E konfirmon KQZ-ja: Kështu Muhaxheri “shkeli” kundërkandidatët në Pejë

Peja

E konfirmon KQZ-ja: Kështu Muhaxheri “shkeli” kundërkandidatët në Pejë

Më: 31 tetor 2017 Në ora: 16:05
Gazmend Muhaxheri

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpalli Rezultatet Përfundimtare për Kryetarë të Komunave të Zgjedhjeve Lokale që u mbajtën më 22 tetor 2017.

Duke u mbështetur në këto rezultate, kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka bëri të ditur se raundi i dytë i Zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave do të mbahet më 19 nëntor në 19 komuna (Gjakovë, Gjilan, Dragash, Istog, Kaçanik, Klinë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Obiliq, Rahovec, Podujevë, Prishtinë, Prizren, Shtime, Suharekë, Ferizaj, Vushtrri, Malishevë dhe Kllokot).

Kryetarja Daka njoftoi se KQZ-ja shpallë këto rezultate pas konfirmimeve të pranuara nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa si dhe nga Gjykata Supreme.

Numri i qytetarëve me të drejtë vote në këtë raund është 1 milion e 353 mijë e 613 votues, ndërsa numri i Qendrave të Votimit është 614 me gjithsejt 1 mijë e 777 Vendvotime.

Kandidati i LDK-së, Gazmend Muhaxheri përfundimisht del se e ka fituar garën pa balotazh në Pejë. Ai ka siguruar gjithsej 22014 vota apo 50.23 për qind, duke lënë prapa Fatmir Gashin e AAK-së me 13980 vota apo 31.9 për qind.

Sipas rezultateve përfundimtare, Sabiha Shala e PDK-së ka fituar 4105 vota apo 9.37 për qind, Bashkim Nurboja i Lëvizjes Vetëvendosje ka siguruar 2822 vota apo 6.44 për qind. Kanidatët e tjerë Sali Kelmendi (Nisma), Reshat Nurboja (Alternativa) dhe Eneida Kelmendi (Fjala) kanë marrë më pak se 1 për qind të votive në Pejë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat