AAK e Pejës: Komuna e dështoi projektin tradicional “Peja pret diasporën"

Peja

AAK e Pejës: Komuna e dështoi projektin tradicional “Peja pret diasporën"

Më: 28 korrik 2016 Në ora: 09:55
?Komuna e Pejës

?Komuna e Pejës ka dështuar totalisht në projektin tradicional ‘Peja pret diasporën’. Projekte të shumta kulturore, të themeluara si manifestime tradicionale po mbyllen në Pejë, po shkurtohen dhe po varrosen nga kryetari i Pejës dhe vartësit e tij. Pas fundosjes tash e 2 vjet të Manifestimit tradicional “Kultura pejane ndër vite’, në këtë vit, Komuna e Pejës, ka fundosur edhe Manifestimin bindshëm më të rëndësishëm tradicional të kësaj fushe “Peja pret diasporën", kështu thuhet mes tjerash në një reagim të lëshuar nga AAK në Pejë.

AAK e bënë fajtor kryesor për këto dështime drejtorin e kulturës Engelbert Zefajn. Sipas këtij subjekti, Zefaj për të mbuluar dështimin e manifestimit tradicional në fjalë, po përdorë pozitën prej drejtori, duke shfrytëzuar mediat për propagandë improvizuese.

Në vazhdim sjellim reagimin e plotë të degës së AAK-së në Pejë;

Projekte të shumta kulturore, të themeluara si manifestime tradicionale po mbyllen në Pejë, po shkurtohen dhe po varrosen nga Kryetari i Pejës dhe vartësit e tij. Pas fundosjes tash e 2 vjet të Manifestimit tradicional “Kultura pejane ndër vite’, në këtë vit, Komuna e Pejës, ka fundosur edhe Manifestimin bindshëm më të rëndësishëm tradicional të kësaj fushe “PEJA PRET DIASPORËN”.

Për të demonstruar ironinë, kjo qeverisje me ditët e numëruara, për këtë traditë nuk ka marrë as më të voglin mund – të paktën Një Pano … Mirëseardhjeje … për diasporën nuk e ka vënë në qytet. Mos të flasim për, ndonjë Koncert, vizitë pikave atraktive turistike, objekteve të trashëgimisë, organizimeve sportive, rinore, kulturore.

Kur dihet fakti se ekzekutivi komunal i Pejës, në organogramin e vet, ka Drejtorinë për Diasporë, stafi i të cilës paguhet nga taksapaguesit, (AAK nuk ka njohuri dhe nuk ka parë së funksionuari këtë drejtori për këto vite), kjo gjë e rëndon dështimin e Komunës së Pejës në raport me qytetarët dhe me diasporën.

Kulmi i turpit dhe nënçmimi që kjo qeverisje i bënë Diasporës prezent në komunën e Pejës, ishte paraqtija e Drejtorit të kulturës rinisë dhe sportit të Pejës, Engelbert Zefaj, nëpër studio televizive, i cili pa fije turpi, shfrytëzon minutat, në krahë të petkut që i ofron pozita, duke propaganduar projekte të pa-qena, in-ekzistente, të paqëndrushme, kinse komunale për diasporën.

Si i tillë ky drejtor, (Zefaj) sikur edhe garda e tij që janë mbyllur në komunë, duke u munduar që të mbulojë dështimin, flet në Televizion, për dasma, gazmende familjare duke shkuar aq larg saqë kur në një moment ndjehet ngushtë nga gënjeshtrat e veta, thotë se organizimet për dasporën i bëjnë diskotekat e qytetit.?!

Ky drejtor, harron faktin se diskotekat dhe klubet janë private dhe organizimet i bëjnë private, duke e marrë përgjegjësinë, sfidën biznesore dhe gjërat përcjellëse mbi supet e veta. Zefaj harron se komuna që drejton ai me shokë, nuk është në gjendje që këtyre diskotekave tua mundësojë, as më të voglën lehtësirë në biznes.

Drejtori i Kulturës në përpjekje për të qenë më bindës tek publiku (diaspora prezent), merr shembull fëmijet e motrës së tij, të cilët gjatë kohës sa paskan qenë në Pejë për pushime nga diaspora, çdo ditë për dy javë rresht, qenkan angazhuar në qendrën “At Lorenc Mazreku”, në aktivitetet e kësaj qendre, e cila nën mbikqyrjen e Komunës, po organizojka manifestime për diasporën. Zefaj përmend si aktivitet për diasporën edhe ‘Lojërat tradicionale të Rugovës’. Këtë e bënë vetëm sa për improvizim, sepse AAK është e bindur, se edhe Zefaj e di, që lojërat tradicionale të Rugovës janë projekt në vete, shumë më i vjetër në dekada, se sa tradita projektit të pritjes së Diasporës, që ishte nisme e vitit 2008 nga qeverisja e AAK-së në Pejë.

Qeverisja Komunale e Pëjës është përgjegjëse dhe fajtore për shuarjen e Manifestimit tradicional “PEJA PRET DIASPORËN” me të cilin projekt është organizuar pritja për mërgimtarët që aq shumë bënë për Pejën e Kosovën dhe ky veprim injorues ndaj megrimtarëve duhet të ndryshon menjëherë.-përfundon reagimi i AAK-së në Pejë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat