“Kur Escobar e thotë këtë, Albin Kurti duhet ta firmosë për dy minuta”/ Vjen thirrja për kryeministrin

Politika

“Kur Escobar e thotë këtë, Albin Kurti duhet ta firmosë për dy minuta”/ Vjen thirrja për kryeministrin

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 25 tetor 2022 Në ora: 19:28
I dërguari i posaçëm i Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe kryeministri i Kosoves, Albin Kurti

I dërguari i posaçëm i Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, Kosova dhe Serbia janë afër arritjes së një marrëveshjeje, marrëveshje kjo që është “çështje javësh dhe jo vitesh”.

“Çështja është koha se kur do të ndodhë. Por, ajo që është më e rëndësishme për Kosovën është që të nisë një rrugë më të qëndrueshme drejt integrimit në strukturat euroatlantike, duke përfshirë edhe njohjen nga pesë shtetet mosnjohëse të BE-së”, tha Escobar.

Kurse kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se marrëveshja finale me njohje reciproke në mes të Kosovës dhe Serbisë është afër.

“Qytetarëve në Obiliq iu shpreha bindjen time se marrëveshja finale me njohjen reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është afër. Marrëveshja i hap Kosovës rrugën drejtë NATO-s dhe Bashkimit Evropian. Qeveria duhet të ketë kujdes në këtë fazë në mbrojtjen e interesave nacionale të Kosovës. Roli im dhe i Aleancës është që të ndihmojmë këtë proces ku kërkohet unitet politik”, ka thënë Haradinaj.

E analisti dhe publicisti nga Shqipëria, Rexhep Shahu, thotë se Kosova duhet të veprojë ashtu siç i thotë Amerika.

“Unë dua të besoj siç kam besuar gjithmonë në ato që thonë amerikanët për Kosovën se ne jemi të lirë falë amerikanëve dhe amerikanët janë sponsor të lirisë, të pavarësisë e garante të sigurisë e mëvetësisë tonë. Çdo shitje mendsh amerikanëve apo çdo tentativë për të bërë sipas mendjes tonë është aventurë që fatkeqësisht e paguan dhe e ka paguar populli shqiptar gjithmonë. Politikanët tanë që nuk dëgjojnë amerikanët korrin në det e mjelin mjegulla. Mendoj se bota ka ardhë në një kulm krizash e zhvillimesh dhe mendoj se jemi në dorë të zotit sa ekziston përkrahja e vëmendja amerikane”, thotë Shahu.

“Në fillim te shekullit të 20-të, hapësirat shqiptare pjesë e prona të perandorisë osmane, që nuk njiheshin si Shqipëri por si pjesë të perandorisë osmane, iu dhanë fqinjëve dhe hapësirat shqiptare mbetën cunge. Erdhi një moment në fund të shekullit në vitet 1998-1999, që shqiptarët pohuan se ishin te pazhbëshëm, dhe me iniciativën e amerikanëve fuqitë e mëdha vendosen të korrigjojnë gabimin e tyre në raport me shqiptarët dhe vendosen dhe e bënë ata luftën për Kosovën e pavarur e pa serbë. Shqiptarët ndihmuan me lotë, me gjak e sakrifica, por fuqia ushtarake që e mundi dhe e dëboi Serbinë prej Kosove ishte e Amerikës dhe fuqive të mëdha”, shpjegon analisti Shahu.

Më tej, ai thotë se në Kosovë ka në vazhdimësi ndikim rus, për cka po sponsorizohet që të punohet kundër Amerikës.

“Pas luftës, armiqtë e Kosovës e të shqiptarëve kundërshtuan e kundërshtojnë përditë pavarësinë e lirinë e Kosovës duke fuqizuar atë që bota euroatlantike e ka më shumë inat, duke synuar ta bëjnë Kosovën islamike e radikale islamike. Këtë sponsorizim kundër Amerikës e Evropës për ta bërë Kosovën islamike radikale e përkrahin disa shqiptarë, por ky është investim rus e serb dhe shqiptarët që hanë paratë e tyre pranojnë ta bëjnë Kosovën islamike kundër vullnetit amerikan e evropian. Kjo vetëm që të arrijnë të pendojnë Amerikën e Evropën pse u investuan për lirinë e pavarësinë e Kosovës, për ndreqjen e gabimit të kohës së ndarjes së kufijve”, thekson publicisti Rexhep Shahu për “Bota sot”.

Image
Rexhep Shahu

Sipas Shahut, Albin Kurti duhet të pranojë kërkesat e të dërguari të posaçëm të Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

“Sot kur thonë diçka amerikanët, shqiptarët në Prishtinë e Tiranë duhet ta bëjnë menjëherë. Kur Escobare thotë këtë, pra të shtyhet me 10 muaj vendimi, Albin Kurti duhet ta firmosë për dy minuta dhe nuk mundet të bëjë kopalla e të tregojë muskuj apo trimëri para amerikanëve pasi Albini nuk ka kontribut për lirinë e Kosovës sa ka Amerika. Teoritë marksiste e komuniste gënjeshtrat e mashtrimet sikur na kemi bo namin me pushke për lirinë, janë përralla për netë dimri, pasi pa amerikanët ndoshta ne sot do të flisnim serbisht në Prishtinë”.

Për fund, Shahu deklaron se nuk ka marrëveshje Kosovë-Serbi pa amerikanët.

“Nuk ka marrëveshje pa amerikanët, nuk duhet të ketë, nuk duhet lejuar as pranuar marrëveshje pa amerikanët dhe gjithkush duhet të jetë i bindur se nuk ka asociacion komunash serbe që e sundon apo e shkatërron një shtet të shqiptarëve në Kosovë, ndaj asnjë frikë nga asociacioni i komunave serbe, pasi shqiptarët e shuajnë e shqiptarizojnë atë asociacion serb në shtetin e tyre shqiptar. Nuk besoj se qeveria aktuale ka fuqinë e vetme të arrijë ndonjë marrëveshje historike, pasi ajo mendon se ka votat por nuk ka mbështetjen reale morale të Kosovës” analisti dhe publicisti nga Shqipëria, Rexhep Shahu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat