Dinjitetit në sandviçin e turpit dhe tmerrit

Opinione

Dinjitetit në sandviçin e turpit dhe tmerrit

Nga: Lirim Gashi Më: 7 mars 2018 Në ora: 12:39
Lirim Gashi

Në mes mllefit dhe urrejtjes shpesh qëndrojnë nervat e shkatërruara nga dinjiteti i cenuar apo shpërfillur në të kaluarën që nuk e lejojnë urtinë të mbizotërojë.

Padrejtësitë e përjetuara thellë emocionalisht ia humbin shpesh individit besimin në vetveten dhe të tjerët dhe e bëjnë të paaftë për të krijuar mardhënieve të shëndetshme me shoqërinë apo kontakte sociale. 

Mungesa e kontakteve sociale e sjell me vete në njërën anë vetminë dhe izolimin e në anën tjetër ia humb kuptimin ekzistencës, ngaqë e zvogëlon  shpresën për një jetë të dinjitetshme. Mungesa e shpresës shkakton rezignim dhe depresione e këto të fundit shpesh rezultojnë me mllef dhe urrejtje.

Ky rreth vicioz i djallit shkakton shpesh paranojë ndërsa paranoja prodhon veprime të pakontrolluara apo iracionale të cilat mund të kenë epilog tragjik. 

Rrugëdalja e vetme nga rrethi vicioz i djallit është ndihma psikologjike në përpunimin e përjetimeve të papërpunuara në të kaluarën që do ta ndihmonin risocializimin e individit në të ardhmen.

Individit i nevojitet kohë e gjatë për ti përpunuar përjetimet traumatike, nëse nuk has në mirëkuptimin dhe mbështetjen e familjes dhe shoqërisë ngaqë kjo e fundit është parakusht për një terapi të suksesshme. 

Dashuria e pakushtëzuar e prindërve ndaj fëmijëve dhe anasjelltas është domosdoshmëri për një jetë të shëndetshme, mirëpo shpeshherë e pamjaftueshme për përgatitjen emocionale të fëmiut për një jetë të pavarur nëse nuk respektohen normat e mirësjelljes dhe respektit të ndërsjelltë, andaj toleranca ndaj lëndimeve të normave shoqërore duhet të jetë e limituar, përndryshe prodhon sjellje kaotike.

Mirëkuptimi dhe toleranca për shumëllojshmërinë e formave të jetesës dhe bindjeve që nuk e rrezikojnë sigurinë e përgjithshme është mënyra më e mirë e mundshme për parandalimin problemeve psikosociale.

Mirëpo funksionimi i tolerancës për shumëllojshmërinë e formave të jetesës dhe bindjeve që nuk e rrezikojnë sigurinë e përgjithshme mvaret nga niveli dhe shkalla e barazpeshës ekonomike, sociale arsimore, kulturore dhe edukative që gjithmonë është në përputhje me nivelin e vetëdijes në shoqëri. 

Shtrohet pyetja pse në shtetet që neve na shërbejnë si shembuj të mirëqenies ekonomike dhe sociale niveli i problemeve psikologjike dhe sociale është aq i lartë ?

Shthurja e strukturave tradicionale të jetesës dhe bashkëjetesës ka ndikuar në njërën anë në ngritjen e individualitetit të individëve dhe pamvarsimin e tyre ekonomik dhe social, mirëpo në anën tjetër edhe në tjetërsimin e tyre shpirtëror dhe emocional.

Niveli i zhvillimit ekonomik dhe social sado i lartë që është nuk mund t'i parandaloj problemet psikologjike dhe sociale nëse mungon barazpesha njëri-familje-shoqëri-natyrë, andaj përmbushja e nevojave emocionale, ekonomike, sociale dhe kulturore në përputhje me karakterin dhe natyren e individëve është parakusht për funksionimin e barazpeshës.

Populli i Kosovës po e kalon një fazë të vështirë të kurimit shpirtëror dhe emocional nga shkelja shumëdimensionale e dinjitetit si në të kaluarën ashtu edhe në të sotmen. 

Dinjiteti i tij shpërfilët njësoj si nga politika vendore ashtu edhe ajo ndërkombëtare.

Politika ndërkombëtare e shkel dinjitetin e tij në përpjestim të drejtë me politikën vendore.

Nëse mund të flitet për një barazpeshë negative dhe të harmonizuar perfekt ndërmjet të gjitha institucioneve dhe instancave vendore dhe ndërkombëtare atëherë kjo është përputhshmëria e nivelit të shkeljes së dinjitetit njerëzor të popullsisë së Kosovës ndërmjet faktorit politik vendor dhe atij ndërkombëtar edhe pse për shkaqe, qëllime dhe motive të ndryshme.

Përderisa faktori politik vendor po e shkel dinjitetin e popullit të  Kosovës përmes abuzimit me voten e tij, pronen publike, privatizimin dhe tenderimin si dhe me buxhetin dhe sovranitetin e shtetit, faktori ndërkombëtar në vend se ta ndëshkon pushtetin e Kosovës për qasjen e tij mafioze ndaj shtet-ndërtimit po e ndëshkon popullin e Kosovës me izolim.

Edhe pse faktori ndërkombëtar e kishte rolin vendimtar në konstruktimin dhe themelimin e shtetit të Kosovës ai nuk u angazhua sa duhet në konsolidimin e tij demokratik, politik, institucional, ekonomik dhe social.

Njëkohësisht nuk mund të mohohet fakti që faktori ndërkombëtar e kishte rolin vendimtar në mbrojtjen e dinjitetit të popullit të Kosovës në kohën kur po rrezikohej ekzistenca e tij biologjike nga fashizmi serb, gjë që e dëshmojnë bombat e NATO-s kundër caqeve ushtarake Serbe në Kosovë dhe Serbi të cilat e pamundësuan pjesërisht njëren prej katastrofave më të mëdha humanitare në Evropen e pasluftës së dytë botërore, mirëpo ai nuk ishte i interesuar sinqerisht që t'ia hap atij dyert e prosperitetit dhe vlerave demokratike perëndimore pasi që e la tërë kohën e pasluftës në mëshirën e pushtetit mafioz vendor duke i dhënë përparësi ruajtjes së paqës sipërfaqësore në rajon, por jo edhe zgjidhjes së problemeve jetike të popullit të Kosovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat