Përse nuk na njeh Izraeli?

Opinione

Përse nuk na njeh Izraeli?

Nga: Sylejman Salihu Më: 14 maj 2018 Në ora: 19:50
Sylejman Salihu

Sot Izraeli festoi ditën e pavarësisë, më saktë 70 vjetorin e saj. Sa shumë jemi solidarizuar me Izraelin për kaq dekada. I kemi dashur, i kemi mbrojtur dhe çka kemi mundur kemi bërë që ta t’ i shpëtojnë shfarrosjes. Ne jemi të rinj dhe nuk e dimë por kështu na thotë historia. Këtë e kanë bërë kudo shqiptarët. Se shqiptarët ishin të prirur nga besa, e cila mbeti e shenjtë dhe për këtë edhe duhej ta dëshmonin në praktikë. Besa e ka kërkuar këtë dhe shqiptarët këtë kod të moçëm e kanë respektuar dhe e kanë mbrojtur aq sa kanë mundur ta mbrojnë këtë popull apo të paktën të solidarizohemi me ta. Ata kanë vuajtur shumë, kanë hequr shumë dhe neve na janë dhembsur shumë.

Ndaj u kemi ndihmuar duke rrezikuar edhe jetët tona, sepse nuk ishte edhe aq e lehtë për ta bërë këtë. Por tani lind pyetja: derisa kaq shumë jemi solidarizuar me fatin e tyre, përse ata kur sot janë një shtet shumë i fortë ekonomikisht dhe politikisht, nuk na gjenden pranë dhe më konkretisht, nuk na njohin si shtet? Vërtetë është e çuditshme, por është e vërtetë. Ç’ presin ata? Edhe sa do të duhet të presin?

Çka duhet të bëjmë ne që ata të na duan më shumë dhe politikisht të na njohin? Ata do të duhej t’ i gëzoheshin shpëtimit tonë nga fallanga serbe dhe për këtë arsye ata duhej edhe të na njihnin si shtet dhe kështu të tregonin solidarizimin e tyre edhe politik me ne, sepse ne e kemi bërë edhe atëherë kur nuk kemi mundur të vendosnim shumë për fatin e tyre në kohë të shkuara për shkak të rrethanave dhe ideologjive politike. Ne ua njohim dhe ua mbrojmë varret, ne ua njohim dhe ua duam kulturën e lashtë, ne ua njohim dhe ua ruajmë sinagogat apo do t’ua rindërtojmë ato, në rast se ato i ka shkatërruar sistemi i dikurshëm komunist.

Ku qëndron defekti që Izraeli nuk ka vullnet për të na njohur, sado nuk flet ndonjë fjalë të keqe për ne, siç e bënë shteti i Palestinës hapur dhe për këtë ka kaluar hapur në anën e Sërbisë? Cilat janë pengesat dhe ndalesat për këtë? Këtë sigurisht duhet ta dinë më së miri politikanët tanë, të cilët përveç jetës luksoze që bëjnë, duhet të ecin pak dhe të bëjnë miq të fortë, nëse e duan vërtetë shtetësinë dhe pavarësinë e Kosovës, sepse janë politikanët ata që më së shumti përfituan nga Kosova dhe pavarësia e saj. Kush e ka pasurinë e tyre, kush i ka pozitat e tyre, kush i ka kushtet e tyre?

Ndaj politikanë lëvizni dhe punoni për Kosovën, sepse populli i shkretë po e bën aq sa po mundet, madje dhe na duket ndonjëherë se po i bëjmë paksa tepër lajka këtyre, që ai shtet, miku më i mirë i mikut tonë më të mirë, Amerikës, të na njohë dhe të na e zgjatë dorën. A nuk e dëshmon këtë shoqata e hebreiteve të Kosovës, e cila mban manifestime të ndryshme fetare, kulturore dhe politike, që lidhen me këtë popull. Edhe fëmijët e shkollave po këndojnë këngë hebreite dhe sikur duan të thonë se njihnani dhe na duani edhe ju siç po jua duam ne juve? Sepse njohja nga Izraeli, do të thotë shumë për ne. Përse? Se ata sot kanë politikat botërore në duar me lobet e tyre të forta, me intelegjencën e tyre dhe me kapitalin e tyre. 

Izraelin e urojmë në 70 vjetorin e pavarësisë së tij, por urojmë që ky të na njohë edhe neve, sepse ata e dinë më së miri se çka do të thotë 2000 vjet të mos jesh shtet dhe 2000 vjet të punosh për ta bërë shtetin. Por nëse shteti i Izraelit do të thoshte se shqiptarët duhet të punojnë më shumë për shtetin e tyre, atëherë jam dakord me ta plotësisht, se politikanët tanë mjerisht më shumë punojnë për vete e më pak apo gati aspak për shtetin, të cilit i kanë hipur në qafë dhe po e ngulfatin përditë e më shumë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat