“Është momenti vendimtar”/ Kërkohet unitet pozitë-opozitë, bashkë me SHBA-të

Politika

“Është momenti vendimtar”/ Kërkohet unitet pozitë-opozitë, bashkë me SHBA-të

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 16 qershor 2023 Në ora: 17:49
Foto ilustrim

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti u bojkotuan nga vendet e QUINT-it në 24 vjetorin e Ditës së Çlirimit të Kosovës, të organizuara nga Zyra e Kryeministrit dhe ajo e Presidencës.

Shkak për këtë është gjendja e krijuar në veri të Kosovës dhe tensionet me Serbinë, si dhe raportet që kryeministri Kurti ka tani me bashkësinë ndërkombëtare.

E kjo situatë, ka bërë që të anulohet edhe mbledhja e mes dy qeverisë, asaj të Kosovës dhe Shqipërisë, mbledhje kjo e cila ishte paraparë që të mbahej sot në Gjakovë.

“E kam informuar kryeministrin Kurti se në kushtet e agravimit të marrëdhënieve të Kosovës me krejt bashkësinë euroatlantike, ky takim nuk mund të mbahet në formatin e parashikuar. Pasi kam folur pasdite me shefin e diplomacisë evropiane, Josep Borrell, i kam kërkuar Albinit për t’u takuar nesër në Gjakovë në një format më të ngushtë, përkatësisht me ministrat e Jashtëm dhe ata të Mbrojtjes për të diskutuar pikërisht lidhur me këtë situatë, e cila po e çan në mënyrë dramatike Kosovën me bashkësinë euroatlantike në një pikë të paimagjinueshme, ku kjo e fundit ka vënë gishtin, faktikisht, në butonin që do vërë në lëvizje planin e sanksioneve ndaj shtetit që e ka krijuar vetë”, tha Edi Rama.

Kurse nga qeveria e Kosovës e cilësuan të njëanshëm vendimin e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.

“Mbledhjet e përbashkëta janë ndërmarrje të madhe organizative, të cilave u paraprinë një punë e madhe e ministrive për të përgatitur atë ditë. Nesër do të duhej të nënshkruheshin 13 marrëveshje të reja. Ato kishin synim t’i afronin ekonomitë tona, sistemet tona të drejtësisë, arsimit, kulturës, etj. Janë qytetarët ata që do humbasin më së shumti. Për fat të keq, anulimi i mbledhjes nga ana e kryeministrit Rama anuloi mundësinë për t’i nënshkruar ato. Jemi fare afër njëri-tjetrit si vende. Nuk do të ishte hera parë që do të takoheshim brenda ditës. Por është hera parë që një mbledhje e përbashkët anulohet në mënyrë të njëanshme”, deklaroi zëdhënësi i qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu.

E gjithë kjo situatë e krijuar, sipas analisteve dhe njohëseve të çështjeve politike, tregon nevojën për një koordinim pozitë dhe opozitë në Kosovë, gjë e cila deri më tani nuk ka ndodhur.

Bashkim forcash pozitë-opozitë

Për këtë doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Gurakuç Kuçi fajtor e bën kryeministrin Kurti dhe partitë opozitare në Kosovë.

Image
Doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Gurakuç Kuçi

“Në politikën e jashtme, subjektet politike shpesh ndajnë qëllime të ngjashme me variacione të vogla. Megjithatë, kjo nuk është gjithmonë e vërtetë për vendet që kanë dështuar në krijimin e një strategjie kombëtare në kohë dhe gjithëpërfshirëse, duke rezultuar në veprime politike të drejtuara nga perspektivat afatshkurtra partiake. Opozita në Kosovë refuzon me këmbëngulje çdo bashkëpunim me qeverinë, mendim të cilin e kanë edhe në Kuvend, përveç rrethanave të jashtëzakonshme. Ata shprehimisht kanë deklaruar mosgatishmërinë e tyre për të mos marrë pjesë në asnjë nismë të udhëhequr nga z. Kurti, i cili po ashtu nuk ka treguar asnjë prirje për t'u angazhuar me opozitën”, thotë Kuçi për “Bota sot”.

Sipas tij, është momenti vendimtar për një bashkim forcash në të mirë të shtetit të Kosovës.

“Megjithatë, një ndryshim i dukshëm në qëndrim dhe qasje që është shfaqur përmes deklaratës së fundit të z. Escobar. Ai pa mëdyshje deklaroi: “Albin Kurti është partneri ynë. Edhe pse sfidues nganjëherë, ai mbetet partner. Kosova është partneri ynë. Duke ecur përpara, ne synojmë të shfrytëzojmë marrëdhëniet tona të forta me Kosovën për të përmirësuar marrëdhëniet me Serbinë”. Kjo paraqet një mundësi të re për një konsolidim strategjik të pozitave brenda Kosovës, ku si partia në pushtet ashtu edhe opozita, së bashku me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara, mund të nisin një ofensivë të re diplomatike në favor të Kosovës. Kjo nismë e ka momentin vendimtar, pas konflikteve të brendshme dhe të jashtme politike”, shpjegon Kuçi.

“Nëse në Kosovë arrihet uniteti politik në lidhje me Serbinë dhe politikën e jashtme, komuniteti ndërkombëtar do t'i ofronte Kosovës një respekt dukshëm më të madh. Kjo do të dërgonte një mesazh të vendosur se nuk ka partnerë alternativë në Kosovë kur vjen fjala tek prekja e interesave strategjike të Kosovës”, përfundon Gurakuç Kuçi për “Bota sot”.

Situatë alarmuese

E gjendjen e krijuar së fundi në Kosovë po e sheh shqetësuese analisti Haki Latifi.

Image
Haki Latifi.

“Është shqetësuese mos pjesëmarrja në pritjen shtetërore e përfaqësueseve të vendeve mike që ndihmuan në çlirimin dhe bërjen e Kosovës shtet, të organizuar bashkërisht nga presidentja Vjosa Osmani, krye parlamentari Glauk Konjufca dhe kryeministri Albin Kurti. Është shuplaka e radhës dhe sinjal i qartë për institucionet e Kosovës dhe opozitën që të gjejnë gjuhë të përbashkët në tejkalimin e gjendjes së rënd politike që po kalon vendi. Kemi diskreditimin e radhës të shtetit, në të cilën për sa vite as edhe një njohje nuk ka ndodhur, përkundrazi çnjohje dhe tash së fundit edhe ky "bojkot" i ambasadorëve të Quintit, vërtetë është Alarmuese dhe shumë shqetësuese!”, shprehet Latifi për “Bota sot”.

“Është hera parë që bojkotohet një pritje kremteje nga ana e ambasadorëve të shteteve mike të organizuar nga e presidentja për Ditën e Çlirimit dhe një ndëshkim i radhës nga bashkësia ndërkombëtare për Kosovën. Është fjala për miqtë që intervenuan me gjithë arsenalin për të na çliruar, dhe ata sot nuk ishin për të festuar bashkë me institucionet e shtetit të Kosovës”, shton Latifi.

Për fund, ai thotë se është momenti i fundit për koordinim me aleatët ndërkombëtar.

“Kjo papërgjegjësi, pa aftësi i faturohet kryeneçësisë së Qeverisë Kurti dhe e presidentes Osmani. Mendoj se bojkoti është bërë për t’i dhënë mesazh kryeministrit, Albin Kurti se tashmë ai nuk është në një linjë me Amerikën dhe aleatët e saj. Është koha e fundit që të reflektojnë për të riparuar atë çka mund të riparohet në marrëdhëniet politike me miqtë e shtetit të Kosovës”, deklaron analisti Haki Latifi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat