Përplasja “Sherifja” me “Kamishin” – fyerjet që do vazhdojnë edhe gjatë fushatës

Politika

Përplasja “Sherifja” me “Kamishin” – fyerjet që do vazhdojnë edhe gjatë fushatës

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 31 dhjetor 2020 Në ora: 21:17
Arkiv

Gjatë ditës së hënë është mbajtur seanca për miratimin e projekt-buxhetit për vitin 2021.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar në lexim të parë projekt-buxhetin për vitin 2021 që përfshinë një buxhet prej 2 miliardë e 412 milionë euro.

Ndërsa të martën Kuvendi i Kosovës ka miratuar edhe në  lexim të dytë Projektligjin për buxhetin e vitit 2021.

Mirëpo “përplasjet” në seancën e mbajtur të nënën nuk munguan e që kësaj radhe ishte deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu ai i cili drejtoi deklaratat kundrejt ushtrueses së postit të presidentit, Vjosa Osmanit.

Deputeti nga radhët e PDK-së, Bekim Haxhiu, ka thënë se Vjosa Osmani, e cila mban dy pozitat më të rëndësishmet të vendit, dhe do ta marrë edhe rrogën e 13-të, dhe se nuk po mendon për qytetarët.

Sipas Haxhiut, “sherifja e re” nuk po mendon për qytetarët, por vetëm për vete dhe pozicionet e saj.

“Sot kur jemi këtu, kjo sherifja me dy pozita me rrogën e 13-të për veti, po për qytetarët pse nuk parasheh një rrogë të 13-të për qytetarët, ku është kjo sherifja e re, ajo po mendon për veti, ky është problemi i koalicionit të shpresës, me vetëm një kompani”, është shprehur në Kuvend, Haxhiu.

Osmani në lidhje me këtë deklaratë nuk ka reaguar por ai që reagoi ishte Artan Murati, këshilltari i u.d të presidentit, Vjosa Osmani. 

Murati ka thënë se Haxhiu po thotë të pavërteta pasi nuk ka pagë të 13, por Administrata e Kuvendit ka parashtruar kërkesë për një shtesë në pagën bazë, duke u thirrur në orët e tejzgjatura të punës, për punonjësit e administratës, jo për deputetët.

Këshilltari me tej ka shtuar se Osmani nuk e ka votuar një propozim të tillë por që ai është votuar nga Kryesia e Kuvendit.

Ndërsa në lidhje me këtë “përplasje” njohësit e çështjeve politike për “Bota sot”, u shprehën që kjo deklaratë e deputetit Haxhiu edhe njëherë na tregoi që nuk do të mungojnë përgjatë fushatës parazgjedhore këso lloj “përplasjesh”, pra kjo mund të jetë vetëm si pikënisje e një periudhe me tensione mes partive politike.

Mulliqi: Deklarata e Haxhiut “ku është sherifja me dy pozita”, shprehi jo serioze nga një deputet

Image
Skender Mulliqi

Analisti politik, Skënder Mulliqi në një prononcim për “Bota sot”, ka komentuar në lidhje me deklaratën që Haxhiu ka drejtuar nga Osmanit, sipas tij kjo deklaratë është shumë joserioze nëse lëshohet nga një deputetë e sidomos ndaj një gruaje.

Mulliqi thotë që pavarësisht kësaj, “përplasje” të tilla jemi mësuar të shohim pothuajse në çdo seancë duke e shndërruar edhe kuvendin në një klub cirku e jo duke u munduar të gjendet një zgjidhje për të u zhvilluar së bashku në të mirën e vendit.

“Averzioni ndaj Vjosa Osmanit, është rritur nga qarqet e caktuara reaksionare të politikës. Kjo u theksua sidomos pas rënies të Qeverisë Kurti dhe Qeverisë Hoti, me qëllim të linçimit te saj politik. Zonja Osmani sipas Kushtetueses kaloi edhe ushtruese e detyrës së presidentit. Bekim Haxhiu më deklarimin se "ku është sherifja me dy pozita" u shprehi jo serioze nga një deputet. Kjo nuk është aspak sjellje intelektuale. Me këso veprime diletanteske politike të shumë deputetëve u mësuam tash e një kohë të gjatë, të cilët Kuvendin e Kosovës, e kanë shndërruar më shumë në Klub Cirku, së që është vend serioz, ku merren vendime të rëndësishme për vendin. Zatën edhe këto arroganca dhe ky fjalor denigrues kanë shkuar konform punëve të mbrapshta të pushteteve dhe kuvendeve të pas luftës. Vjosa së pari është grua, e dinjitetshme që secili person sidomos të gjinisë mashkullore, duhet respektuar si gjini e kundërt, por edhe si bartëse e pushtetit”, u shpreh Mulliqi.

Analisti më tej shton që Vjosa e ka demantuar se do të ketë një rritje të tille pagash, për këtë arsye deputeti nuk duhet të bëj deklarata të tilla të pa vërteta për arsye personale.

Duke vazhduar ai thekson që forcave të vjetra politike iu ka skaduar afati, e Vjosa më së paku ka faj dhe se është koha të vinë në pushtet forcat e reja politike që të sjellin ndryshime në vend.

“Kur bëhet fjalë për akuzat që ka ngritur Haxhiu për pagën e 13-të të kuvendarëve, Vjosa e ka demantuar se do të ketë një rritje të tille pagash. Deklarimet publike nuk bëhen paushall si në Pazar. Nëse dikush nuk e ka për zemër pse ajo është aty, është çështje personale e tij .Vjosa është e kohës moderne në politikë. Forcave të vjetra politike iu ka skaduar afati, e Vjosa më së paku ka faj. Koha është e ndryshimeve përmbajtësore shoqërore dhe politike në Kosovë. Shumë deputetë të cilët “e kanë marrë me tapi" postin e kuvendarit, duhet të pensionohen më këto zgjedhje jo me larg, duke iu lëshuar vend gjeneratës së re në politikëbërje, siç është edhe u.d presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Retush i madh i duhet skenës politike të Kosovës, edhe për faktin se kemi mbetur shumë mbrapa në procese zhvillimore, dhe kemi mbetur mbrapa edhe ne procese integruese evropiane”, përfundoi Mulliqi për “Bota sot”.

Haziri: Ky diskurs si i deputetit Haxhiu do na shoqëroj për gjithë fushatën parazgjedhore

Image
Nexhat Haziri

Analisti politik, Nexhat Haziri në një bashkëbisedim me “Bota sot”, u shpreh që deklarata e Haxhiut drejtuar Osmanit nuk paraqet rëndësi kjo për arsye se kemi hyrë në fushatë parazgjedhore.

Sipas Hazirit ky diskurs i deputetit Haxhiu do na shoqërojë për gjithë fushatën kjo sepse kemi mungesë alternativave për të garuar me njëra-tjetrën në mënyrë që qytetari i Kosovës të ketë më shumë zgjidhje.

“Nuk është një deklaratë që paraqet ndonjë rëndësi, për vet faktin se tani kemi hyrë në fushatë parazgjedhore, edhe pse akoma nuk kemi ndonjë datë të caktuar se kur do të mbahen zgjedhjet e parakohshme. Ky diskurs si i deputetit Haxhiu do na shoqëroj për gjithë fushatën parazgjedhore për shkak të polarizimit të skenës politike të Kosovës që reflekton poashtu në mungesën e alternativave të partive politike për të garuar apo rivalizuar njëra-tjetrën me platforma qeverisëse për t'iu ofruar si ofertë zgjedhore qytetarëve të Kosovës”, tha Haziri.

Analisti në fund shprehët që përgjatë muajit shkurt do të kemi prezent këto lloj fyerjesh dhe tensionesh, sepse jemi në fushatë parazgjedhore.

“Pra fyerjet, sharjet, tensionet do ta karakterizojnë fushatën parazgjedhore të zgjedhjeve të parakohshme të cilat priten të mbahen në fillim të muajit shkurt”, përfundoi Haziri, për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat