Ja pse shqiptarët kanë besim te institucionet euroatlantike dhe jo te politika dhe as te drejtësia vendore

Opinione

Ja pse shqiptarët kanë besim te institucionet euroatlantike dhe jo te politika dhe as te drejtësia vendore

Nga: Skënder S.Kapiti Më: 23 mars 2018 Në ora: 13:12
Skënder S.Kapiti

Pavarësisht se shqiptarët janë populli më proeuroatlantik në Botë,Shqipëria akoma nuk është antare e Bashkimit Europian, pra nuk është e integruar  në BE. Ky mosintegrim dhe kjo pengesë e vonesë  Shqipërisë dhe shqiptarëve u vjen vetëm për faje të politikës dhe të drejtësisë shqiptare, dhe prandaj dhe realisht edhe sondazhet ndërkombëtare të  këtyre ditëve të fundit  treguan se shumica dërrmuese e shqiptarëve në Shqipëri ashtu si dhe më herët ,pra ku   mbi 90% e tyre  nuk besojnë as te politika, as te pushteti  dhe as te drejtësia vendore  por besojnë te institicionet politike dhe juridike euro-atlantike te ato të BE-së por sidomos te SHBA-të dhe te presioni i tyre mbi institucionet shtetërore dhe të drejtësisë në Shqipëri.

Prandaj dhe kjo është arsyeja se përse shqiptarët janë populli më pro europian, pro amerikan dhe pro integrimit pasi janë tepër të zhgënjyer nga ato se çfarë u ofrohet dhe realizojnë në shtetet e tyre  politika, pushteti, keqqeverisja dhe padrejtesitë e drejtësisë.

Kjo do të thotë  pra, se: shqiptarët kërkojnë sigurinë jetësore, juridike, pronësore dhe atë ekonomike e politike të institucionet e SHBA dhe të BE-së.  Dhe po e njëjta gjë është edhe në Kosovë, ku dhe atje nuk ka besueshmëri as te politika dhe as te drejtësia kosovare, pasi pra, si politika ashtu edhe drejtesia kanë pronësuar pushtetin, shtetin dhe drejtësinë të cilat i përdorin si mjete  korrupsioni, krimi dhe pandëshkueshmërie për interesat e tyre personale  dhe si avantazhe për të abuzuar, përfituar dhe  për t’u pasuruar.

Pushteti dhe politika shqiptare e ka përdorur shtetin si instrument dhe si vegël për ta zhvatur, për t’i  grabitur  dhe për t’i vjedhur atij dhe shoqërisë shqiptare  autoritetin , imazhin, pasuritë dhe për ta diskriminuar individin: duke shkelur, trafikuar e tjetërsuar të drejtat dhe liritë e tij pronësore, jetësore,intelektuale dhe për ta degraduar personalitetin dhe dinjitetin e tij.

Politika dhe pushteti në Shqipëri i kanë dhënë shtetit shqiptar atributet dhe fizionominë e një shteti të instrumentalizuar dhe kriminal, gjë e cila ua ka bërë shqiptarëve jetën të padurueshme dhe të pasigurtë juridikisht dhe ekonomikisht duke i detyruar ata që të marrin arratinë dhe të kërkojnë azil nëpër botë.

Pushteti dhe politika shqiptare e këtij tranzicioni kanë bërë spekulime dhe abuzime  me investimet e tenderimet, kanw bwrw  fuqizime dhe shfuqizime dhe kanë  bërë e zhbërë ligje e vendimmarrje të paramenduara, të paracaktuara dhe të mirëllogarituara  ashtu siç ua ka dashur interesi dhe pwrfitimi i tyre  personal, klanor dhe ai oligarko-mafioz dhe jo për interesa të  popullit të cilin edhe atë vetëm sa e kanë mashtruar, dhe vetëm sa e kanë manipuluar për t’i rrëmbyer atij demokracinë,votën dhe pushtetin, autoritetin , taksat dhe pronat.

Politika dhe pushteti në Shqipëri dhe në Kosovë gjatë këtij tranzicioni  e kanë përdorur ligjbërjen , ligjzbatimin dhe drejtësinë në favor të grupit të tyre të ngushtë të interesit , kjo pasi: politika ,pushteti dhe qeverisja qëndrore dhe ajo vendore  janë sjellur  dhe kanë vepruar si grupe interesi duke shfrytëzuar, rjepur, grabitur e vjedhur  shtetin dhe shoqërinë  dhe jo si të përgjegjëm dhe si shërbëtorë të tyre që duhet të jenë.

Ato, pra politika dhe pushteti në Shqipëri por edhe në Kosovë gjatë  këtij tranzicioni  e kanë përdoruar shtetin dhe të drejtën shtetërore për të bërë vetëgjyqësinë si dhe avokatinë  për të mbrojtur krimin, korrupsionin, hajdutëritë dhe abuzimet e rënda të tyre, dhe prandaj shqiptarët nuk kanë aspak besim te politikanët dhe as te gjyqtarët e prokurorët vendor por te institucionet euroatlantike.

Nuk i kthehet autoriteti dhe dinjiteti as shtetit shqiptar dhe as drejtesisë shqiptare pa ua bërë gjyqin dhe pa ua bërë ndëshkimin politikës, politikanëve dhe gjyqtarëve të kriminalizuar dhe të korruptuar, pa ua bërë atyre hetimin e vendimmarrjeve kriminale dhe të korruptuara  të tyre, si pasojë e të cilave u kanë ardhur dëme të rënda pasurore dhe imazhi negativ  shtetit shqiptar si dhe dëme të pallogaritshme ekonomike, psikologjike, morale dhe shpirtërore qytetarëve shqiptarë.

Prej politikës së kriminalizuar dhe prej krimit të korrupsionit të saj si dhe të vendimmarrjeve kriminale dhe abuzive të gjyqtarëve shqiptarë kanë ardhur pasoja dhe konflikte të rënda ndërmjet qytetarëve deri dhe me humbje të mijra jetëve njerëzore, dhimbje të rënda këto që kanë ardhur si rezultat i krimit shtetëror abuziv të politikës dhe të pushtetit si dhe të vendimeve antiligjore dhe kriminale të dhëna nga drejtësia shqiptare të cilat i kanë çuar qytetarët shqiptarë në hasmëri dhe në  vetëgjyqësi.

Pothuajse të gjitha të ashtuquajtura “reforma” demokratike të bëra nga polilika e këtij tranzicioni në Shqipëri kanë prodhuar vetëm paqartësi, konfuzione dhe konflikte familare dhe ndërsociale, nuk kanë zgjidhur gjë por vetëm sa kanë krijuar dhe ndërlikuar probleme, sepse reformat kanë qenë pa perspektivë dhe kanë pasur si vision e qëllim për përfitim momental dhe të shpejtë në favor të politikës, për politikanët  dhe për pushtetarët.

E vetmja  Reformë e duhur në të mirë të shqiptarëve dhe të shtetit shqiptar është Reforma në Drejtësi ,pra VETTING-u i cili u miratua pas 27 vitesh që nga rënia e komunizmit, falë ndërhyrjes dhe presionit detyrues e imponues të SHBA-ve të cilat mposhtën rezistencën e fortë antiVETTING  të politikës  dhe të drejtësisë shqiptare të korruptuar dhe të kriminalizuar.

Kjo Reformë si reforma që i paraprin reformimit edhe të shoqërisë dhe të shtetit u inicua dhe u realizua me presionin demokratik por edhe diplomatik nga ana e aleatit dhe mikut të madh të shqiptarëve, të  SHBA -ve,mbi politikën shqiptare, pasi ato kishin konstatuar se politika dhe drejtësia në Shqipëri punonin e silleshin si antipublike, antikombëtare, kundër interesit të përgjithshëm dhe kundër integrimit;, si dhe për faktin kryesor  që  SHBA dhe BE kishin konstatuar  dhe arritur në përfundimin se në Shqipëri si politika, si drejtësia dhe shteti ishin kapur nga korrupsioni dhe krimi i organizuar dhe për pasojë shqiptarët nuk kishin aspak shpresë dhe as besim te politika dhe te drejtësia dhe rrjedhimisht as te shtetit i kapur dhe i privatizuar prej tyre.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat