Naim Miftari akuzon komandantët dhe Hashim Thaçin: U pasuruan brenda natës, morën sekretaresha... u zunë ngushtë nga UDB-ja

Politika

Naim Miftari akuzon komandantët dhe Hashim Thaçin: U pasuruan brenda natës, morën sekretaresha... u zunë ngushtë nga UDB-ja

Nga: Nehat Shaqiri Më: 24 tetor 2022 Në ora: 19:01
Naim Miftari dhe Hashim Thaçi

Ish-eprori i lartë i UÇK-së dhe ish-agjenti i SHIK-ut, Naim Miftari ka kritikuar partitë që kanë qeverisur për dy dekada me Kosovën, pasi nuk kanë bërë asgjë për të denoncuar e akuzuar Serbinë për krimet e tyre të kryera në Kosovë.

Miftari është shprehur se komandantët dhe ish komunistët e kishin ndarë pushtetin, dhe më nuk u interesonte asgjë për vrasjen e civilëve nga Serbia, gravë e fëmijëve dhe krimet tjera.

“Për krimet e luftës është dashtë qysh në vitin 1999 me fillu seriozisht për t’u marrë dhe denoncuar, e ngritur padi, pasi kishte shumë fakte, shumë dëshmitarë dhe ishin dëshmitë e freskëta, por si erdhën në  pushtet ish komunistët dhe ish komandantët, e ndanë pushtetin dhe nuk ju interesonte më pse Kosovës iu kishin vrarë 15.000 civilë, pse ishte përndjeku 80% e popullatës, pse ishin vrarë mijëra fëmijë, dhunuar dhjetëra mijëra gra e burra, u dogjën mbi 116000 shtëpi, e plot krime të tjera”, thotë Miftari.

Ai thotë se, përgjegjës për mos adresim të këtyre krimeve janë edhe personat kyçë të instaluar në sistemin e drejtësisë.

“Edhe prokurorët e gjyqtarët i zgjodhën nga ish sistemi komunist dhe nga ish pushteti që ishte edhe pushtet i Millosheviqit. Prapë këta komunistët që u bënë demokratë brenda natës nuk më befasonin, por me befasonin ish komandantët tonë të luftës që posa morën pak pushtet e i bënë do pare brenda natës, dhe do sekretaresha, dashnore të tyre, e harruan luftën, e harruan gjakun e mbi 2000 dëshmorëve, i harruan të gjitha”, shprehet ai.

Miftari shton se, Kosova ka fakte për të kërkuar dhjetëra mijëra kriminelë që t’i dorëzojë Serbia, për qindra mijëra krime të luftës, për miliarda dollarë dëmshpërblime. 

“Për dëmet e luftës, Kosova nuk duhet ta falë e as amnistojë asnjë krim, pasi Serbia po na akuzon rregullisht pa bërë ne fare krime ndaj popullatës serbe apo kujtdo qoftë tjetër. Serbia e ka imponuar Gjykatën Speciale me një  propagandë të ndytë, prandaj edhe kjo Gjykatë u bë nga Serbia dhe miqtë e saj, disa edhe të paguar me para të majme. Si duket shumë komandantë të luftës, duke filluar nga Hashim Thaçi, ishin të zënë ‘ngushtë’ me dosjet e UDB-së për bashkëpunimin e para luftës dhe gjatë luftës, ishin të zënë edhe me dosjet e miqve të Serbisë, Rusia, Franca... dosje këto të pas luftës, prandaj nuk u dëgjua kurrë seriozisht zëri i ish komandantëve, por as i ish komunistëve, që disa ishin edhe bashkëpunëtorë të  Millosheviqit e Rrahman Morinës”, thotë Miftari.

Ai në fund thekson se, qeveria e Albin Kurtit nuk e beson se do t’i falë dhe lë në harresë krimet e luftës, siç i falën e i harruan qëllimisht qeveritë e deri djeshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat