Akuza ndaj Hashim Thaçit që ka tensionuar Edin/ Ja çfarë bënte Rama kur vritej Adem Jashari...

Politika

Akuza ndaj Hashim Thaçit që ka tensionuar Edin/ Ja çfarë bënte Rama kur vritej Adem Jashari...

Nga: P.R Më: 21 korrik 2022 Në ora: 19:56
Edi Rama dhe Hashim Thaçi

Seanca e Kuvendit të Shqipërisë, ku po shqyrtohet “Projektrezoluta mbi pabazueshmërinë e pretendimeve lidhur me trafikimin e organeve në Shqipëri dhe në Kosovë”, pretendime të ngritura në raportin e hartuar nga Dick Marty e i propozuar nga Partia Socialiste e Shqipërisë.

E gjithë seanca është përcjellë me akuza e kundër akuza ndërmjet kryeministrit, Edi Rama dhe deputetëve të opozitës.

Si asnjëherë më parë, Edi Rama është shfaqur i tensionuar dhe me plotë akuza në drejtim të Partisë Demokratike dhe ish kryeministrit, Sali Berisha.

“Dick Marty ia keni hapur rrugën ju. Po kështu, hajdeni këtu dhe thoni se çfarë mendoni për Hashim Thaçin, është mirë aty ku është në burg? Këto shikoni ju sepse thikat që ju keni ngulur Kosovës nga dita e parë duke e masakruar UÇK si terrorist, e si marksist-leninist, e dreqi me të birin deri në ditën e fundit, duke e ngritur thikën e duke ia ngulur mu në gjoks presidentit të Kosovës, i përkasin historisë, ju as nuk i shlyeni dot, as nuk i zhbëni dot, as nuk i mbuloni dot. Historia do të tregojë se ju patriotet e mëdhenj jeni në fakt thika në shpinën e Kosovës dhe kështu keni qenë gjithmonë dhe kështu do të mbeteni sepse bishti i shtrembër nuk drejtohet”, deklaroi Rama.

Kurse Sali Berisha u shpreh se Berisha tha se futi Rama e futi Hashim Thaçin në spiralet e ndryshimit të kufijve në Ballkan, e cila sipas tij, çoi në arrestim.

“Në procesin e arrestimit të Hashim Thaçit qëndron një trinom Kremlin-Beograd-Tiranë. Ky e mori dhe e futi Hashim Thaçin në spiralet e ndryshimit të kufijve në Ballkan. Ky e mori Hashim Thaçin të shtrëngonte duart me Putinin, bashkë me Ymerët dhe Klosët e tij. Janë burime shpifjesh të pafundme. Edi Rama, në një spirale futi udhëheqjen politike të Kosovës, e cila në mënyrë absolute ndikoi në procesin e arrestimit të tyre. Prandaj hidhet dhe kërcen këtu sepse e di që në çdo variant del thjeshtë një argat dhe vasal i Aleksandar Vuçiq. Sepse e di që në çdo samit është i damkosur si argat i tij, jo për Kosovën, përkundrazi, por për planet e Vuçiçit, përpiqet në çdo samit t’i bëjë retushin”, tha Berisha.

Për përplasjet në Kuvendin e Shqipërisë dhe akuzat e Edi Ramës, për gazetën “Bota sot” ka folur Rexhep Shahu, ish gazetar i luftës, tash analist dhe publicist nga Shqipëria.

Image
Rexhep Shahu

“Në Kuvendin e Shqipërisë teksa diskutohej për miratimin e një rezolute që është asgjë dhe nuk ka asnjë peshë politike, juridike dhe asnjë ndikim ndaj Gjykatës Speciale të Kosovës dhe as në fatin e Hashim Thaçit, por vetëm synon ta përmirësojë biografinë politike të Edi Ramës, ta bëjë Ramën pak nacionalist nga internacionalist e globalist që është, të shtojë dozat patriotike populiste të Edi Ramës i akuzuar nga një pjesë e oponionit si vegël e presidentit serb Vuçiq, si një zyrtar i Vuçiqit në rajon, si një zyrtar i emëruar prej Vuçiqit si guvernator i Shqipërisë në Ballkanin e hapur të Vuçiqit ku sundon Serbia si shteti më i madh ekonomikisht, që Kosova nuk është në agjendën e tij dhe nuk ndalet në aksionet e tij të kundërshtuara politike për hatër të Kosovës”, thotë Shahu.

Ai thotë se për kaq shumë vite, Edi Rama ka heshtur ndaj raportit të Dick Martyt, madje ka bërë thirrje për formimin e Gjykatës Speciale.

“Në këto kushte, pas shumë e shumë vitesh që është miratuar Raporti i Dik Martit dhe Rama ka heshtë, ka nderuar e respektuar këngëtarë e futbollistë e politikanë serbë, kujtohet tani kësaj vere për Hashim Thaçin. Ka hall për vete jo për Thaçin. Rama akuzohet nga Sali Berisha dhe një pjesë e opinionit publik se e ka futë në qark, në kurth Hashim Thaçin i cili naivisht i ka besuar Ramës dhe i është përgjigje atij që të pajtohet me presidentin serb Vuçiq e bashkërisht të jenë sjellësit e paqes. por duke mos e lënë Serbinë pa asgjë, pasi ia ka marrë asaj Kosovën Amerika. Thaçi që nuk dihet se si i ka bërë llogaritë, ka qenë inspiruesi i ngritjes së Gjykatës Speciale të Kosovës nga parlamenti i Kosovës, gjykatë me seli në Hagë ku gjendet edhe vetë Thaçi sot. Kur Thaçi ndjehet i pafajshëm nuk ka asnjë vlerë as juridike, e as politike avokatia banale populiste e Edi Ramës. Ne gjyq vlejnë faktet jo duartrokitjet e Edi Ramës, as lotët e tij të dashurisë”, nënvizon Shahu.

Më tej, Shahu thekson se akuza ndaj Hashim Thaçit për vrasjen e anëtarëve të LDK-së ka nxitur tensionimin e Edi Ramës.

“Tani që Thaçi akuzohet për vrasje politike në Kosovë të eksponentëve të LDK-së, irritimi i Edi Ramës dhe përrallat e tij për tu shfaqë si mbrojtës i Thaçit po marrin zjarr. Nuk ka shpatulla as shpatë Edi Rama të luftojë për të mbrojte Hashim Thaçin prej Gjykatës Speciale të Hashim Thaçit, prej gjykatës që e ka ngrite Hashim Thaçi. Nuk ka shpatë as moral Edi Rama të bëjë patriotizëm me fjalë sot kur nuk ka bërë patriotin me fjalë as me vepra në kohen e duhur. Kur vritej Adem Jashari, në Tirane Edi Rama i jepte çelësin e Tiranës këngëtarit serb Bergoviç, për të cilin një pjesë e madhe e opinionit në Kosovë e kudo ishte kundër, pasi mendohet se ai ka qenë këngëtar frymëzues i çetnikëve dhe ushtarëve serbë”, deklaron Shahu.

“Kur vritej Kosova Edi Rama i shkruante letër dashurie futbollistit serb i cili organizonte protestat në botë kundër shqiptarëve, kundër NATO-s dhe ishte shok i Arkanit kriminel. Rama i shkruante letra dashurie e adhurimi këtij futbollisti dhe i rrëfente miqësinë me presidentin serb Vuçiq që ia dha numrin e tij të telefonit… Nuk e dimë asnjë relacion miqësie të Edi Ramës me politikanët në Kosovë siç i ka relacionet ai me presidentin serb”, thotë më tej Shahu.

Shahu thekson se Edi Rama ka ndonjë frikë se mos po pyetet Hashim Thaçi për ndonjë gjë lidhur me Ramën, dhe Thaçi mund të flasë.

“Ne nuk dimë asgjë, por irritimi i tanishëm i Ramës për Thaçin është si rrufe pa vetëtima, shi e bubullima. Duket se kërkohet të bëhet kjo zhurmë që të hiqet vëmendja nga ndonjë skandal tjetër pasi në Shqipëri ka vetëm seriale skandalesh nga politika. Rama duket se ka ndonjë frikë. Nuk besoj se është akt trimërie të luftosh për një rezolutë që nuk i vlen askujt veç me kënaqë disa përkrahës të Thaçit në Kosovë dhe me emocionue prindërit e tij, se ja që Edi Rama i Shqipërisë po na e don djalin. Rezoluta e Dik Martit nuk ka kaluar se e kanë lejuar përfaqësuesit e Shqipërisë se Rama i din të fuqishëm përfaqësuesit e Shqipërisë kur nuk i ka pyetur as nuk i pyet askush, aq sa pyesin Ramën që nuk e përfill askush në Evropë as për pikturat e tij”, shpjegon Shahu për “Bota sot”.

Shahu hedh akuza në drejtim të Edi Ramës për sjelljen ndaj Kosovës.

“Kur Thaçi vet ka pranuar të përballet me ato akuza, pse i dhemb Ramës tani. Pse don ta kthejë Kosovën në popull, në turmë fisesh që protestojnë për Thaçin e burgosur, për prijësin e burgosur kur ne synojmë që Kosova të jetë e të sillet si shtet demokratik i monitoruar nga miqtë e mëdhenj të saj. Sjelljet e Edi Ramës duan ta shndërrojnë Kosovën në fis. Ditën që ka dalë raporti i Dik Martit, kam dhënë intervistë në TV Ora në Tiranë dhe kam shkruar si gazetar i kohës së luftës mjaft i informuar, se për sa akuzohet Thaçi dhe UÇK për shtëpinë e verdhë e trafik organesh, jam gati t’i vë duart e mia në një palë pranga me duart e Hashim Thaçit. Të interesuarit shkrimin e gjejnë në internet”, nënvizon publicsiti Shahu.

Akuzat e Edi Ramës ndaj Sali Berishës, Rexhep Shahu i quan të ligja dhe për inate partiake.

“Edi Rama ka qenë jashtë loje në ato kohë dhe ka mbetë gjithmonë jashtë Kosovës sepse kurrë nuk diti Edi Rama të hyjë në Kosovë, nuk diti si hyhet në Kosovë dhe asnjëherë kurrë nuk arin ta mundë Sali Berishën në Kosovë lidhur me sa ka bërë Berisha edhe me udhën e Kombit për Kosovën. Berisha paguan vetë mëkatet e veta, nuk na kërkon ndihmë neve dhe Edi Rama lumturohet ta vrasin të tjerët armikun e tij se vetë nuk e vret dot, po për Kosovën Berisha ka bërë sa një faraon duke çelë udhën e Kombit me iniciativë vetëm personale si kryeministër. Edi Rama dhe gjithë të ligjtë akuzues se Shqipëria ka furnizuar Serbinë me naftë në kohen e luftës janë shumë të ligj dhe për inate partiake politike i vënë thikë në shpinë Shqipërisë. Edi Rama në këtë rast është me thikë në dorë në shpinë të Shqipërisë për inat të Sali Berishës”.

“Zëdhënësi i NATO-s Jamie Shea ka deklaruar qartë se makineria ushtarake e luftës e Serbisë furnizohej me naftë nga Danubi ku lundronin vaporat me naftë për Serbinë. Nuk ka thënë se furnizohej me naftë nga Shqipëria. Shqipëria ka qenë e monitoruar nga ndërkombëtarët në ato kohë dhe nuk ka patur as mundësinë fizike të furnizonte ushtrinë serbe. Është e vogël Shqipëria për atë punë aq të madhe. Edi Rama e din më mirë se të tjerët se sa e madhe është Serbia se java shtatë e ai tetë ditë rri me presidentin serb”, shton Shahu.

Për fund, Shahu deklaron se është e trishtueshme që Edi Rama përdor kaq poshtërsisht Kosovën për interesat e tij.

“Shqiptarët e paktë që nxirrnin naftë me bidona e serberatora veturash në Kosovë ua shisnin atë naftë shqiptarëve të Kosovës, por nuk kishin koqe me furnizue makinerinë serbe të luftës. Dhe ata që shisnin nga 50 litra naftë në Kosovë kryesisht ishin eksponentë të mëvonshëm miq të Edi Ramës. Me ditë Adem Jashari se e përgojon për ta mbrojtë Edi Rama, ai nis dhe ec rrugëve të Tiranës ashtu shtatore si është në hyrje të Tiranës. Është trishtim që Edi Rama përdor kaq poshtërsisht Kosovën, dhimbjet e plagët e saj për të vënë grada patriotizmi ai në supet e tij të rënduara me dyshime”, përfundon për “Bota sot” analisti dhe publicisti Rexhep Shahu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat