Pse duhet kjo përrallë me spiunë të Kremlinit?

Opinione

Pse duhet kjo përrallë me spiunë të Kremlinit?

Nga: Andi Bushati Më: 10 mars 2018 Në ora: 08:28
Andi Bushati

Lulzim Basha dhe Partia Demokratike janë vënë nën syrin e ciklonit që pas investigimit të revistës amerikane “Mother Jones” lidhur me origjinën e dyshimtë të plot 675 mijë eurove që ata kanë paguar për lobim në ShBA. Akuza rreth tyre po përqëndrohet në një pikë sa të dyshimtë po aq edhe piktoreske.

Kundërshtarët socialistë i kanë vënë në shënjestër se po bashkëpunojnë me forca jo dashamirëse ndaj ëndrrës perëndimore të Shqipërisë, se po financohen nga qarqe që duan t’i fryjnë dasive mes lindjes dhe perëndimit, se në fund të fundit po shndërrohen në vegla të një lufte të ftohtë, hijet e së cilës ringjallen herë pas here.

Në atë investigim ka gjëra që janë të bazuara në fakte dhe prova. Aty del qartë mënyra okulte e pagesave për lobuesit dhe tentativa për të fshehur origjinën e parave.

Në artikullin e gazetarëve Corn, Levintova dhe Friedman kuptohet se pas kompanisë ‘Biniatta Trade LTD’, që në 24 mars 2017 ka paguar këstin e parë prej 150 mijë dollarësh, fshihen dy qytetarë rusë Evgeny Sheremetyev dhe Kostantin Ferulev.

Po me aq sa dimë deri më tani, historia përfundon këtu.

Dhe nga ky fakt të arrish në konkluzionin se kemi një përzjerje të Kremlinit, një histori me Xhejms Bond, një tentativë për ndrajen e Shqipërisë mes interesave amerikane dhe atyre Ruse dhe një ndryshim të kursit drejt lindjes, përbën një kapërcim të madh logjik.

Pra, po ta shohim këtë skandal në dinamikën e tij, që kur në nëntor të vitit të kaluar u bënë publike faturat e pagesave të PD për lobing, dallohen lehtësisht dy linja të mëdha.

E para është ajo e një operacioni të paligjshëm financiar. Lulzim Basha dyshohet se ka shkelur ligjin shqiptar duke mos deklaruar pranë KQZ-së këto pagesa. Mbi të bie hija e dyshimit se ka fshehur origjinën e këtyre parave.

E dyta, e ngritur tani së fundi është ajo e një financimi të dyshimtë rus që mund të ketë konsekueca shumë më të gjëra politike.

Po t’i krahasojmë mes tyre dy pistat, për të parën provat dhe faktet janë më evidente. Askush nuk e di si i ka siguruar dhe si i ka paguar PD-ja ato para. Askush nuk e kupton pse nuk i ka deklaruar ato. Askush nuk mund të bindet me alibinë e Bashës për donacione të emigrantëve shqiptarë të pa emër dhe të pa adresë.

Ndërsa pista e dytë bazohet vetëm tek ekzistenca e dy emrave rusë që fshihen pas kompanive of shore.

Por që në fillim të kësaj jave, kur revista “Mother Jones”, ngriti në sipërfaqe pistën ruse, duket sikur propogandës qeveritare, mediave pranë tyre, madje edhe zëdhënësve nga selia e PS, po u pëlqen të privilegjojnë pistën e dytë.

Pasi bën këtë konstatim, natyrshëm lindin pyetjet?

Pse qeveria po i mëshon më shumë “skandalit rus”, kur për çështjen e parë ka në dispozicion më shumë prova dhe fakte?

Pse kur e di se Lulzim Basha e ka tejet të vështirë të justifikojë mosdeklarimin e atyre pagesave në KQZ dhe origjinën e atyre parave, ajo po këmbëngul te skenari me spiunë të Kremlinit?

Pse kur përballë ka ujkun, ajo bërtet të na tregojë gjurmët?

Të gjitha këto dilema konvergojnë në një përgjigje: Rilindja nuk është e interesuar të bëjë drejtësi, ajo thjeshtë ka gjetur një brumë të mirë për të ushqyer propogandën e saj.

Prandaj asaj nuk i intereson debati rrënjësor se si financohen partitë, se si mbërrijnë tek ato paratë e zeza, se si ato shkojnë jashtë dhe disbursojnë fatura marramendësë lobimi. Ajo po e anashkalon këtë temë ku PD dhe Lulzim Basha mund të gjenden vërtet me shpatulla për muri.

Dhe në kurriz të saj po i mëshon pistës tjetër. Asaj që i vlen për qëllimet propagandistike. Asaj që i shërben për të vërtetuar se të gjitha deklaratat që bëhen në perëndim kundër qeverisjes së sotme, se të gjitha artikujt e shtypit që flasim për krimin dhe drogën janë të gënjeshtër. Sepse pas tyre qëndrokërka dora e errët e Rusisë.

Mjafton të lexoje deklaratën e PS, e cila edhe nga stili edhe nga mendësia dukej tamam si e shkruar nga Rama (shiko videon poshtë), për të kuptuar se më shumë sesa depërtimi i njerëzve të Putinit në politikën shqiptare, meraku ishte tek fakti se me paratë e tij qenka financuar nxirja e imazhit të vendit.

Pra mesazhi është i qartë: Mos i besoni akuzave dhe kritikave për krimin dhe trafiqet sepse ato janë të paguara nga armiqtë tanë.

Dhe për të propoganduar këtë alibi i’a vlen edhe çmimi i mbylljes së njerit sy, për mëkatet reale të Lulzim Bashës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat