Kuvendi i Kosovës ‘arenë’ përleshjesh fizike – kush ishte fajtori për ato skena të shëmtuara dhune?

Politika

Kuvendi i Kosovës ‘arenë’ përleshjesh fizike – kush ishte fajtori për ato skena të shëmtuara dhune?

Arife Morina Nga Arife Morina Më 14 korrik 2023 Në ora: 11:53
Pamje nga përleshja në Kuvendin e Kosovës

Kuvendi i Kosovës u kthye në një ‘arenë përleshjesh ‘ditën e enjte, pasi deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) u përplasën fizikisht me përfaqësuesit e qeverisë.

Përleshjet ‘shpërthyen’ gjatë kohës kur kryeministri Albin Kurti po fliste për situatën në veri të Kosovës dhe jepte detaje për marrëveshjen që është arritur me Bashkimin Evropian (BE) për hapat e parë drejt uljes së tensioneve.

Fjalimi i Kurtit u pengua nga deputetët e opozitës duke brohoritur dhe duke e cilësuar si “gënjeshtar”.

U desh ndërhyrja e sigurimit të kryeministrit për të vënë situatën nën kontroll, ndërsa kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca kërkoi edhe ndërhyrjen e policisë.

Përplasjet fizike vazhduan edhe në orët e pasdites pasi deputetë të opozitës bllokuan foltoren e parlamentit dhe penguan për disa orë mbajtjen e seancës së parlamentit.

Këto ngjarje të ‘shëmtuara’ morën edhe vëmendjen e mediave ndërkombëtare, ku shumë prej tyre raportuan për përplasjet në Kuvendin e Kosovës.

Madje, Prokuroria Themelore në Prishtinë njoftoi se ka nisur hetimet për përleshjet në parlamentin e Kosovës për veprën penale “sulm dhe ka autorizuar policinë për ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore, përfshirë po ashtu marrjen e deklaratave të palëve të përfshira në këtë rast”.

Mehazi: I gjithë faji i dhunës në Kuvendin e Kosovës erdhi nga partia opozitare e PDK-së

Image
Sulejman Mehazi

E për këtë temë, në një prononcim për “Bota sot” foli profesori Sulejman Mehazi.

Së pari, ai u shpreh se përleshjet dhe ofendimet në seancat parlamentar ndodhin edhe në vende të tjera të botës.

Krahas kësaj, ai përmendi edhe raste në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut dhe atë të Shqipërisë.

“Pikësëpari dhuna, ofendimet e rrahjet e deputetëve nëpër seancat parlamentare kanë ndodhur, ndodhin dhe do të ndodhin edhe në shtetet më demokratike evropiane e jo më në Kosovë e në shtetet tjera ballkanike.

Para disa viteve ende më keq ndodhi në Kuvendin e RMV-së ku qytetarët maqedonas hynë dhunshëm në Kuvendin e RMV-së dhe për pak shpëtoi nga vdekja kryetari i ASH-së, Zijadin Sela nga dhuna e qytetarëve maqedonas, mos të përmendim deputetin Hajdarin të PD-së në Shqipëri që gjatë seancës parlamentare e plagosën rëndë”, deklaroi profesori.

Mehazi tha se përgjegjësi për skenat e shëmtuara në Kuvend janë deputetët.

Sipas tij, konfliktet parlamentare në shumicën e rasteve vijnë kur opozita nuk i përballon ligjet e pushtetit.

“Nuk e arsyetojmë dhunën e deputetëve në Kuvend pasi aty është vendi i mendimeve pro e kontra, nuk është ring boksi, por shumë më mirë është të zihen e rrihen deputetët në parlament sesa të rrihen, vriten e dhunohen qytetarët jashtë parlamentit.

Populli apo qytetarët deputetëve s'ua kanë dhënë votat për t'u kënaqur, ushqyer e freskuar me pije të ndryshme, por për të çuar premtimet e tyre në vend, vota është përgjegjësi e madhe e deputetëve dhe për shkak kësaj përgjegjësie mund të ndodhin çfarë do lloje skenash të shëmtuara në seancat parlamentare. Parlamentet nuk janë vende për të shprehur kulturë, por për të shprehur idetë politike kontraverse partiake, pozitë e opozitë dhe këto kundërshtime partiake bien dhe konflikte, inate, zënie deri në sulme fizike. Teoria parlamentare ka treguar se rrjedha e konflikteve në seancat parlamentare çdoherë vjen nga partitë opozitare të cilët nuk mund të përballojnë ligjet e ardhura nga partitë në pushtet”, theksoi ai.

Ndër të tjera, profesori fajtor kryesor për dhunën në Kuvendin e Kosovës e cilësoi PDK-në, pasi tha se kjo e fundi po e duron “qeverinë e Albin Kurtit të guximshëm”.

“Pra, i gjithë faji i dhunës në Kuvendin e Kosovës erdhi nga partia opozitare e PDK-së, të cilët kurrsesi nuk mund ta përballojnë e durojnë qeverinë e Albin Kurtit të guximshëm e të drejtë i cili me veprimet e tij politike fuqishëm ka vendosur të luftojë korrupsionet e më përparshme të PDK-së.

Është e qartë se ashpërsia e PDK-së në Kuvendin e Kosovës është vetëm për shkak se Kurti jo vetëm që ia ka ndalur korrupsionin, PDK-së, por me ligj do ua konfiskojë të gjitha krimet e bëra korruptive njëzetvjeçare”, përfundoi Sulejman Mehazi për “Bota sot”.

Elezaj: Zhvillimet në Kuvendin e Kosovës janë kryekëput pasojë e raporteve të tensionuara mes opozitës dhe mazhorancës në pushtet

Image
Rexhep Elezaj

Edhe opinionisti Rexhep Elezaj në një bashkëbisedim me gazetën “Bota sot” komentoi këtë përplasje.

Së pari, ai u shpreh se përplasje mes opozitës dhe pozitës kanë ndodhur edhe në të kaluarën, në shumë vende të tjera të botës, jo vetëm në Kosovë.

“Në jetën parlamentare të popujve dhe shoqërive pluraliste dhe demokratike në botë, polemikat, kundërshtimet, ofendimet verbale si dhe përleshjet fizike mes deputetëve të opozitës dhe pozitës në pushtet, kanë ndodhur dhe vazhdojnë të ndodhin sot e kësaj dite, jo vetëm në Kosovë.

Prandaj, përleshjen fizike mes deputetëve e cila ndodhi sot në Kuvendin e Kosovës, unë nuk e shoh nga ndonjë kënd tjetër, veçse si një e drejtë legjitime e shprehjes së bindjes së deputetit, ose të refuzimit të tij ndaj vendimeve të pozitës, sepse siç dihet, ka më shumë se një vit që tema dhe çështje të rëndësishme për Kosovën janë trajtuar në Kuvend, ku në veçanti ka dominuar çështja e ndërlikuar e sigurisë në veri të Kosovës, qoftë për shkak të rrjedhave të ngadalshme në dialogun Kosovë-Serbi, qoftë për shkak të dërgimit me polici të tre kryetarëve shqiptarë të zgjedhur me pak vota në ndërtesat e tri komunave në veri”, deklaroi opinionisti.

Po ashtu, Elezaj përleshjet në Kuvend i ndërlidhi me zhvillimet dhe tensionet e fundit në veri të vendit.

“Pra, konsideroj se për këto dhe shkaqe tjera ka ardhur deri tek eskalimi i situates në veri, ku serbët lokalë organizuan protesta të dhunshme kundër hyrjes në ndërtesat e tri komunave të kryetarëve shqiptarë, ku pati me dhjetëra ushtarë të lënduar rënd të KFOR-it italian dhe hungarez..!?

Pra, zhvillimet në Kuvendin e Kosovës janë kryekëput pasojë e raporteve të tensionuara mes opozitës dhe mazhorancës në pushtet, siç thonë, për shkak të kokëfortësisë së kryeministrit Kurti, i cili për veprimet e ndërmarra në veri nuk është koordinuar me faktorët ndërkombëtarë, sidomos me miqtë amerikan, ku për shkak të këtyre veprimeve Kosovës iu vunë masa ndëshkuese nga State Departamenti amerikan si dhe nga BE-ja, duke e sanksionuar Kosovën me ndërprerje të ndihmave financiare dhe ekonomike, etj.”, theksoi ai.

Krahas kësaj, opinionisti tha se ishte përgjimi në të cilin u përfshi deputetja e LVV-së, Mimoza Kusari-Lila me një përfaqësues të Listës Serbë, shkaku që eskaloi situate në veri.

“Mirëpo, kulmi i këtyre tensionimeve do ndodh sot në Kuvendin e Kosovës për shkak të një incizimi të publikuar ditët e fundit të një bisede të shefes së grupit parlamentar të VV-jes, znj. Mimoza Kusari-Lila me deputetin serb, Slavko Simiq, me të cilin në zyrën e saj në Kuvend vitin e kaluar paskësh biseduar me të për tema të ndryshme, meqë rast, siç thuhet në media, ajo paska biseduar disa herë me telefon edhe Milan Radojçiqin, i cili penalisht ndiqet nga organet gjyqësore të Kosovës për shkak veprimeve të tij kriminale në veri, po ashtu i futur edhe në listën e zezë të Thesarit amerikan, etj”, tha ndër të tjera Elezaj.

Në fund, përmendi edhe ironizimet e opozitës, derisa tha se ishte me fat që nuk kishte deputetë të lënduar në këto përplasje fizike.

“Pra, gjitha këto ngjarje dhe informata, duket se e kanë nxitur opozitën, sidomos deputetët e PDK-së, që t’i vendosin dy pankarta të mëdha tek bina e sallës së Kuvendit, duke ironizuar me foton e kryeministrit Kurti dhe atë të deputetes M. Kusari-Lila me hundë të zgjatura sikur të Pinokios, me mbishkrimin serbisht, “Zdravo”, e që kjo nxiti tensione në sallë të Kuvendit, sidomos pas heqjes së një fotoje nga ana e zv/kryeministrit B. Bislimi, kur i menjëhershëm ishte reagimi i deputeti i PDK-së, Lushtaku, i cili do i gjuan me ujë kryeministrin Kurti dhe vetë B. Bislimin, meqë rast ky akt do pasohet me një përleshje dhe tollovi të madhe mes deputetëve të PDK-së dhe VV-je, por ku për fat nuk pati asnjë deputet të lënduar..!?”, përmbylli Rexhep Elezaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat