Udhëheqësit e Kosovës duhet të jenë në ofensivë përballë kërkesave ekspansioniste të qeverisë së Serbisë

Opinione

Udhëheqësit e Kosovës duhet të jenë në ofensivë përballë kërkesave ekspansioniste të qeverisë së Serbisë

Nga: Abdulla Mehmeti Më: 25 korrik 2018 Në ora: 15:15
Abdulla Mehmeti

Shteti i sotëm i pavarur i Kosovës përfshin territorin e pranuar ndërkombëtarisht, si njësi e dikurshme konstituive e ish Federatës së Jugosllavisë, jo territoret etnike të Shtetit të Kosovës, pjesë të së cilit ende ndodhen nën Republikën e Serbisë.

Sipas kushteve që parashtron pala serbe në bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, përvesh shkeljeve të rënda të kushtetutës, cënimit të sovranitetit dhe integritetit territorial të shtetit të Kosovës, synohet përfundimisht shpërbëja nga brenda e shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës.

Pushteti aktual i Serbisë, i cili për asgjë nuk i ka ndryshuar qëndrimet ndaj Kosovës dhe shqiptarëve nga regjimi i mëparshëm i kriminelit Millosheviq, nuk do të mjaftohej edhe sikur Republika e Kosovës të njihej nga faktori ndërkombëtar si shtet i Kosovës në federatë me Serbinë, siç ishte dikur Mali i Zi!

Edhe kështu siç është, Republika e Kosovës me mbi 90% të popullsisë shqiptare, e kufizuar në të gjitha anët me territore, krahina, qytete dhe vendbanime me shumicë të popullsisë shqiptare, realisht duhet të njihet nga Kombet e Bashkuara me fusnotë, të përcjellë me akt shpjegues nga OKB, se bëhet fjalë për Republikën e Kosovës njësi e dikurshme e ish Federatës së Jugosllavisë, e cila e ka deklaruar Pavarësinë e saj më 1990-1991, ndërsa është çliruar me luftë kundër okupatorit serb më 1999, me përkrahjen e faktorit ndërkombëtar, SHBA, BE dhe NATO, pas shpërbërjes së ish Federatës së Jugosllavisë, ndërsa e ka shpallur Pavarësinë e saj në vitin 2008; dhe se, nuk bëhet fjalë për Kosovën shtet etnik i pavarur, një pjesë e madhe nga territori i së cilës edhe më tej ndodhet nën Republikën e Serbisë, në territorin aktual të së cilës aktualisht ka më tepër shqiptarë të cilëve u mohohen të drejtat kombëtare, se sa ka serbë në Kosovë me të drejta të garantuara sipas standardeve më të larta ndërkombëtare.

Me këtë rast, jo se nuk e dinë, por udhëheqësit e Kosovës duhet t'ua ripërkujtojnë përfaqësuesve të shteteve anëtare të OKB-së të gjitha rastet veçmas, si: pastrimin etnik të krahinës së Toplicës me qendër në Nish nga viti 1878; shkëputjen nga territori i Kosovës dhe aneksimin e Luginës së Preshevës disa vite pas krijimit të ish Federatës së Jugosllavisë; pushtimin me dhunë e terror të krahinës së Sanxhakut, krahina e dikurshme ilire-dardane e Rrasës, e aneksuar nga Mbretëria Jugosllave e dikurshme, trashëgimtare e së cilës ka qenë ish Federata e Jugosllavisë dje, dhe është Republika e Serbisë sot.

Kështu mund të respektohen në tërësi parimet e së drejtës ndërkombëtare, e jo duke i mundësuar një shteti agresor si Serbia, e cila mbi një shekull ka kryer gjenocid dhe krime monstruoze ndaj popullit të pambrojtur shqiptar të Kosovës, që edhe më tej të parashtrojë kushte dhe të shpreh pretendime territoriale ndaj shtetit të pavarur të Kosovës në bisedimet që zhvillohen aktualisht mes Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësim nga faktorit ndërkombëtar. Armiku, ta gjen ditën dhe ta nxjerr dritën, thotë populli, por ditën më të ZEZË Kosovës ia kanë sjellë vetë udhëheqësit e saj, të cilët për pushtet, pasuri dhe interesa personale e kanë harruar që moti peshën e gjakut, amanetin e dëshmorëve, çmimin e lirisë, shtetin e Kosovës dhe Zotin!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat