Vrasja e Pjetër Budit në Drin

Opinione

Vrasja e Pjetër Budit në Drin

Nga: Gani Mehmetaj Më: 16 gusht 2018 Në ora: 16:06
Gani Mehmetaj

Atë Bardhi i Zadrimës njoftonte: “Zoti ynë, Pjetër Budi, u mbyt në Drin në rrethana të dyshimta. Lajmi më goditi si mazdrapi, arma kalorësiake që të lë pa frymë. Nuk e kuptoja si ndodhi kjo fatkeqësi, prandaj vendosa të ndiqja fërkemin e rrugëtimit të tij, në mënyrë që të ndriçoja rrethanat e vdekjes, mundësisht të gjeja keqbamsin, apo keqbamësit, sepse ma thotë mendja se nuk ish vetëm nji vrasës. Nisa të shfletoja letrat e korrespodencat, i lexova edhe shkrimet të cilat ai do t’ua le brezave. Sido kjoftë arsyeja pse e vranë nis nga letra, kopjen e së cilës e gjeta në skrivaninë e tij:

“Kjesh lut shumë e shumë herë prej parisë së atyne popujve të Arbërisë, sidomos prej dy myslimanëve kreshnikë të gjakut tem, të parë ndër gjithë ato vende, që të vishin në këto anë me u pjek me të permendunin kalorin Bertuçi. Jo veç krishtenët po edhe myslimanët ma të parët flakërojnë prej deshirit me i këputë nji ditë hekurat e randë të turkut, perse s’munden me e bartë mizorinë otomane e te tan kanë qit mendimin, a me dekë me armë në dorë a me dal prej atij mjerimi”.

Të jetë kjo arsyeja e vrasjes? Apo është njëra nga arsyet, sepse kishte edhe arsye tjetër.

Ipeshkvi i Sapes e Sardes, imzot Budi, gëzonte respektin e thellë të popullatës së Arbërisë. Përpiqej me mish e me shpirt me ua ndriçu mendjen arbërorëve, por edhe me i zgju nga letargjia, ata që ende flinin gjumë. Pa mbështetjen e përtej detit ishte vështirë me organizu kryengritje, sidomos me u ba kryengritje më sukses. Arbërorët banë dhjetëra kryengritje qe nga vdekja e mbretit Gjergj, por turqit i shuan me gjak.

Kur e lexova këtë letër, më pikoi në zemër. Letra e Budit ishte grishje dëshpëruese. Imzot Budi druante se po nuk u ndihmua, Arbëria do të binte në agoni, shpirti luftarak do të shuhej. Duke e ndjekur gjendjen, ai e shihte se janë pjekur kushtet për një kryengritje të armatosur. Këtu e kërkoj dyshimin e parë mbi vrasjen e imzot Budit.

Krah përpjekjeve të ngulmëta për kryengritje, ai përpiqej të luftonte ardhjen e priftërinjve të huaj, të cilët nuk e njihnin gjuhën e vendit, ndërsa nuk kuptoheshin nga besimtarët. Të huajt e nënçmonin popullin e Arbërisë, prandaj me të drejtë Imzot Budi, organizoi mbledhje të të gjithë priftërinjve arbërorë të Shkodrës, Zadrimës e Lezhës. Në atë takim që nuk ishte i fshehtë, sikur banë përpjekje t’ia veshin disa gojëkeqij, por u ba me dijeninë e të gjithëve, ditë me diell, imzot Budi, i bëri të betoheshin e të nënshkruanin një vendim se nuk do të pranonin kurrë prifta të huaj. Kjo mbledhje dhe vendimi që u nxor duket se ia hëngër kryet.

Pak kohë më vonë atë e vranë apo e mbytën në Dri, po atë vit, në një ditë më shi që vetëm sa s’çahej qielli e fundosej toka. Lumi i turbulluar ishte tërbu aq shumë. Trupi i tij nuk u gjet kurrë. Varri nuk i dihet.

Pak kohë më vonë më erdhi turbullt kumti se në një gjykatë të Italisë, vrasësi i tij gjykohet për këtë krim të shëmtuar, por nuk thuhet kush asht mbas dorasit”.

Hamendësime e mëdyshje

Derisa i lexoja këto kronika, ndieja nevojën që hamendësimet e mia t’i bisedoja me sivëllezërit në Kuvendin e Françeskaneve. Atë Kelmendi, i cili shpesh i binte të shëtiste nëpër tokat e Shqipërisë, e pyesnin gjithandej nga shkonte për varrin e Skënderbeut. Dhe nisnim hamendësimet e qindra vjetëve më parë

-Pas goditjes së parë të tmerrit, kur qyteti u dogj, kjo thashethemnajë sikur i vuri në gjumë arbrit.

-I ka vënë në gjumë, apo i ka shqetësuar edhe më shumë?, - ma kthente atë Kelmendi.

Duke përsiatur, nuk e qartësoja asnjëherë se si kronisti më i famshëm i Arbërisë, Marin Barleti, libri i të cilit që botuar mbi njëzet herë përtej Adriatikut, shkruante se varrin e Gjergj Kastriotit në Kishën e Shën Kollit e dhunuan ushtarët osmanë.

-Të jetë e vërtet? Apo e shkroi të kundërtën.

-Po pse? –pyesja i habitur

- Që të hutojë hordhitë turke e të reshtin së kërkuari varrin? Turqit, në pamundësi ta gjenin varrin, e përhapën thashethemnajën gjithandej nga Evropa në Azi, - vazhdonte hamendësimet atë Kelmendi. - Feja e pushtuesve tashmë e kishte përcaktuar ku duhej të bëhej pelegrinazhi.

- Po sikur dikush t’i ketë ndërhyrë Barletit me një a dy periudha në tekstin e tij, aty ku përmendet përdhosja e varrit të mbretit tonë? Apo nuk e bënin një gjë të tillë censorët e qyteteve italiane?

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat