Dita e katërt e bllokadës në veri, opozita kërkesë kryeministrit: Merr masa, Serbia është luftënxitëse

Politika

Dita e katërt e bllokadës në veri, opozita kërkesë kryeministrit: Merr masa, Serbia është luftënxitëse

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 13 dhjetor 2022 Në ora: 19:51
Bllokada ne veri

Bllokimi i rrugëve që çojnë për në vendkalimet kufitare me Serbinë tashmë ka hyrë në ditën e katërt.

Sipas Policisë së Kosovës, situata është e njëjtë.

Komunikata e fundit e policisë, njofton se ata vazhdojnë të mbesin vigjilentë dhe e angazhuar, pavarësisht akteve kriminale dhe sulmeve ndaj personelit të sigurisë, personelit monitories ndërkombëtar dhe mediave.

“Situata e sigurisë në veri të vendit edhe sot vazhdon të jetë e njëjtë që nga vendosja e barrikadave nga grupet kriminale, po ashtu edhe dy pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjak vazhdojnë të jenë të mbyllura tanimë për arsye të njohura, pasi që grupet kriminale po pengojnë lirinë e lëvizjes së qytetarëve dhe qarkullimit të mallrave.

Pavarësisht akteve kriminale dhe sulmeve të raportuara ndaj personelit të sigurisë, personelit monitorues ndërkombëtar dhe mediave, Policia e Kosovës vazhdon të mbetet vigjilente dhe e angazhuar në nivelin dhe moralin më të lartë të kryerjes së detyrave kushtetuese dhe ligjore, në interes të sigurisë së përgjithshme”, njoftojnë nga policia.

Ndërsa, opozita kërkon nga kryeministri të ndërmarrë masa ose të lëshojë rrugë.

Deputeti nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se situata në veri është komplikuar më shumë se që e ka menduar ndonjë kush. Ai e konsideron të vonuar vendimin e Presidentes për të shtyrë zgjedhjet në veri, gjersa ka shtuar se nëse Kurti nuk është i aftë të dialogojë me Serbinë, le të lëshojë rrugë.

“Situata në veri është komplikuar më shumë se që e ka menduar ndonjë kush. Edhe pse me vonesë, presidentja Vjosa Osmani, ka shtyre zgjedhjet në veri, tani është koha që Serbia të ndalë sulmet dhe t’i largojë barrikadat nëse do që të mos has në kundërpërgjigjen e KFOR-it. I kërkoj kryeministrit Kurti të ndërmarrë masa ose le të lëshojë rrugë, nëse nuk është i aftë të dialogojë me Serbinë. Serbia e dëshmon përsëri që është luftënxitës, ashtu siç ka qenë në kohën e Millosheviqit, por atë duhet ta ndal dikush, jo ta lejojë të bëjë këso veprimesh”, ka deklaruar Lekaj.

Image
Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj

Kujtojmë, se sot në ora 17:30 kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar sot me të dërguarin e posaçëm, Gabriel Escobor, në takim këtë që pos kërkesës së Escobar për implementimin e marrëveshjes së Asociacionit ishte diskutuar edhe për nevojën që secili ta mbajë qetësinë në kohë tensionesh dhe të vazhdohet dialogu.

“Diskutuam për nevojën që çdonjëri të jetë i qetë, për nevojën që të vazhdohet dialogu, për nevojën që të fokusohemi te dialogu i lehtësuar nga BE”, ka deklaruar Escobar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat