Haradinaj e ‘vajtoi’ Çakorrin/ Analisti nga Amerika i kundërpërgjigjet ashpër: Duhe të të vijë marre!

Politika

Haradinaj e ‘vajtoi’ Çakorrin/ Analisti nga Amerika i kundërpërgjigjet ashpër: Duhe të të vijë marre!

Nga: A.M Më: 3 prill 2022 Në ora: 17:58
Ramush Haradinaj gjatë takimit me përfaqësuesit e Rugovës dhe Podgurit

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj duke përmendur rëndësinë e marrëveshjes së dy presidentëve lidhur me kufirin me Malin e Zi, ka theksuar se nëse nuk ka vullnet politik të bëhet korrigjimi në Qafën e Çakorrit dhe Kullën e Zhlebit, atëherë Kosovës i mbetet Gjyqi i Arbitrazhit.  

Gjithashtu, Haradinaj u shpreh se duhet të kihet kujdes në përgatitjen e materialeve qoftë për korrigjim qoftë për arbitrazh, që Kosova të shënjojë kufirin aty ku është e drejta e saj.    

Analisti nga Amerika, Binak Maxharraj në një prononcim për “Bota sot” komentoi deklaratën e Haradinajt për demarkacionin me Malin e Zi.    

Këtë deklaratë të kreut të AAK-së e vlerësoi si thjeshtë një ëndërr të tij.    

Image
Analisti nga Amerika, Binak Maxharraj

“Ramush Harajdinaj paska fol për demarkacionin me Malin e Zi në një takim më përfaqësuesit e Rugovës dhe Podgurit, ku e ka treguar ëndrrën e tij për Çakorrin. Ai paska thënë se kufiri më Malin e Zi do të përcaktohet pas korrigjimit te kufirit.  

Por nëse nuk ka vullnet politik të bëhet korrigjimi në Qafën e Çakorrit dhe Kullën e Zhlebit me ç 'rast Mali i Zi ia mori 8200 hektar tokë Kosovës, atëherë i mbetet të vendos Gjyqi i Arbitrazhit”, deklaroi analisti.  

Krahas kësaj, Maxharraj tha se ‘ëndrra’ nuk mund t’iu realizohet Haradinajt, pasi ditë më parë për një gjë të tillë reagoi edhe presidenti i Malit të Zi.  

“Korrigjimi i kufirit me Malin e Zi është vetëm një ëndërr e bukur e Ramushit sepse kufiri me Malin e Zi ka përfunduar.  

Nuk ka korrigjim të kufirit deklaroi para pak ditësh kryetari i Malit të Zi, Mile Gjukanoviq, nuk ka kthim prapa sepse kufiri është ratifikuar nga të dy parlamentet në Kosovë dhe Mal të Zi”, theksoi ai.  

Po ashtu, analisti konsideron se Haradinaj nuk ka të drejtë ta vajtojë demarkacionin, pasi ai vetë me dorën e tij e nënshkroi.  

“Por, Haradinajt duhet t’i vijë marre dhe vetëm ai nuk ka të drejtë të vajtojë për demarkacionin sepse pikërisht ishte ai që me dorën e vetë e nënshkroi humbjen e Çakorrit edhe pas tri viteve protestash për mbrojtjen e Çakorrit ai u dorëzua kur Hashim Thaçi ia dha si lëmosh postin e kryeministrit”, nënvizoi Maxharraj.  

Në fund, ai potencoi se nëse  kryetari i AAK-së do të vërtetojë se deri ku është caktuar kufiri të shkojë deri te Kulla e Zhlebit.  

“Se a është shënuar kufiri apo jo lë të shkojë Ramushi deri te Kulla e Zhlebit, atje do ta shoh shenjën se si kufiri ka zbritur 7 kilometra nën kullë, ku edhe do t’i takojë policët e Malit të Zi, besa ata kanë të drejtë edhe të ia lypin pasaportën për kalim kufiri.  

Por, pasi Ramush Haradinaj paska pas takim me rugovasit është dashtë t’i pyet pse nuk munden t’i kullosin bagëtinë dhe t’i vizitojnë varret e të parëve që u kanë mbetë andej kufirit. Ndoshta ata do t’ia kishin treguar të vërtetën Ramushit e jo ai të sheh ëndrra me sy hapur”, përfundoi Binak Maxharraj për “Bota sot”.  

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat