Presidenti i përbashkët - Bota Sot
Presidenti i përbashkët

Opinione

E hënë, 24 shtator 2018

Presidenti i përbashkët

Nga: Anton Marku Më: 6 mars 2018 Në ora: 22:32
Anton Marku

Ditë më parë Kosova festoi 10-të vjetorin e shpalljes së Pavarësisë. Në ceremoninë festive, mbajtur në kuvendin e saj, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, bëri thirrje për ‘‘President të Përbashkët’’. Deklarata e tij u shfrytëzua në mënyrë mjeshtrore nga armiqët e pavarësisë së shtetit tonë dhe forcoi argumentet e Serbisë se krijimi i shtetit të Kosovës ishte dhe është vetëm një urë kaluese drejt bashkimit kombëtar të shqiptarëve në një shtet të pastër etnik. Por, a ishte koha dhe vendi për një prononcim të tillë dhe a mund të evitohej ajo që mund të nënkuptohet si shfaqje e hapur e patrenalizimit dhe pretendimeve territoriale të një vendi fqinj ndaj një tjetri. Kjo për më tepër në hapësirat e Ballkanit, në kohën kur procesi i integrimeve në BE është shpallur, së paku zyrtarisht, si alternativë e vetme gjeopolitike sot dhe nesër.

Rama dhe kosovarët

Për shumë vite, derisa ishte udhëheqës i opozitës në Shqipëri, Edi Rama ka qenë një figurë jo mjaft e njohur dhe disi e margjinalizuar në opinionin kosovar. Forca politike me të cilën udhëhiqte ai jo rrallë nga kosovarët përceptohej se pasardhëse e partisë së punës, e cila vazhdonte të mbahej, me të drejtë, fajtore për prapambetjen dhe izolimin e Shqipërisë. Sidoqoftë, në saje të vendimeve avangardiste, e herë-herë dhe të guximshme, fillimisht si Ministër i Kulturës e më vone, në dy mandate, si kryetar i Tiranës, personaliteti i tij filloi të sjellë një ndryshim pozitiv edhe në mendimet që shqiptarët e Kosovës mund të kishin për të, për të kulmuar me deklaratën e tij të para tre viteve në Beograd, ku kërkoi njohjen e Kosovës nga Serbia. Në një mënyrë, ajo ditë, simbolikisht, vulosi emrin e tij tek kosovarët, të cilët, për dallim nga Nano, Berisha, Meta dhe kryeministrat tjerë shqiptarë, tek Rama filluan të shohin prototipin e një lideri të ardhshëm, racional dhe pragmatik, por edhe patriot dhe nacionalist.

Vite më pas, duket se Rama i dha liri vetes që të intepretoj, në mënyrë mbase të gabuar, simpatinë e fituar nga kjo pjesë e shqiptarëve të Ballkanit dhe përvetësoi rolin e një ‘‘babai’’ të gjithë shqiptarëve, duke tentuar të bëj politikë në dy kute: Në njerën anë të rrisë rolin e tij në rajon, duke u shfaqur si një nga ata burrështetas i cili mund të ndezë dhe qetësoj gjakrat e bashkëkombasve të tij, e në anën tjetër si politikan i dëgjueshëm i qendrave të mëdha të vendosjes, të cilat, herë pas here, dinte edhe t’i kritikonte për ngecjet për të cilat ato nuk ishin fajtore kryesore. Nuk janë të rralla as kërcënimet e tij se po nuk u hapën shpejt dyert e aderimit në BE, shqiptarët do të shqyrtojnë modalitete të tjera. Në këtë aspekt, pos zhurmës që shkaktoi, nuk u shënua ndonjë arritje tjetër.

Për të qëndruar në skenë edhe më, ai shfytëzoi rastin, mbase jo më të mirë të mundur, që kur sytë e tërë botës ishin drejtuar nga Prishtina, qytet ky ku për të përgëzuar institucionet dhe qytetarët e saj, kishin arritur delegacione nga shumë shtete mike, që, pasi uroi përvjetorin e dekadës së parë, hodhi idenë se pas një dekade Shqipëria dhe Kosova do të mund të udhëhiqeshin nga një President i përbashkët. Hutimi në ftyrat e diplomatëve të huaj, kryeqendrat e të cilëve kanë bërë aq shumë që të vij deri tek kjo ditë, ishte i dukshëm. Dëshpërimi po ashtu.

Kosova mes Shqipërisë dhe Serbisë

Dy shtete fqinje të Kosovës vazhdojnë të kenë pretendime terrioriale ndaj saj. Njëra është Serbia, e cila vazhdon të mos e njoh ekzistencën e saj, duke u bazuar në të drejtën historike, të kontestuar gjithandej (sundimi i dinastisë së Nemanjiqëve në shek 11-14 dhe ai serbo-jugosllav përgjatë pothuaj tërë shekullit të 20-të). Tjetra është Shqiperia, e cila bën pjesë ndër vendet e para që kanë njohur subjektivitetin dhe integritetin e Kosovës, e që të drejtën e saj e bazon në elementet faktike (autoktonia e banorëve të saj dhe përqindja e lartë, gati absolute, e shqiptarëve). Përderisa e para qëllim ka ndarjen e Kosovës në baza etnike, duke mbajtur veriun dhe pjesërisht enklavat serbe, e dyta ka si objektiv tërë territorin e saj, në dukje të parë pa komunat me shumcë serbe në veri.

Bashkimi

Shqiptarët para se të bashkojnë tokat e tyre, gjë e cila, sipas parashikimeve, duket e pashmangshme, duhet të bashkohen mendërisht.

Fakti se nga të gjitha vendet e rajonit Shqipëria dhe Kosova kanë shkëmbimin më të vogël tregtar mes vete, se burokracia administrative pengon hyrjen e patateve apo çimentos nga njëra anë në anën tjetër të kufirit, e  dhëna se Tirana u jep shtetësinë dhe lëshon pasaporta, madje dhe diplomatike, vetëm politikanëve të Kosovës, por jo dhe qytetarëve të thjeshtë të saj, nuk lë shumë hapësirë për të besuar se zyrtarët e të dy vendeve e kanë njëmend ideal një bashkim ashtu siç e dëshirojnë njerëzit mes të cilëve ende, së paku formalisht, qëndrojnë disa gurë që i ndajnë.

Kosova-kosovarëve

Nuk do të ketë fuqi e cila do ta largoj Shqipërinë nga kokat dhe zemrat e shqiptarëve të Kosovës. Ata do të vazhdojnë ta duan me gjithë shpirt shtetin i cili bart emrin e tyre. Ëndërra për të jetuar në një shtet të përbashkët nuk është shuar e as do të shuhet ndonjëherë.

Por, janë gabim ata që mendojnë se duke nënvlerësuar e nënçmuar shtetin e Kosovës, arritjen më të madhe politike të shqiptarëve pas pavarësise së Shqipërisë, do të përshpejtojnë proceset të cilat do të shpinin tek caku.

Ashtu si Shqipëria edhe Kosova është shtet i shqiptarëve. Por jo vetëm i tyre. Kosova është shtet i të gjithëve të cilët janë të lindur në të, e që atë e konsiderojnë jo vetëm si vendlindje por dhe si atdhe të tyre.

Në kohën kur Kosova ballafaqohet me sfida të shumta në rrafshin e përmbylljes së subjektivitetit ndërkombëtar, e kur Beogradi ka lancuar një fushatë të egër diplomatike, e cila do të rezultonte jo vetëm me ndaljen e njohjeve të reja, por dhe me shfuqizimin eventual të ndonjërës prej tyre, çka do të ishte precendet mjaft i rrezikshëm, thirrjet për ndryshim të formave të qeverisjes apo dhe të kufinjëve mund të sjellin kundërefekte.

Në këtë rrugëtim, i cili ndoshta do të jetë më i gjatë se sa është pritur fillimisht, Shqipëria mund të luaj një rol të rëndësishëm mbështetës për Kosovën, por më shumë nga pozita e një ‘‘vllau’’ të madh se sa të një ‘‘prindi’’.

Sido që të jetë, në Kosovë çdo ditë e më shumë po vërehen elemente të ndërtimit të një identiteti vetjak e të veçantë, sidomos në art (muzikë, kinematografi), sport e fusha të tjera.

Kosovarët duhet lënë që të qeverisin vet me shtetin e tyre. Bashkimi nuk do duhej të ndodhë me imponim nga kushdoqoftë, por nga vullneti i tyre i lirë që një ditë të heqin dorë nga shteti për hir të kombit, e jo nga interesi i politikanëve avanturierë, duke rrezikuar që të hyhet në ekuacione me shumë të panjohura.

Kosova nuk është më spektatore por aktore e fatit të saj. Sot ajo nuk është krahinë e Serbisë. As e Shqipërisë. Është shtet më vete. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test