Shpallja e Islam Laukës “Qytetar Nderi”, është nderim për Tropojën dhe Shqipërinë

Peja

Shpallja e Islam Laukës “Qytetar Nderi”, është nderim për Tropojën dhe Shqipërinë

Nga: Mr. Adem Lushaj Më: 29 korrik 2016 Në ora: 17:17
Dr. Islam Lauka

Kuvendi Komunal i Deçanit, i kryesuar nga Jashar Dobraj, ka marrë Vendim që të shpallë “Qytetar Nderi”, ish Ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë dr. Islam Lauka, për kontributin e shquar shkencor, politik dhe diplomatik, në afirmimin e çështjes së Kosovës në fushën ndërkombëtare dhe njohjen e saj si shtet i pavarur dhe sovran, si dhe zhvillimin e forcimin e pandërprerë të marrëdhënieve vëllazërore, midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë.

Vendimi i marrë nga përfaqësuesit e të gjitha subjekteve politike që janë pjesë e Legjislativit komunal, pos që është nderim për personalitetin dhe kontributin e dhënë me vite të dr. Islam Laukës, është nderim dhe respekt edhe për Shoqatat propozuese (Lidhja e Historianëve “Ali Hadri” dhe “Shoqata e Intelektualëve të Pavarur”), pasi që është edhe “anëtar nderi” i këtyre dy Shoqatave, gjë që shprehemi mirënjohës për këshilltarët komunal për respektin e bërë. dr. Shpallja e dr. Islam Lauka “Qytetar Nderi i Deçanit”, është nderim për vendlindjen e tij, për Tropojën, e për Shqipërinë

Biografia e ish Ambasadorit, angazhimet e tij për shtet bërjen e Kosovës, vlerat e tij kombëtare, janë vetëm disa nga tiparet me të cilat çmohet lartë nga institucionet komunale, subjektet politike e jo politike, e mbi të gjitha nga qytetarët e Komunës së Deçanit.

Nga Biografia e begatë, do të shkëpusim vetëm një pjesë të jetës dhe veprimtarisë së tij politike-shkencore, e mbi të gjitha ato kombëtare.

Islam Lauka, ka lindur më 18.06.1954 në Pac, Tropojë-Shqipëri, ku edhe përfundoi arsimin 8-vjeçar. Shkollën e mesme dhe atë të lartë (dega e gjuhëve të huaja), ka kryer në Tiranë, me rezultate të shkëlqyera.

Dr. Islam Lauka ka punuar disa vite si mësues në arsimin e mesëm në disa fshatra të Tropojës (1976-1981) dhe tre vjet në Komitetin e Rinisë të po këtij rrethi (1982-1985).

Në shtator 1985, u transferua në Tiranë, në sistemin e Ministrisë së Punëve të Jashtme, në fillim si i atashuar, referent, shef sektori, ndërsa në vitin 1991 emërohet Sekretar i Parë, e më vonë, i ngarkuar me punë  i Ambasadës së Shqipërisë në Moskë. Pas kthimit në atdhe, jep dorëheqje nga sistemi  i dikasterit të jashtëm.

Pavarësisht se ku ka punuar dhe çfarë funksionesh ka pasur, Lauka ka punuar dhe jetuar me Kosovën dhe për Kosovën. Në vitin 1978, në kuadër të njëqind vjetorit të Lidhjes së Prizrenit, u përfshi  në aksionin për evidentimin dhe ndriçimin e jetës dhe veprës së figurave te shquara të trevës verilindore, qe morën pjesë në mbledhjen e Lidhjes, apo në luftërat e organizuara prej saj.

Në vitin 1983, organizoi dhe drejtoi konferencën kombëtare për edukimin me traditat atdhetare, ku vend qendror zuri  çështja e Kosovës. Në disertacionin e doktoratës në Moskë, mbrojti shkencërisht  autoktoninë e shqiptarëve të Kosovës, si dhe argumentoi domosdoshmërinë e ndërhyrjes së komunitetit ndërkombëtar për të parandaluar një Srebrenicë të dytë, duke demaskuar qëndrimet ruse lidhur me çështjen e Kosovës, si krejtësisht të njëanshme, antishqiptare e proserbe.

Në mesin e viteve ´90, pas konferencës së Dejtonit, mori pjesë në disa cikle emisionesh radiotelevizive, si dhe satelitore, ku kërkoi nga komuniteti ndërkombëtar që çështja e Kosovës të përfshihet në agjendat e qendrave kryesore të vendimmarrjes, në mënyrë që të parandalohet përshkallëzimi në konflikt të dhunshëm e të përgjakshëm. Ka marrë pjesë në dhjetëra konferenca shkencore ndërkombëtare dhe ka botuar artikuj të shumtë, kryesisht për çështjen e Kosovës, në shtypin vendor dhe atë të huaj.

Dr. Islam Lauka, në vitin 2009, emërohet Ambasador i Shqipërisë në Kosovë, ku qëndroj deri në vitin 2014, ku ka kryer edhe detyrën e Dekanit të Trupit Diplomatik, të akredituar në Prishtinë.

Pas përfundimit të mandatit të tij si ambasador, në mars 2014, transferohet në Tiranë, në Ministrinë e Punëve të Jashtme, me gradën Ministër Këshilltar, deri në mars 2015, kur largohet nga kjo Ministri, duke u angazhuar si ligjërues i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin për Biznes dhe Teknologji (UBT) në Prishtinë. Aktualisht, është President i Qendrës Shqiptare të Studimeve Amerikano-Britanike dhe Drejtor i Institutit Shqiptar të Studimeve Politike.

Në vitin 1994, në Akademinë Diplomatike të Moskës, mbrojti gradën shkencore “Doktor i Politologjisë”, me disertacionin “Evolucioni i problemit të Kosovës dhe gjendja e tij aktuale”.

Është autor i librave:

“Kosova, rast universal apo sui generis” ( shqip, anglisht, arabisht, rumanisht)
“ Evolucioni i problemit të Kosovës dhe gjendja e tij aktuale”.(rusisht)
“Shkëputja e Kosovës nga Rusia” (shqip, anglisht)
“Kosova e pavarur ose dështimi i kryqëzatës ruso-serbe”     
 “Shqipëria në arkivat ruse”
 “Antologjia e kryqëzimit: qëndrimi rus ndaj çështjes shqiptare, 1878-2012”.

Autori është drejtor i “Shoqata e Intelektualëve të Pavarur” Deçan

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat