Paralajmërimi: Ja kë po e përdor Serbia si kamikazë për destabilizimin e Kosovës

Politika

Paralajmërimi: Ja kë po e përdor Serbia si kamikazë për destabilizimin e Kosovës

Nga: P.R Më: 15 dhjetor 2022 Në ora: 21:44
Pamje nga Veriu i Kosovës

Publicisti nga Shqipëria, Rexhep Shahu, duke folur për zhvillimet në veri të Kosovës, thotë se qeveria e Serbisë i përdor serbët e veriut të Kosovës si kamikazë, që të destabilizojë Kosovën.

“Ajo që shoh unë në gjithë këto zhvillimet e fundit në Veriun e Kosovës nga pala serbe e pala shqiptare, më duket si luftë e kotë. Pala shqiptare don të vendosë sovranitet me anë të votimeve, të bëjë zgjedhje atje kur në tersi serbët e veriut nuk besojnë në qeverinë e Kosovës edhe të instruktuar nga qeveria e Beogradit. Qeveria e Beogradit i përdor serbët e veriut të Kosovës si kamikazë që të destabilizojë Kosovën. Lista serbe në këtë rast përdoret si batalion kundër Kosovës, por ajo nuk ka fuqi ta destabilizojë Kosovën. Kosovën e destabilizojnë nëse nuk kanë vëmendjen e duhur vetëm shqiptarët”, thotë Shahu për “Bota sot”.

Image
Rexhep Shahu

Sipas tij, Kosova ka garancinë amerikane dhe të NATO-s për sigurinë e saj.

“Aktualisht në kushtet siç janë, kur Kosova ka garanci amerikane dhe ka NATO-n në Kosovë që e mbron, nuk ka Beograd që e destabilizon. Por ndërkohë kur Kosova ka dhënë garanci për trajtimin e pakicave dhe sidomos asaj serbe, nuk ka qeveri në Kosovë që i fut me dhunë nën komandë serbët e veriut. Kosova me gjithë potencialin e saj njerëzor, politik e ushtarak e vetme nuk përballet dot me Serbinë”, shprehet Shahu.

Më tej, ai thotë se Kosova duhet ta ruajë shtetësinë e saj me anë të miqve amerikanë dhe NATO-s.

“Serbia edhe të fuqizohet edhe tri herë më shumë nuk fërkohet dot me Amerikën e NATO-n që e mbrojnë dhe garantojnë Kosovën. Amerika dhe NATO ia kanë marrë me luftë Kosovën Serbisë që e ka qeverisë një shekull dhe sot Kosova njihet shtet i pavarur i lirë e demokratik nga shumica e shteteve të botës”, thekson publicisti Shahu.

Për fund, Shahu thotë se çdo vonesë nga ana e qeverisë së Kosovës përballë kërkesave amerikane, rrit rrezikun për eskalim.

“Por Kosova nuk mund ta shpërfillë bashkësinë ndërkombëtare, Amerikën sepse e vetme Kosova nuk ia del. Individë që kryesisht nuk jetojnë në Kosovë fyejnë e tallin zyrtarët amerikanë, pse ata kërkojnë Asociacionin e komunave serbe. Asociacioni brenda kushtetutës së Kosovës, brenda tërësisë territoriale të Kosovës nuk mundet t’i bëjë asgjë Kosovës. Çdo vonesë nga qeveria e Kosovës rrit rrezikun dhe presionin ndërkombëtar. Nuk ka vend as kohë as rend për patriotizëm, çdo llomotitje për këtë është patriotizëm fals”, përfundon për “Bota sot”, publicisti nga Shqipëria, Rexhep Shahu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat