gjatë fushatës zgjedhore ishte një utopi dhe banalitet, sepse fillimi nuk mund të jetë i vjetër, por i ri, prandaj aty kishte padije dhe nuk e di si mund të ketë fillim të ri me njerëz të vjetër. Kjo i bie se trinomi Veseli-Haradinaj-Limaj dhe tash së fundi Pacolli, të mbështur në prapavijë nga „gjarpri“të cilët e sunduan Kosovën prej përfundimit të luftës dhe tani tek janë rinuar dhe nuk do jetë më siç kanë qenë!?..

Për fat të keq nga këto dredhi dhe mashtrime, pësojnë më së rëndi, përveç njerëzve që me mund e djersë mbijetojnë në Kosovën e shkatërruar, janë sipërmarrësit e lirë dhe të ndershëm privat, që ia paguajnë të gjitha detyrimet shtetit deri në centin e fundit. Pasi që Politikanët mashtrues në Kosovë me të marr pushtetin janë të egër, mashtrues e gënjeshtarë, të pamëshirshëm dhe u shërbejnë vetëm mafio-oligarkëve të politikës e biznesit të pistë. Njëherit, kjo bashkëjetesë e politikanëve mashtrues dhe mafiozve ekonomiko-politikë është duke e ia zënë frymën shtetit, duke e degraduar dhe shkatërruar shtetin e brisht ligjor.

Fushatat elektorale në Kosovë janë një paradë premtimesh, shumica e të cilave lexohen sheshit që janë mashtrime të trasha. Dhe, a e dini pse ndodh kjo? Sepse këta njerëz nuk janë përballur asnjëherë me premtimet që kanë bërë. Ata na thonë çfarë tu teket, marrin votat dhe as që janë ulur ndonjëherë të bëjnë bilancin se çfarë realizuan nga ato që premtuan, pasi në fund të fundit shumë vota i morën pikërisht për këtë arsye, për të mashtruar. 

Këta janë keqbërësit që ja zëjnë frymën shtetit, e që duhet ndjekur nga ligji për dëmin që i bën shtetit dhe së ardhmes së qytetarëve.

Sot është një situatë, ku duhet luftuar më së shumti qytetarët e Republikës së Kosovës, në këtë Kosovë të lodhur nga gënjeshtrat dhe mashtrimet e politikanëve.

Në mos tjetër, shkaku kryesor i dështimeve tona gjatë historisë, ka qënë  paaftësia e jonë me kuptue dhe besuar për ti vënë në jetë projektet serioze e moderne të përgaditura nga bijtë e bijat më të shquar të kombit tonë. 

Shoqëria dhe vendi jonë duhet të mbështetet në vlera të besimit, që mundësojnë arritjen dhe kapjen e kohës së humbur dhe për ta dhënë zgjidhjen e duhur për vendin për të ecur krah për krah me popuj dhe vende me ekonomi të zhvilluar.

Për ndryshe është mëkat, mendjelehtësi, shkurtpamësi dhe tradhti ndaj interesave kombëtare, shtetnore, familjare dhe personale, tu besohej premtimeve boshe, mashtrimeve dhe gënjeshtrave të kësaj elite politike të mashtrimit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat