20-vjet më parë: Në Prekaz nisi rruga drejt lirisë - Bota Sot
20-vjet më parë: Në Prekaz nisi rruga drejt lirisë

Opinione

E mërkurë, 20 qershor 2018

20-vjet më parë: Në Prekaz nisi rruga drejt lirisë

Nga: Azem Parllaku Më: 5 mars 2018 Në ora: 11:48
Azem Parllaku

E lindur në një terren të pushtuar, Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte ajo e cila, bëri protestën e madhe shqiptare për liri, duke e realizuar misionin për të cilin u krijua.  Nga një analizë e përgjithshme e veprimtarisë së saj, konstatohet se, ajo u organizua dhe veproi, duke patur parasysh traditën luftarake të popullit shqiptar, si dhe përvojën e pasur botërore të luftës partizane. Lëvizja ushtarake në Kosovë, në vetvete ishte krejtësisht e një rryme idealistësh. Një numër i madh i tyre, ishin radikalizuar, sidomos të rinjtë, deri në atë pikë sa ishin të gatshëm për një luftë të armatosur. Kur forcat serbe, në fundin e shkurtit 1998, vendosën të godasin UÇK-në me qëllim të shfarosjes së saj, posaçërisht në rajonin e Drenicës, tek opinionbërësit ishte krijuar besimi i plotë se do të ishte punë e lehtë të mundeshin ushtarakisht kundërshtarët e vetëm të Milosheviçit. Pas sulmit në Prekaz, në retrospektivë, është ende e vështirë të kuptohet plotësisht se si u bë e mundur për të mbledhur, organizuar dhe armatosur rreth 20 mijë luftëtarë të UÇK-së, në pranverë dhe verë të vitit 1998. Që nga fillimi i luftimeve deri aty nga korriku i vitit 1998 u zbatua më së miri, taktika partizane “godit e largohu” dhe “kap pozicione dhe mbaji ato”. Nëpërmjet kësaj taktike u mundësua kapërcimi i epërsisë së kundërshtarit, dhe u ruajtën forcat për operacionet në vijimësi. Shpallja e “territoreve  të lira” dhe bllokoi disa nga rrugëve kryesore, shtronte si detyrë parësore rritjen e përpjekjeve për forcimin e aftësive mbrojtëse të efektivave të saj në këto territoret e kontrolluara, si dhe një element shumë të rëndësishëm, atë të përmirësimit të nivelit të komandim-drejtimit, shpërndarjes së drejtë të forcave dhe mjeteve, mbylljes së drejtimeve më të kërcënuara, fortifikimit dhe aftësimit luftarak të grupeve dhe individëve.

Pikërisht në atë fazë Ushtria Çlirimtare e Kosovës pësoi një sërë ndryshimesh cilësore, dhe ajo pothuajse u shndërrua në një ushtri të rregullt, duke marrë jo vetëm nismat taktike, por dhe atë operative e strategjike. Ndërkohë që trupat ushtarake serbe nën presionin e Aleancës filluan të tërhiqen, taktika e luftës partizane u ndërthur dhe me atë frontale, si formë lufte e cila përshtatej rrethanave të krijuara. Përtej trajtave, parimeve dhe rregullave të doktrinës ushtarake, të cilat e provuan veten me vlerat që dhanë në luftime të ndryshme lufta e armatosur për clirimin e Kosovës e përqas UÇK-në dhe rolin e saj të padiskutueshëm dhe në rrafshe të tjera. Ushtria Çlirimtare e Kosovës, nxori shqiptarët nga letargjia dhe iluzioni se, Liria, nuk mund të fitohej ndryshe përveçse me luftë. Në këtë rilexim të të dikurshmes, me ose pa hir, është qartësuar mendimi se; Ushtria Çlirimtare e Kosovës, ka luajtur një rol tepër të rëndësishëm për zhvillimin kombëtar, atë rajonal, pse jo dhe global. Njëzet vjet më parë, ishte Ushtria Çlirimtare e Kosovës, ajo që bëri aktivizimin e gjithë shqiptarëve kudo ishin, në projektin vizional të çlirimit përfundimtar të Kosovës nga Serbia. Në projektin dhe aktivitetin e saj çlirimtar, ajo rrëzoi mitin sllav për pathyeshmërinë e ushtrisë serbe, ndërkohë nëpërmjet luftës që kreu, u thye dhe miti i kufijve shqiptarë. Lufta çlirimtare, ndikoi në rrëzimin e regjimit të Milosheviçit, duke çliruar përfundimisht popullin serb nga ky diktator.

Nëpërmjet kësaj lufte, u hoq maska diskriminuese për shqiptarët në Maqedoni, Preshevë, Medvegjë, Bujanovc, e në Malin e Zi. Kjo luftë, i dha një rol të madh e pozitiv Shqipërisë në zhvillimet demokratike rajonale e globale. Ka qenë kjo luftë, që çoi në test unitetin e NATO-s, dhe qëndrimet e Bashkimit Europian.Kjo luftë, shmangi dukshëm burokracinë e komplikuar të OKB-së, duke nxjerrë në pah rolin parësor të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si superfuqia e vetme dhe mbrojtëse e vlerave demokratike të njerëzimit.

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test