Qëndrimet befasuese të BE-së ndaj vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës

Politika

Qëndrimet befasuese të BE-së ndaj vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës

Nga: A.M. Më: 16 dhjetor 2021 Në ora: 16:57
Flamujt e Bashkimit Evropian.

Së fundi, BE ka kërkuar që të mos respektohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ndërsa, ka kërkuar që të respektohet verdikti kushtetuese për Manastirin e Deçanit.

Kjo gjë po vlerësohet si standard i dyfishtë për Kosovën.

Analisti politik, Leon Duhanaj komentoi këtë qëndrim të Bashkimit Evropian karshi vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.

Fillimisht, ai u shpreh se Kushtetuta e Kosovës është shumë e veçantë sa vështirë që mund të gjendet si ajo, pasi aty vendi ynë paraqitet si shtet me karakter multietnik, edhe pse mbi 90% shqiptarë.

Image
Analisti politik, Leon Duhanaj

“Kosova shtet që në fillim ka qenë kompromis i madh për shqiptarët, sepse lufta për liri e çlirim ishte bërë për një qëllim me të lartë, për bashkim kombëtar. Pas çlirimit, edhe në bisedimet e Vjenës për statusin final, u bë kompromis nga pala kosovare, duke e pranuar një shtet me karakter multietnik, edhe pse mbi 90% shqiptarë.

Kushtetuta e Kosovës është në atë mënyrë që edhe një e tillë nuk mund të gjendet. Pra ka aq shumë të drejta të rezervuara për minoritetet, e sidomos për atë serb, sa që kanë ingirenca edhe të bllokojnë procese me rëndësi për vendit”, deklaroi analisti.

Sipas Duhanajt, Kosova humb nëse Kushtetuta e saj hap ‘dyert’ për të drejta shtesë për minoritetet e të cilat mund të jenë qëllimkëqija.

“Kosova nuk dobësohet, as nuk humb nëse minoritetet gëzojnë të drejta. Por Kosova humb nëse Kushtetuta e saj edhe ashtu e ndjeshme, e humbë kuptimin e saj duke hapur dyert për kuazi të drejta shtesë e të cilat janë veç se qëllimkëqija.

Bashkimi Evropian, duhet ta ketë parasysh faktin se për shqiptarët kjo kushtetutë, është kulmi i tolerancës dhe se ne nuk jemi të gatshëm ta dorëzojmë shtetin në tavolinë”, vlerësoi ai.

Në fund, analisti kërkoi të gjendet një kompromis sa i përket Manastirit të Deçanit dhe të menaxhohet në mënyrën më të mirë të mundshme.

“Për sa i përket manastirit të Deçanit, konsideroj që duket të gjendet një kompromis. Prona duhet të shfrytëzohet dhe menaxhohet në atë mënyrë që të mund të jetë e qasshme për turizëm apo ide tjera. Për lidhje rrugore me Malin e Zi e të mos mund të bllokohet në mënyrë arbitrare nga askush.

Nëse gjendet një kompromis i tillë, ku komuna apo qeveria e mbanë kontrollin mbi të, atëherë mund të realizohet, por jo, në asnjë mënyrë nëse ajo synon të keqpërdoret si enklavë”, përfundoi Leon Duhanaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat