Juristi tregon se si mund të mbahen nën vëzhgim recidivistët e veprave të shumta penale

Politika

Juristi tregon se si mund të mbahen nën vëzhgim recidivistët e veprave të shumta penale

Nga: A.Z Më: 29 gusht 2021 Në ora: 15:59
Foto ilustrim

Ditë më parë, për vrasjen e 18-vjeçares nga Ferizaj u arrestuan dy personat që e kishin dërguar trupin e saj të pajetë në spital.

Të dyshuarit për vrasjen e saj dolën se ishin recidivistë të disa veprave, me të dyshuarin kryesor që, sipas Gjykatës Themelore në Ferizaj, kishte 10 lëndë penale – e me të dyshuarin tjetër që kishte rast për tentimvrasje që nga viti 2013. Për të dyshuarin kryesor, Dardan Krivaqa, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka insistuar se është lënë i lirë edhe pse ka pasur 136 vepra.

Avokati Arianit Koci ka propozuar që organet e sigurisë të krijojnë lista të recidivistëve të krimeve të rënda me qëllim që t’i vëzhgojnë më mirë e t’i mbajnë më lehtë nën kontroll.

Duke u nisur nga ky rast, Koci ka thënë se duhet një riorganizim i plotë i organeve të sigurisë, duke përfshirë Prokurorinë dhe Gjykatat.

Lidhur me këtë, jursti Muhamet Kelmendi, në një prononcim për "Bota sot", ka potencuar se veprat penale regjistrohen dhe pa kaluar afati i përcaktuar ato nuk shlyhen.

Kelmendi shtoi se përcjellja e recidivistëve bëhet me vendim të gjykatës kompetente, por jo përcjellje intensive, sepse sipas tij, këtë përcjellje e vendos vetëm gjykata.

“Evidenca ashtu kështu mbahen, çdo vepër penale regjistrohet në Listën e regjistrimit të veprave dhe ato nuk shlyhen pa kaluar afati i përcaktuar ligjor. Me kalimin e afatit hiqet një vepër nga regjistri dhe ajo nuk figuron më në kuadër të veprave penale. Ndërsa, përcjellja e recidivistëve a të kryerësve të veprave bëhet çdo herë me vendim të gjykatës kompetente. Organet i përcjellin veprat dhe recidivistët, por jo përcjellje intensive. Këtë përcjellje të dukshme e vendos vetëm gjykata, regjistra të tjerë nuk lejohen tash”, ka deklaruar Kelmendi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat