Emrat e rinj në Kuvend, “drita në fund të tunelit” për qytetarët

Politika

Emrat e rinj në Kuvend, “drita në fund të tunelit” për qytetarët

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 16 mars 2021 Në ora: 08:15
Kuvendi i Kosovës

Po bëhen një muaj që nga përfundimi i zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë, me Lëvizjen Vetëvendosje fituese të tyre.

E gjatë ditës së shtune, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 14 shkurtit, ku janë bërë me dije emrat e 120 deputetëve të legjislaturës së tetë të Kuvendit të Kosovës.

Me rezultatet përfundimtare, Vetëvendosja do të ketë 58 deputetë, PDK-ja 19, LDK-ja 15, Lista Srpska 10, AAK-ja 8, KDTP-ja 2, VAKAT 1, IRDK-ja 1, RI-ja 1, NDS-ja 1, SDU-ja 1, JGP-ja 1, PAI 1, LPRK-ja 1.

Pas certifikimit të rezultatit, sipas Kushtetutës së Kosovës, presidenti i Kosovës, në këtë rast, ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, brenda 30 ditësh duhet të thërrasë seancën e parë të Kuvendit, në mënyrë që të formohen institucionet e dala nga zgjedhjet.

Osmani e ka caktuar seancën për datën 22 mars.

Nga 120 deputetët e Kuvendit, ka mjaft emra të rinj e ka edhe mjaft të tillë që në këtë legjislaturë nuk kanë arritur t’i marrin votat e mjaftueshme për të qenë pjesë e saj, pavarësisht se kanë qenë në të kaluarat.

Disa nga emrat e rinj që do të jenë pjesë e Kuvendit nga Lista e VV-së janë, Avni Dehari, Vasfije Krasniqi-Goodman, Donika Gërvalla, Adrian Matoshi, Armend Muja, Shqipe Mehmeti Selimi, Jeta Statovci, Faton Peci.

Nga lista e PDK-së janë, Ardian Kastrati dhe Adelina Grainca

Nga lista e LDK-së nuk kemi asnjë kandidatë I cili nuk ka qenë më herët deputetë.

Nga lista e AAK-së është Albana Bytyçi.

Mirëpo, kemi shumë emra të cilët nuk morën kësaj radhe votat e mjaftueshme për të përfaqësuar qytetarët në Kuvend.

Është ministri në detyrë i infrastrukturës, Arban Abrashi, Besa Gaxherri, Faton Bislimi, Lirie Kajtazi, Fetah Rudi, Doruntinë Maloku, Frashër Demaj, Ardian Shala, Shkëmb Manaj, Ilir Ferati e Xhavit Uka, vetëm disa nga të cilët nuk morën votat e mjaftueshme.

Nga PDK do të mungojë Kujtim Gashi, Bajrush Xhemaili, Sejdi Hoxha, Gazmend Bytyçi, Evgjeni Thaçi, Besa ismaili e Valdete Idrizi.

As ish-deputetja e AAK-së për disa legjislatura me radhë, Teuta Haxhiu, e ministri në detyrë i drejtësisë, Selim Selimi, nuk do jenë pjesë e Kuvendit këtë mandat.

Pjesë e Parlamentit nuk do të jetë as Ramiz Kelmendi, siç nuk do të jetë as ish drejtori i policisë Rashit Qalaj, e as ish-analisti Faton Avdullahu, që së fundmi iu bashkuan partisë.

Garoi për herë të parë me LDK, por bashkëpunëtori i ngushtë i Rugovës, Adnan Merovci, nuk u bë deputet, e fatin e tij e pati edhe ish-prokurori Sylë Hoxha që aderoi në këtë subjekt politik para zgjedhjeve.

Se a do të arrijnë emrat e rinj të jenë zëri i qytetarëve, mbetet të shihet në ditët kur ata do të kenë mundësinë të trajtojnë temat që janë në interes të vendit.

Qarri: Vendimin e sovranit, për përjashtimin e ish-deputetëve të dështuar nga Kuvendi, duhet duartrokitur

Njohësi i çështjeve politike, Gani Qarri, në një prononcim për “Bota sot”, u shpreh se zgjedhjet e 14 shkurtit arritën të sjellin emra të rinj në Kuvendin e Kosovës, duke lënë jashtë shumë emra të tjerë që ishin pjesë e Kuvendit për shumë vite me radhë.

Image
Gani Qarri

Gjithashtu Qarri cek fitoren e koalicionit të Osmanit dhe Kurtit që ka ardhur si befasi me vete, mirëpo që emrat e rinj sipas analistit do të sjellin frymë të re për vendin.

“Zgjedhjet e 14 shkurtit në Kosovë, u bën shembull për vendin dhe rajonin duke sjellë risi të panjohura deri më tani, të cilat ndodhën për herë të parë, dhe krijuan përvojë krejtësisht të re, që nga paslufta e këndej. Në gjithë këto vite, apo thënë më mirë, në tërë periudhën mbi dy-dekadëshe të pasçlirimit të Kosovës dhe jetës së qytetarëve të saj për më tepër se 21 vite në liri, ngjau ajo që deri në çastet e përfundimit të votimeve të 14 shkurtit, pothuajse nuk pritej nga askush, të paktën jo në përmasa të tilla, dhe për herë të parë, një koalicion, për të mos thënë, parti e vetme, fitoi mbi 50.28 % të votave të elektoratit, si LVV- e Albin Kurtit dhe Lista "Guxo" e Dr. Vjosa Osmanit, që vije si befasi më vete, e kësaj periudhe legjislative. Madje në listat e kandidatëve për deputetë, të segmenteve pjesëmarrëse në zgjedhje, përveç dështimit katastrofal të partive të inkriminuara, vërehen edhe ardhje të reja dhe emra të ri të cilët kanë fituar për herë të parë mandatet e deputetëve, duke dërguar, pas një kohe relativisht të gjatë, në dështim dhe humbjen e këtyre pozitave nga shumë figurave të vjetra, të njohur në disa legjislatura, të cilët kësaj radhe, me të drejtë kanë ngelur jashtë radhëve të Kuvendit të ri. Këtë e vërtetoi edhe KQZ me certifikimin e zgjedhjeve të 14 shkurtit, ku tanimë kemi edhe listën e plotë me emrat e 120 deputetëve të Kuvendit të ri, në mesin e të cilëve ka shumë emra që sapo kanë fituar mandatet e deputetit, ndërsa shumë deputet të vjetër, kanë humbur ato dhe fatmirësisht nuk janë më pjesë e Kuvendit”, është shprehur ai.

Tri arsyet që deputetët e vjetër më nuk janë pjesë e Kuvendit

Më tej, analisti tregon arsyen e parë që deputetët e vjetër kësaj radhe nuk janë pjesë e Kuvendit, duke thënë që humbja e tyre vije edhe si pasojë e humbjeve të thella që pësuan PDK dhe LDK, bashkë me AAK-në, të cilat kanë mbajtur pareshtur pushtetin me rotacione e koalicione të përbashkëta, apo edhe të zgjeruara me parti tjera minore përfshi këtu edhe vet Listën serbe.

“Arsyeja kryesore e humbjes së deputetëve të vjetër, është dënimi i merituar që ata morën nga sovrani i këtij vendi, pikërisht për shkak të vendimeve të miratuara në legjislaturat paraprake nga ata, kundër interesave të qytetarëve dhe kundër vet Republikës së Kosovës, duke e rrezikuar rregullimin e brendshëm kushtetues e dëmtuar shtetin tonë të vogël edhe në territor, si dhe duke kërcënuar hapur të ardhmen e vendit dhe fëmijëve tanë, vetëm për teket e partive të inkriminuara politike, të cilave ata u takonin. Madje humbja e tyre vije edhe si pasojë e humbjeve të thella që pësuan PDK dhe LDK, dy ish partitë kryesore dhe më të mëdhatë në vend, të cilat për afro 20 vite, bashkë me AAK-në, kanë mbajtur pareshtur pushtetin me rotacione e koalicione të përbashkëta, apo edhe të zgjeruara me parti tjera minore përfshi këtu edhe vet Listën serbe, që ndryshe njihet si dorë e zgjatur e Serbisë dhe Aleksandër Vuçiqit në Kosovë, e cila ishte pjesa më domethënëse , sidomos e qeverisë kundër kushtetuese të nxënësit besnik të Isa Mustafës, Avdullah Hotit”, ka theksuar analisti.

Si arsye të dytë për këtë ndëshkim, ai përmend disa nga dëmet që ata i sollën Kosovës gjatë mandatit të tyre.

Duke filluar nga Demarkacioni me Malin e Zi, pastaj faljen e mëhershme të mese 2500 hektarëve tokë FYROM-it, miratimi i asociacionit një etnik i komunave serbe, të nënshkruar me 2013 nga kuislingu Hashim Thaçi dhe natyrisht votimi i Gjykatës Speciale që dëmtuan vendin tonë.

“Ndërsa arsyeja tjetër e humbjes së deputetëve të vjetër, që ndryshe njiheshin edhe si deputet pa kurriz, për shkakun se vetëm për t`ia plotësuar qefin partisë, shpesh herë sillnin edhe vendime tepër të dëmshme për vendin, për të tashmen dhe të ardhmen e qytetarëve dhe të shtetit të Kosovës, e njëri nga vendimet më të rënda e drastike, ishte Demarkacioni me Malin e Zi, ku Kosova, me votën e tyre, humbi mbi 8300 hektar tokë të veten autoktone. Me këtë rast, nuk duhet harruar edhe faljen e mëhershme të mese 2500 hektarëve tokë FYROM-it, duke i futur sllavomaqedonët mbi 5 kilometra në brendësi të territorit të Kosovës, marrëveshje kjo, e miratuar kundër vullnetit të qytetarëve të vendit dhe pa pëlqimin e banorëve të asaj zone. Pastaj miratimi i asociacionit një etnik i komunave serbe, të nënshkruar me 2013 nga kuislingu Hashim Thaçi dhe me 2015 edhe nga jugokomunisti Isa Mustafa në Bruksel, vendim që siç u dëshmua edhe nga Gjykata Kushtetuese, shkeli në mbi 23 pika, Kushtetutën e vendit dhe në rast jetësimi, prish rregullimin e brendshëm shtetëror të Kosovës, si dhe kthen Kosovën në një Bosnje të dytë në Ballkan. Po këta ish përfaqësues të “popullit” me kolegët e tyre të nënshtruar nga partia, votuan edhe Gjykatën Speciale, e që të gjitha këto akte të lartcekura, u miratuan në dëm të shtetit dhe popullit të Kosovës, edhe nga këta ish deputet të dështuar, vendimet e të cilëve, më së rëndi po përjetohen pas arrestimeve që kreu Gjykata Speciale”, ka potencuar Qarri.

Tutje, analisti tregon edhe arsyen e tretë që sipas tij është sjellja fëmijërore e tyre në parlament, mos paraqitja e tyre në Kuvend, bllokimi i Kosovës në integrimet evropiane e që të gjitha këto arritën të sjellin dënimin e tyre në këto zgjedhje.

“Kurse arsyeja e radhës është edhe mos-puna e tyre, sjellja fëmijërore në parlament, mos-pjesëmarrja fare në seanca, apo paraqitja vetëm deri në sallën e Kuvendit, për regjistrim dhe marrjen mëditjes, si dhe ikja pa asnjë arsye nga seancat plenare, ku për shkak të mungesës së kuorumit, detyrohej të shtyhej nxjerrja në votim e shumë ligjeve me rëndësi për vendin, shkak që për vite të tëra, mbetej i papërfunduar miratimi i tyre, duke bllokuar kështu edhe rrugëtimin e Kosovës në integrimet evropiane. Ndaj vendimin e sovranit, për përjashtimin e ish deputetëve të dështuar nga Kuvendi, duhet duartrokitur me refrene të gjata dhe përshëndetur në vijimësi, me kërkesën që nëse të përzgjedhurit aktual, guxojnë të sillen, si ish deputetë e vjetër, qytetarët ti dënojnë me ndëshkime të njëjta edhe deputetët e ri”, ka deklaruar Gani Qarri për “Bota sot”.

Burjani: Mungesa e deputetëve joaktiv nuk do të vërehet

Ndërsa, njohësi i çështjeve juridike, Blerim Burjani në një prononcim për “Bota sot”, duke folur në lidhje me emrat e rinj që janë pjesë tashmë e Kuvendit, tha se shumica janë pa përvojë mirëpo që kontributi i tyre do të vërehet në momentin që ata do të ofrojnë punën e tyre dhe vullnetin për qytetarët.

Image
Blerim Burjani

“Të rinjtë në Kuvend shumica duken të jenë të pa përvojë për punën në Kuvend dhe në politik por votat i kanë marrë me vështirësi. Ndryshim kualitativ mund të ketë në kuptim të kontributit që ata mund të ofrojnë në punën e Kuvendit”, është shprehur Burjani.

Sipas tij, Kuvendi ka pasur gjithmonë numër të madh të deputetëve jo kompetentë mirëpo që tashmë ata të cilët nuk janë pjesë dhe që kanë qenë të angazhuar gjatë mandatit të mëhershëm të tyre, nuk do vërehet që po mungojnë.

“Kuvendi gjithmonë ka pas një numër të madh deputetësh jo kompetent për angazhim në ndonjë komision. Mungesa e veteranëve të pa angazhuar si në legjislacionin e mëhershme nuk do të vërehet”, ka deklaruar Blerim Burjani për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat