Presidenti kamikaz në dy kuptime i Kosovës!

Opinione

Presidenti kamikaz në dy kuptime i Kosovës!

Prof. Asoc. Dr. Enver Bytyçi Nga Prof. Asoc. Dr. Enver Bytyçi Më 16 gusht 2018 Në ora: 20:53
Hashim Thaçi

Për herë të parë në historinë e shtetit nga Hamurabi e deri më sot presidenti i një vendi, përkatësisht presidenti i Kosovës, “vullnetarisht” i fal territor vendit që Kosovën e pushtoi, e masakroi, e dhunoi, e përdhunoi, e dogji në flakë dhe e shkatërroi!

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka lëshuar dje një deklaratë, me të cilën u sulet kritikëve të idesë së tij për ndarjen e Kosovës dhe i cilëson ata “kamikazë politikë”! I gjendur në vetmi, por edhe i mbështetur fuqishëm nga Edi Rama dhe klanet serbo-ruse në iniciativën për ndarjen e Kosovës, presidenti i këtij vendi duket se nuk di çfarë thotë, as çfarë bën! Në huti e sipër, në panik për kundështitë e panumërta ndaj planeve e projekteve të tij ogurzeza, ai ka zgjedhur të sulmojë opozitën dhe gjithë kundërshtarët e këtij projekti me akuza ekstreme. Këto kohë Hashim Thaçi ka ndërruar model: – Ndërsa në fushatat zgjedhore kopjoi vazhdimisht Ibrahim Rugovën, në situatat kritike si këto po kopjon me mjeshtri Edi Ramën. Herë mashtron dhe luan me termat, konceptet dhe nocionet për kufijtë, për ndarje, për marrje, e kështu me radhë. Herë sulmon në stilin e Milosheviçit kundërshtarët e tij.

Nocioni kamikaz ka të bëjë me metodat individuale vetmohuese si taktikë e sulmit ushtarak, kryesisht gueril. Kjo metodë është përdorur që në shekullin e 13-të në luftën midis mongolëve dhe japonezëve. Ndërsa japonezët nga ana e tyre e përdorën masivisht metodën kamikaze të sulmeve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në kohët moderne të sotme termi kamikaz përdoret për të identifikuar ata njerëz, të cilët për një ideal ose besim vetësakrifikohen. Ky lloj vetësakrifikimi është shfaqur në lëvizjen palestineze, por edhe në aktet terroriste në emër të islamit politik.

Hashim Thaçi thjesht i mësuar me përdorimin e shpeshtë të këtij nocioni u shpreh dje se ne që e kritikojmë atë për aventurën e tij të tjetërsimit të territorit të Kosovës qenkemi “kamikazë politikë”. Po si qëndron e vërteta dhe si duhej të zhvillohej dinamika në këto situata dramatike në historinë e Kosovës?

Presidentët, mbretërit, perandorët, të gjithë ata që nga koha e Hamurabit e deri më sot kanë ushtruar detyrën e kryetarit të një shteti kanë ndjekur të njëjtën linjë, të njëjtin qëndrim, me detyrë, mision e funksion themelor mbrojtjen e integritetit dhe sovranitetit territorial të shtetit, forcimin e sigurisë, angazhimin për paqe dhe garantimin e prosperitetit të vendit e kombit të tyre. Në këtë kuptim presidenti i vendit ka detyrë kushtetuese të mbrojë atdheun, territorin e vendit dhe institucionet e shtetit. Kjo do të thotë se presidentët, mbretërit, krerët e shteteve e të qeverive janë garantë dhe gardianë të ruajtjes së sovranitetit shtetëror. Ata kanë detyrë kushtetuese të “bëhen kamikazë politikë” në mbrojtje të kufijve dhe integritetit territorial.

Por Hashim Thaçi zgjodhi të kundërtën. Ai në vend të garantit të tërësisë territoriale të Kosovës u bë tregtar i territoreve të saj. Në vend të ishte “kamikaz politik” në mbrojtje të Kosovës në bisedimet me Serbinë, u bë palë me Vuçiqin. E në këtë rast nuk ka më nevojë për bisedime, sepse bisedimet bëhen midis dy palëve e tash kemi vetëm një palë. Kemi Thaçin dhe Vuçiqin, përsëri Vuçiqin e përsi Thaçin në të njëjtin rol, në të njëjtën valë, koordinatorë të të njëjtit projekt, ndajen e Kosovës dhe shkatërrimin e shtetësisë së saj.

Kurrë në historinë e shtetit e as në historinë e kombeve nuk ka ndodhur që një kryetar shteti, një president, të vihet “vullnetarisht” në anën e okupatorit. Ka ndodhur që nën kërcënim dikush të lëshojë diçka, ndoshta dhe të pranojë pushtimin në kushte të pamundësisë për të luftuar. Por jo këtë që po bën Hashim Thaçi. Pas çlirimit të vendit dhe dhjetë viteve pavarësi, pas ngritjes së institucioneve bazuar në kushtetutë e në ligje, presidenti del dhe flet për shkëmbim territoresh, për ndarje të Kosovës e së fundmi për “korrigjim kufijsh”! Luginën e Preshevës po e përdor si karem, ndërkohë që në Preshevë politika është skeptike. Nuk do të duhet të mendohesh gjatë për të dalluar qëllimet, mashtrimet dhe manipulimet politike të Hashim Thaçit. Presheva është karem dhe viktimë e presidentit të Kosovës, njësoj si edhe Kosova. Në të vërtetë të dyja janë karem dhe viktimë e tre personave: Edi Ramës, në Tiranë, Aleksandër Vuçiq në Beograd dhe Hashim Thaçit në Prishtinë. Kush nuk e kupton këtë, ose është si Hashimi, ose është qorr nga sytë e shurdhë nga veshët.

Presidenti Thaçi prodhoi kamikazë mediatikë në mbrojtje të territorit dhe të shtetit të Kosovës. Fatmirësisht këta janë shumë e kur “kamikazët” bëhen shumë, atëherë ata nuk mund të jenë më të tillë. Kamikazi i vetëm në Kosovë në shërbimm të antishqiptarizmit është presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat