Pse autokraci, kur Amerika na e solli demokracinë?

Opinione

Pse autokraci, kur Amerika na e solli demokracinë?

Nga: Prof. Dr. Mehdi Hyseni Më: 24 mars 2018 Në ora: 18:05
Prof. Dr. Mehdi Hyseni

-Instrumentalizimi i Kuvendit të Kosovës dhe ushtrimi i trysnisë, i frikës, i kërcënimit, i sharjes, i baltosjes, i dhunës, i diktatit, si dhe  burgosja dhe “përpunimi”  i deputetëve për të votuar vendime të gabuara antiligjore, antikushtetuese, antikombëtare dhe antishtetërore  në dëm të interesit të përgjithshëm të popullit dhe të shtetit të Kosovës, është forma më brutale  e shkeljes së parimeve dhe të normave të demokracisë. Kjo, praktikisht është AUTOKRACI, që do të thotë mohim i tërësishëm i sistemit qeverisës demokratik dhe parlamentar.
 
Një straegji  e tillë e imponimit, e kanosjes, e arrestimit, e burgosjes, e dënimit, e sharjes, e hospitalizimit, e diskreditimit dhe e frikësimit të deputetëve (të padëgjueshëm, të cilët mendojnë dhe votojnë me kokën e vet në frymën demokratike, ligjore dhe kushtetuese)  me sanksione të ndyrshme ndëshkuese  antiligjore, antikushtetuese dhe antidemokratike (sikurse po ndodh në Kuvendin e Kosovës) nuk ishte karakteristike as për kuvendet   e shteteve komuniste të kampit socialist të Evropës Lindore dhe Juglindore (1945-1990).
 
Pse  iu mbyll goja dhe u shpërfill SOVRANI, kështu e thotë DEMOKRACIA E SOTME  EVRO-PERËNDIMORE?!
 
-JO, përkundrazi, kurrë, kështu nuk thotë as sistemi demokratik i Amerikës e as sitemi demokratik i Evropës Perëndimore, por vetëm sistemi  i kastës sunduese  politike autokratike, absolutiste, antidemokratike, antikombëtare, antishtetërore, antievropiane dhe antiamerikane, që  në tërësi ka zhveshur POPULLIN-SOVRANIN nga të gjitha të drejtat dhe liritë e tij.
 
Këtë fatkeqësi të humbjes së kontaktit me POPULLIN-SOVRANIN, e demonstroi edhe  Seanca e fundit e Kuvendit të Kosovës së datës 21 mars 2018, kur  deputetët e “përpunuar” dhe të shantazhuar “me 80 vota pro”, u detyruan të votonin “Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi”, në bazë Deklaratës së përbashkët, të nënshkruar nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanoviq, bërë në Podgoricë, më 16 shkurt 2018.
 
Falja e territoreve shqiptare shteteve kolonialiste sllave ballkanike,  nuk është as politikë, as drejtësi, as  demokraci, as civilizim, as patriotizëm e as evropianizëm, por kapitullim dhe dështim para popullit, para Evropës dhe para gjithë botës demokratike.
 
-Po çfarë strategjie politike, diplomatike, ligjore, kombëtare  dhe demokratike shtetërore na qenka ajo, që  duke u falur territoret e Kosovës shteteve fqinje kolonizuese sllave ballkanike, atëherë po i plotsuekemi kushtet për liberlaizimin e vizave dhe, domethënë  po e  merituekemi të bëhemi partner të  Evropës Perëndimore?! 

-Pse ky standard  sui generis vetëm për Kosovën (viktimë e gjenocidit serb, 1989-1999)?
-Pse BE-ja  paraprakisht, para se, Serbisë, t’i njihej e drejta e liberalizimit të vizave (2009) nuk kërkoi që Beogradi, të tërheqte vijën e demarkacionit me Kosovën, por  e la brenda kufijve administrativë të ish-Juosllavisë së Titos,  ashtu siç thuhet edhe në Rezolutën 1244 (10.06.1999) të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara?
- Që të jesh partner dhe aleat me ndokën, kjo nuk nënkupton, të jesh vasal, i varur, i nënshtruar, i kontrolluar dhe i dëmtuar, por i barabartë në detyrime, në përgjegjësi dhe në marrjen e vendimeve me interes të ndërsjellë të përbashkët qoftë politik, diplomatik, ekonomik, tregtar, ushtarak etj.
 
 
Prandaj, politika autokratike  e Kosovës dhe kasta e saj sunduese nuk mund të bëhen partnerë me kredibilitet e as aleatë të besueshëm afatgjatë me Evropën Perëndimore, duke u falur 2500 hektarë tokë FYROM-it dhe 8200 hektarë të tjerë Malit të Zi, pa e pyetur dhe, pa e marrë pëlqimin e popullit-SOVRANIT përmes REFERENDUMIT, kjo nuk është DEMOKRACI, por AUTOKRACI, ABSOLUTIZËM dhe TOTALITARIZËM.
 
Nëse shqiptarët e Kosovës, edhe më tej, do të kushtëzohen, që të falin territorin e tyre, për hir të parneritetit me Evropën Perëndimore, atëherë, edhe Serbia së shpejti, do të gjejë gjuhë të përbashkët dhe, do të bëhet partner me Kosovën, pasi që sunduesit e saj t’ia falin territorin verior të Kosovës, duke përfshirë edhe gjysmën e qytetit verior të Mitrovicës, ku ndodhet e shkritorja e minierës  “Trepça”.
 
Pra, nuk ka dyshim se, duke falur pasurinë e patundshme (territorin) dhe atë patundshme, secili shtet, është i gatshëm të bëjë partner dhe aleat. Kështu, edhe FYROM-i e njohu Kosovën, pasi që  sundimtarët e saj ia falën 2500 hektarë territor. Kështu ndodhi edhe Malin e Zi, i cili pas njohjes së Kosovës, fitoi edhe 8200 hektarë territor të saj, të dhuruar nga qeveria dhe nga Kuvendi i Kosovës, më 21 mars 22018.
 
-Me fjalë, me premtime boshe, me  papunësi (mbi 41%), me varfëri (mbi 41%) me korrupsion, me  eksod sistematik, me krim të organizuar, me dhunë, me shfrytëzim, me plaçkë dhe, duke ia mbyllur gojën POPULLIT-SOVRANIT, duke mos e pyetur për asgjë, që ka të bëjë me çështjet  më jetike të ekzistencës, të mirëqenies, të lirisë, të drejtësisë, të barazisë dhe të fatit të tij të ndër lidhur ngusht me interesat vitale të shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës, nuk quhet DEMOKRACI, por AUTOKRACI E EGËR.
 
***Mjerisht, praktika e derisotme (2000-2018) dëshmoi se  në Kosovë sistemi demokratik dhe shteti i së drejtës u “jetësua” vetëm në letër, jo  assesi në praktikë ngaqë autokratët humbën  lidhjen me POPULLIN-SOVRANIN, në dëm të SOVRANIT, të demokracisë, të pluralizmit dhe të drejtësisë.
Pra, autokratët janë pengesa kryesore, që kanë ngulfatur procesin e demokratizimit për shkak të interesave të tyre nepotiste, despotike, burokratike, korrupcioniste dhe partiake politike për të mos ikur kurrë nga sundimi dhe pushtet.
 
Pse për asnjë çështje politike qeverisëse , kombëtare, humane, ekzistenciale dhe të mirëqenies, autokratët e vetëquajtur demokratë, qe 20 vjet nuk e dëgjojnë, nuk e pyesin dhe nuk  kërkojnë mendimin dhe pëlqimin e POPULLIT-SOVRANIT për zidhjen e asnjë problemi në shoqërinë shqiptare (2000-2018).
 
-Që nga mbajtja e Referndumit gjithëpopullor  për formimin e Republikës së Kosovës (26-31 shtator 1991)   nën rrethimin e herkut të shtetit policor dhe militarist të Serbisë pushtuese të Slobodan Millosheviqit (1989-1999) e deri më 2018, POPULLI SHQIPTAR I KOSOVËS, asnjëherë nuk është konsultuar për asnjë vendim politik të aprovuar nga institucionet legale të Kosovës (qeveria dhe parlamente). Këtë e dëshmoi së fundi, edhe ratifikimi i Marrëveshjes së Hashim Thaçit për Demarkacionin e Kosovës me Malin e Zi (21 mars 2018).
Sesa e egër dhe centralizuese është autokracia e Kosovës  ndaj  shkeljes së ligjit, të demokracisë  dhe shpërfilljes së POPULLIT-SOVRANIT, provojnë edhe këto fakte historiko-politike të pakundërshtueshme:
1)            Pezullimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës (Kushtetuta e Kaçanikut, 7 shtator 1990) nga administrata e UNMIK-ut;
2)            Pezullimi i Referendumit gjithëpopullor për Republikën e Kosovës (26-31 shtator 1991);
3)            Pezullimi i Flamurit Kombëtar Shqiptar nga zyrat e administratës  nën UNMIK-un;
4)            Transformimi i UÇK-së në “forca pastruese” të Kosovës;
5)            Zhbërja e Qeverisë së Përkohshme, të dalë nga lufta e UÇK-së;
6)            Miratimi i Planit të Ahtisarit (2008);
7)            Miratimi i Deklaratës së shpalljes së pavarësisë Kosovës (17 shkurt 2008);
8)            Miratimi i Planit 6-Pikësh të Beogradit sipas Rezolutës 1244 të KS-së së Kombeve   të Bashkuara (10.06.1999);
9)            Pranimi  për fillimin e Dialogut të Brukselit (2011-2018);
10)     Ratifikimi i Ligjit  për Demarkacionin e Kosovës me Malin e Zi (21 mars 2018).

Të gjitha këto raste devijuese, antiligjore, antikushtetese dhe antidemokratike  dëshmojnë se POPULLIT-SOVRANIT , autokratët ia kanë mbyllur gojën dhe e kanë anashkaluar, me qëllim që të demonmstrojnë fuqinë e tyre antiligjore dhe antidemokratike se  janë mbi ligjin, mbi kushtetutën, mbi popullin-sovranin dhe mbi shtetin.
Këtë negativizëm të sundimit  autokratik-despotik të pakufizuar të pushtetarëve shqiptarë në Kosovë e  dëshmon “përjashtimin” e popullit nga marrja e çdo vendimi politik, juridik dhe kushtetues në emrin e tij (2000-2018), në emër të Kosovës, në emër të demokracisë, në emër të ligjit, të kushtetutës, të lirisë dhe të paqes.
 
-Eliminimi i UÇK-së nga skena politike dhe ushtarake e Kosovës, direkt dhe indirekt ishte dhe, është mohimi dhe konstestimi i karakterit të luftës çlirimtare kombëtare të saj. Këtë  e vërtetoi edhe periudha 18-vjeçare e politikës autokratike (2000-2018), e cila  për shkak të luftës për pushtet të despotëve të saj, Kosovën e la pa ushtri të rregullt të saj. Si rrjedhim, për shkak të këtij gabimi fatal të politikës  despotike të “princërve” korrupcionistë të pangopshëm për pushtet, për pasuri dhe për "aureolë”, Kosova ende nuk është shtet  i përfunduar, sepse nuk ka as ushtrinë  e vet, as sovranitetin e plotë territorial e as shtetëror, si dhe, ende nuk është njohur nga Organizata e Kombeve të Bashkuara.
Sesa kjo politikë është e gabuar dhe fatale, është  anti-UÇK dhe antipopullore, tash e dëshmon edhe përzierja e Beogradit në çështje e brendshme të Kosovës, duke kundërshtuar fuqishëm formimin e Forcave të Armatosura të Kosovës (FAK) dhe njohjen e pavarësisë së Kosovës.
 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat