Gazeta “Bota sot” plot 26 vite punë e guxim, vrasjet e gazetarëve mbeten plaga e saj

Politika

Gazeta “Bota sot” plot 26 vite punë e guxim, vrasjet e gazetarëve mbeten plaga e saj

Nga: Majlinda Haziri Më: 26 qershor 2021 Në ora: 13:50
Gazeta "Bota sot"

Vitet kalojnë mirëpo profesioni i gazetarisë mbetet një ndër profesionet më të guximshme dhe më besnike për shtetin.

Mirëpo, ushtrimi i saj kërkon vullnet, energji dhe shumë dashuri të palodhshme.

Kur flasim për guximin që gazetarët duhet të kenë, padyshim që media duhet të jetë gjithashtu e tillë, e kur përmendim guximin e mediave pa u thelluar na bie ndërmend gazeta “Bota sot”, ajo e cila i qëndroi kohës si shkëmb dhe nuk u rrëzua nga sulmet që për shumë vite qe cak i tyre.

Gazeta “Bota sot” sot mbush plot 26 vjet që nga themelimi i saj, 26 vite punë, vullnet, dashni, besnikëri, guxim, e lot për humbje të gazetarëve të saj që u vranë për shkak të së vërtetës.

Kjo gazetë asnjëherë nuk u lodh së informuari drejt qytetarët e vendit dhe të diasporës, këtë e tregon edhe fuqia që ende ka, pavarësisht që kanë kaluar 26 vite.

Në lidhje me përvjetorin e gazetës “Bota sot”, ka folur opinionisti besnik ndër vite dhe analisti nga Amerika, Binak Maxharraj, duke treguar shkurtimisht historikun që gazeta ka që nga themelimi i saj.

Maxharraj shprehet se kjo gazetë iu bëri ballë klaneve mafioze duke raportuar për të bëmat e tyre dhe mbrojtur interesin e shtetit.

Ai shton se “Bota sot” u bë prokurore e gjykatëse për të denoncuar padrejtësitë.

Image
Prof. Dr. Binak Maxharraj

“Me rastin e 26 përvjetorit të daljes së saj “Bota sot” ishte dhe mbetet një gazetë e cila gjatë gjithë rrugëtimit të saj luftoi për vlerat e mirëfillta demokratike, për lirinë e shtypit, për lirinë e njeriut, luftoi për të vërtetën. “Bota sot” me tërë fuqinë e saj ishte kundër klaneve, mafive politike, qendrave të dhunës, hajnive dhe plaçkitjeve që i bënin pushtetarët të cilët e kishin kapë dhe zaptuar shtetin për interesat e tyre personale por të cilët nuk ndiqeshin penalisht sepse ata vetë e formonin ligjin dhe ishin mbi ligjin. “Bota sot” u bë edhe prokurore dhe gjykatëse duke i denoncuar krimin e organizuar, korrupsionin i cili i kishte kap të gjitha segmentet e jetës, i denonconte krimet, padrejtësitë sepse nuk kishte prokurori e as gjyqësi të mirëfilltë”, u shpreh profesori.

Më tej, ai shton se “Bota sot” ka qenë pre e shantazheve, kërcënimeve e shumë sulmeve ndër vite për shkak të së vërtetës por që gjithë kësaj i doli ballë duke mbushur sot 26 vjet që nga themelimi i saj.

“Pra, për shkak të kritikave që i bënte ndaj padrejtësive, ndaj çdo të keqeje që ndodhte në shoqëri, ajo shpesh edhe shantazhohej, ishte një thumb i klaneve mafioze. “Bota sot” u bëri ballë këtyre kritikave, këtyre shantazheve edhe atëherë kur ishte çuar peshë regjimi i santrapit Millosheviq, i cili donte t’i përpinte shqiptarët vetëm pse ishin në vendin e tyre. Por, “Bota sot” u bëri ballë edhe shumë kritikave dhe shantazheve nga azganët e luftës të cilëve nuk u pëlqente e vërteta sepse veç kishin nisur ta njollosin lirinë me të bëmat klanore dhe mafioze e duke vjedhur, duke plaçkitur çdo gjë që u dilte përpara. Për ta hajnia dhe plaçkitja ishin para shtetndërtimit?! Dhe mu për këtë, këta bashibuzuka donin të vrisnin gazetën “Bota sot”, veç pse ajo e thoshte të vërtetën për ata dhe të bëmat e tyre”, thotë analisti.

Duke vazhduar, ai përmend edhe vrasjet e gazetarëve të “Bota sot” që luftuan për të vërtetën, duke mos lënë anash edhe rastin e bombës në redaksinë në Zvicër.

Ai thekson që “Bota sot” qëndroi në këmbë të saj falë udhëheqësit të gazetës dhe stafit të guximshëm të saj, e që këto janë arsyet që ajo çdo vit bëhet më e fortë.

“E kritikonin, e padisnin nëpër Gjykata, por kur e kuptuan se gazeta “Bota sot” është “kokëfortë” dhe nuk heq dorë nga e vërteta, nga liria e shtypit, atëherë ata horra filluan edhe t’i godasin gazetarët e saj, siç ishte vrasja e Xhemail Mustafës, Bardhyl Ajetit, Besim Kastratit e deri tek hedhja e bombës në zyrat e kësaj Gazete në redaksinë qendrore në Cyrih të Zvicrës, e cila për fatin e mirë nuk eksplodoi. Të gjitha këto kombëtarja “Bota sot” i përballoi stoikisht pa u luhatur në rrugëtimin e saj sepse ishte betuar përgjithmonë se do ta shihte të vërtetën dhe vetëm të vërtetën. Dhe mu për këtë, ajo sot e kësaj dite kur po i mbushë 26 vjet, mbetet strumbullari, mbetet një ndër gazetat më të mira, më të lexuara në mbarë trojet shqiptare, mbetet gazeta e kombit, mbetet gazeta e cila nuk u frikësohet furtunave, stuhive të ndryshme dhe shantazheve nga klanet mafioze dhe kupolës së krimit të organizuar, mbetet gazeta e cila nuk frikësohet maskave nga cila do anë që vijnë. Mbetet e këtillë sepse gazeta “Bota sot” e ka një ekip, një staf të mrekullueshëm, e mbi të gjitha ka një zot shtëpie brilant, e udhëheqës të denjë si Xhevdet Mazrekaj, i përbërë nga gazetarët trima e trimëresha, nga djemtë e vashat që nuk iu trembet syri nga askush për të thënë troç të vërtetën dhe vetëm të vërtetën. Dhe mu kjo këtë gazetë e bën të dashur, të lexueshme, të afërt me lexuesin e cila me madhështinë, me bukurinë e saj të fjalës së shkruar, e bën këtë gazetë të rrezatojë dritë, të çelë horizonte të reja, të vjelë urti, mençuri dhe kurrë jo urrejtje”, potencoi opinonisti.

Në fund, profesori thotë që “Bota sot”, nuk duhet të ndalet asnjëherë drejt këtij rrugëtimi të saj, për të treguar të vërtetën dhe vë në pah padrejtësitë.

“Gazeta “Bota sot” edhe në të ardhmen nuk duhet të ndalet, duhet të vazhdojë rrugëtimin e saj në shërbim të kombit, duke lavdëruar çdo gjë të mirë, humane, njerëzore, por edhe duke treguar të keqen që publiku nuk arrin ta shohë”, përfundoi profesori Binak Maxharraj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat