Paradokset e Ramush Haradinajt

Opinione

Paradokset e Ramush Haradinajt

Nga: Mimozë Lakna Më: 26 shkurt 2018 Në ora: 11:42
Mimozë Lakna

“Marrja”, ishte kryefjalë e fjalive të shumta të Kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj, drejtuar deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, të enjten kur nuk u arrit të votohej marrëveshja për Demarkacionin e kufirit me Malin Zi.

“A bon me ditë ku po ju dhemb. Qeveria e vendit të juaj e taksapaguesve tuaj ka formuar një komision. Ky komisioni nuk është as i Qeverisë e as babës Hilmi. Është i Kosovës, çka keni që po ju pengon, ku po ju dhemb o vëllezër e motra”, tha Haradinaj, në fjalimin e tij drejtuar deputetëve të LDK-së.

I pari i ekzekutivit nuk arriti të qëndrojë gjatë, prapa këtij fjalimi. Brenda natës, Ramush Haradinaj ndryshoi mendje. Pranoi që raporti i Komisionit, të cilin e kishte themeluar vet, në kuadër të ligjit të marrëveshjes për Demarkacionin të jetë vetëm si pikë orientuese.

Haradinaj, tha se këtë veprim e ndërmori në të mirë të qytetarëve të vendit. Por, a e kishte menduar Kryeministri dhe ish përfaqësuesi i opozitës, të mirën e qytetarëve kur gati për tre vite me radhë e mbajti të bllokuar këtë çështje, pa ofruar rrugë zgjidhje? Them se jo. Nëse Haradinaj dhe politikanë të tjerë do të vendosnin në rend të parë të mirën e qytetarëve, tashmë ata do të kishin të drejtën e lëvizjes së lirë nëpër Evropë sikurse edhe shtetasit e tjerë të Ballkanit.

Pranimi i pikës të cilën e kërkoi LDK-ja, nënkupton edhe kërkim-faljen në heshtje të Haradinajt ndaj ish Kryetarit të Komisionit për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi, z. Murat Meha. Të gjithë e mbajmë mend se si Kryeministri Haradinaj, në cilësinë e deputetit opozitarë ia kishte përplasur për fytyre hartat e Demarkacionit Murat Mehes. Pikërisht raporti i Murat Mehes, do të jetë vet ligji i marrëveshjes për Demarkacionin, derisa raporti i z. Shpejtim Bulliqit do të jetë vetëm orientues, pa fuqi ligjore.

Përballë këtij realiteti, Haradinaj do të duhej të jepte përgjegjësi para qytetarëve të Republikës së Kosovës. Në ditët më të vështira, qytetarët i ishin gjendur pran Ramush Haradinajt. Mjafton të kujtojmë proceset e tij gjyqësore në Hagë e deri te arrestimi dhe mbajtja në Francë. Të gjithë e kërkuan lirimin e tij. Ky ua ktheu me të keq. Për tre vite, mbajti peng fatin e tyre, duke u mbështetur në një kauzë, kundër së cilës doli, kur erdhi vet në postin e Kryeministrit.

Qytetarët nuk do t`ia falin Haradinajt e as të tjerëve kohën e harxhuar për “hiq gjë”. Koha e ka dëshmuar, se votuesi di të vlerësojë dhe të ndëshkojë me votë ata që veprojnë kundër vullnetit të tij. Momenti i votuesit do të vijë shumë shpejt.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat