Lufta, nesër! - Bota Sot
Lufta, nesër!

Opinione

E martë, 21 gusht 2018

Lufta, nesër!

Nga: Kimete Berisha Më: 3 gusht 2018 Në ora: 16:47
Kimete Berisha

Nuk ka kush e destabilizon situatën. Mos ta nin. Veç vazhdo ti rrezitu, kënaqu, e 'zhivat.

Shqiptarët nuk luftojnë, as nuk do të luftojnë edhe 50-të vitet e ardhshme.

Duhet me kalu shumë -shumë kohë derisa gjeneratat e ardhshme (që gjithnjë e më shumë po bëhen më egoiste) të jenë të gatshme ta japin një qime floku për këtë vend.

Nuk lufton më njeri. 
Për çka me luftu?
Për kë?
Për lirinë e kujt me luftu?

Nuk luftojnë më e as s'mundohet kush për s'gjalli, sepse e pamë që nuk ia vlen ta japësh jetën e ta shkatërrosh veten për lirinë që pas luftës ra në duart e përgjakura të kriminelëve më të tërbuar shqiptarë, në duar të grabitçarëve, të hajnave, të prostitutave e të kurvarëve, të vrasësve e të tregtarëve të drejtësisë e të pavarësisë, te qyka e bashkëpunëtorëve të Serbisë.

Kush është ai budalla që për vete bukë s'ka me hëngër e del sot e jep jetën në veri për fëmijët milionerë të udhëheqësve të Kosovës që ladrojnë e llaskucojnë kurrë pa pushu nëpër detëra e male të botës, sepse baballarët e tyre s'kanë lënë gjë pa vjedhur e pa shkatërruar në këtë vend.

Po s'ka mbetur institucion që nuk udhëhiqet nga kategoria më e ulët e më analfabete e shoqërisë.

A u mbet gjë pa u vjedh në këtë vend? 
Shfrytëzo veturat e shtetit për me bart dru, me bart bullaqina, dashnore, me bart krime poshtë e nalt, vjedh shqiptartë edhe kimika, fletore, letra të bardha të shtetit...

Gjithë këtë fukarallëk mendor që e kishin pas shqiptartë.

Parregullësi e mjerim kah të këqyrsh. 
Shpend 'gullashi' i lejon lypsarët me t'u gju n'haubë të kerrit me t'i fshi xhamat, me dhunë t'i flliqin xhamat me ujë shurre, sa herë ndalesh në semafora, mall e ke me ndi veten njeri, e s'të mbron kush, s'ka ligj as s'merret kush me kurgjë...;

Papastërti, miza, flliqni...qentë të shtrirë të molisur qosh më qosh kryeqytetit.

Vjedh bankat, vjedh kusurin vetëshërbimet, kaos, kriminalitet, çmenduri në krye me më të çmendurin e qeverisë.

Bota e kanë parë që shqiptarët e kanë bë bërllog shtetin e vet, era vjen qofte e somborka
nëpër korridoret e institucioneve, veç tuj rrasë shqipja e tuj bë intriga, shtet intrigatësh e hajnash.

Krejt rrugët me mbeturina, hahen farat e lulediellit n'xhade, gjuhet ushqimi n'rrugë, e kur duan të duken evropianë, dalin 'katunaria' Hashimi e Samia e pinë raki.

Me pi raki nuk është marifet, bile është mungesë kulture shëndetësore, sepse veç rakinë mëlçia nuk e përpunon, rakia pihet tinëz tek e fundit, është kiç dhe e tregon nivelin e ultë të vetëdijes.

E sot. Sot ka mbet Ilir Deda me vajtu Kosovën.

Në veri ka veç varre të shqiptarëve. Qeveria e Serbisë u kujdes m'i
ble banesat dhe shtëpitë e shqiptarëve në veri.

LDK si bubrrecat që 9 ditë jetojnë pa krye, kishe s'pranojnë ndarjen e Kosovës të cilën e kanë nënshkruar vet.

Kot paraqiten francezë LDK, Asociacioni i komunave serbe që ata e kanë pranuar është autonomia e serbëve.

Hashim Thaçi po shpurdh me Preshevën për me 'nxjerr' diçka, në kohën kur po ndahet juridikisht Kosova në Mitrovicë (sepse de fakto është e ndarë që nga 1999-ta). 
Për ironi valët e radio Mitrovicës i dëgjova pardje në Kukës, anipse ato valë kurrë nuk kanë mbërri në Prishtinë.

Po së paku Hashim Thaçi po guxon me përmend Preshevën kishe me tregu se ne nuk jemi aq të ligë sepse me dasht guxojmë edhe me lyp pak Preshevë, e cila as vet s'do m'u nda nga pjesa tjetër e Preshevës.

Ama që vjen dita dhe vet shqiptarët ashiqare janë për autonominë e serbëve të veriut dhe kundër bashkimit të Luginës së Preshevës me Kosovën, është e tmerrshme.

Opozita ish dasht me ditë aq punë, mos m'i hëngër forat e Thaçit, sepse Serbia s'ka asnjë zor të ta jap ty Luginën e Preshevës mbasi që ti me qejf po ja jep veriun. Kush është kah e detyron Serbinë me ta jap Preshevën!

Në lojën e Hashim Thaçit ranë si mizat do gazetarë 
të Shqipërisë e të Kosovës të njohur për urrejtjen e tyre ndaj idesë së bashkimit kombëtar. Ata janë aq të ultë sa që edhe prej ëndrrave të Hashim Thaçit tutën.

Të thuash se je për asociacionin e komunave serbe dhe kundër bashkimit të Kosovës me Preshevën mbi të gjitha është budallallëk i madh. Së paku mos e thuaj me zë diçka që ti e di mirë se nuk ndodh pa u bë nami i zi. E namin e zi nga ana shqiptare s'ka kush e bën më.

Bile as me ikë s'di a do të kisha ikë kësaj here. Ende më këputet diçka në zemër, zverdhem
e çohem gatitu pip n'këmbë në gjendje gatishmërie sa herë dikush papritur i bie ziles së derës. 
Qysh më këputet shpirti, kur më kujtohet lufta, s'di me spjegu.

Ne që duhet ta mbrojmë sot veriun, nuk jemi të shpëtuar, jemi të mbijetuar të luftës, ndaj askujt s'mund t'i ndihmojmë.

P.S. Duke u kthyer nga puna, kur u ndala te semaforët afër konvikteve, radio në veturë këndonte një këngë me një zë femre për ibret t'Zotit, 'ku po shkon me drapër n'dorë'.

Një djalë përballë meje, e pashë që po më incizonte me telefonin e tij. Njëherë thashë hajt le të han m.t sa të dojë, e pastaj u ndezën semaforët, dhe kur u nis ai, u ndez edhe e kuqja në mendjen time, më ra në mend që duhet m'u çart, dhe u çarta.

Anipse u dashke ta ndërroj kahjen për t'i shkuar pas, anipse kerri im e ka 'zanat' të ndalet papritur, e ndërrova korsinë, i dhashë gas dhe iu fluga. 
Kerr pas kerri, tuj tejkalu, mbërrimë te rrethi i spitalit, aty arrita t'i afrohem shumë, ia ndeza dritat, i rashë borisë me peotestë të madhe dhe ai u ndal.

Dola, iu afrova dhe prerë i thashë: 'Kë po e incizon ti' dhe ia lypa telefonin. 
Kurrë në jetë s'kam parë mashkull më të frikësuar, që i mirret ashtu goja prej shqetësimi s'kisha parë. 
E çeli telefonin, e fshiu videon e pashë, betohej rrejshëm se s'më ka incizu se s'është 'asi tipi'...por ai më kishte incizu dhe për këtë e tradhtonte frika.

Nejse, u largova në qetësi dhe me qëllim nuk desha t'ia mbajë mend regjistrimin e vetur?s.

Kur e krahasoj luftën me lirinë, gjë udhën nuk ia lëshon liria-luftës, veçse në liri plagët s'ti lidh kush sepse s'të qesin gjak.

E të nesërmen do fansa të Ramushit ma lëshuan një fjalë në rrugë. Allti s'kisha me vete por gishtin e mesëm ua tregova, anipse ishte ditë'm drekë.

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test