“Katrahurë e koordinuar me PDK-në për pengimin e Speciales?”/ A janë këta “skenarët” e mundshëm që sollën dhunën në Kuvend?

Politika

“Katrahurë e koordinuar me PDK-në për pengimin e Speciales?”/ A janë këta “skenarët” e mundshëm që sollën dhunën në Kuvend?

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 18 korrik 2023 Në ora: 10:07
Përleshja fizike në Kuvendin e Kosovës më 13 korrik 2023.

Të enjten e javës së kaluar në Kuvendin e Kosovës ka pasur përplasje mes deputetëve, e cila nisi si verbale dhe përfundoi në përleshje fizike.

Si rrjedhojë e kësaj ka deraduar edhe gjuha parlamentare duke bërë që të ketë polarizime të skajshme politike, deri në kërcënime me vrasje.

Të shtunën u mbajt protesta e veteranëve kundër qeverisë. Aty u akuzua kryeministri Albin Kurti se nuk po i trajton si duhet veteranë të cilët i la jashtë ligjit për pagën minimale.

Ata protestuan kundër skandaleve të Qeverisë, kundër koordinimit me Millan Radojçiqin dhe kundër shkeljes së të drejtave të luftëtarëve të UÇK-së.

Tahiraj: Të njëjtit që e kanë mbjellë farën e urrejtjes skajshmërisht mbi 30 vite

Analisti Saim Tahiraj në lidhje me këtë ka thënë se gjuha e përdorur dhe urrejtja e kanë gjenezën thellë në historinë e Kosovës.

Ai thotë se këtë gjuhë e ka nisur atë kohë LPK.

Image
Analisti Saim Tahiraj

“Gjuha e urrejtjes që po përdoret në Parlamentin e Kosovës, nuk është e sotit, por gjenezën e ka thellë në Historinë e Re të Kosovës. Atë e instaloi organizata politike që vepronte në perëndim LPK, që nga themelimi i LDK-së e cila vazhdon edhe sot e tutje. Fillimisht përdori gjuhë linçuese ndaj figurave kryesore drejtuese të LDK-së duke i quajtur si pro jugosllav, komunist, udbash, autonomist e gjerë te termi më ofendues tradhtarë. Kështu vazhdoj deri me fillimin e luftës duke shtuar fyrjet, linçimet e deri te kërcënimet me likuidime përmes komunikatave dhe listave për ekzekutim që lëshoheshin në emër të UÇK-së. Me fillimin e luftës këto linçime dhe kërcënime kaluan në veprime konkrete duke ekzekutuar me atentate të fshehta figurat kryesore politike dhe ushtarake të LDK-së dhe institucioneve shtetërore të Kosovës. Këto veprime kriminale për qëllim kishin t’i eliminojnë këto figura kryesore që paraqiteshin pengesë, me autoritetin e tyre, për të marrur pushtetin LPK.

Në anën tjetër të krijohet panik e përgjithshme që askush mos të guxoj t’i kundërshtojë ata. Këto veprime kriminale vazhduan edhe pas lufte, madje me intensitet më të shtuar. Nga të tillët u kapen të gjitha institucionet e drejtësisë dhe pothuajse asnjë rast i vrasjeve politike nuk u zbulua nga drejtësia vendore, ndërsa nga drejtësia ndërkombëtare shumë pak”, thotë ai.

Sipas tij, nga LPK janë formuar PDK, AAK, VV, për të cilat thotë se dolën nga petku ushtarak dhe tash po përdorin gjuhë fyese deri edhe te rrahja.

“Duke pasur parasysh situatën e pasluftës, figurat kryesore të LPK-së dolën nga petku ushtarak dhe themeluan partitë politike me radhë si; PDK, AAK, VV dhe ndonjë parti minore, të cilat nuk ndryshuan kursin e gjuhës fyese, linçuese kërcënuese dhe të urrejtjes, apo fare pak! Kur shohim këtë gjuhë të urrejtjes nga deputetët e këtyre partive politike, deri në rrahje fizike, nuk duhet çuditur fare sepse janë të njejtit që e kanë mbjellur farën e urrejtjes skajshmërisht mbi 30 vite.

OVL nuk është asgjë tjetër vetëm instrument në duar të këtyre partive politike që sa herë ju nevojiten i aktivizojnë. Kjo organizatë dogji Flamurin Dardan në mënyrën më kriminale, dogji vet Historinë tonë Dardane. Si nuk protestuan kurrë kjo organizatë kundër vrasjeve politike? Si nuk kërkuan kurrë zbardhjen e tyre? Si nuk protestuan kurrë kundër hajnisë, korrupsionit, nepotizmit, krimit të organizuar dhe shumë dukurive negative që ka pushtuar të gjitha institucionet e Kosovës, të cilat ka shumë vite që po ndodhin? Mos vallë gjithë kjo katrahurë është e koordinuar me pushtetin në mënyrë që të krijohet një anarki për të penguar Gjykatën Speciale dhe zhbërjen e saj, kur priten edhe arrestime të reja. Interesat e këtyre partive politike me patericat e tyre për rreth janë të përbashkëta sepse janë krijuar nga i njejti brumë”, përfundon ai për “Bota sot”.

Qarri: Njerëzit që përdorin gjuhën e urrejtjes dhe provokimet konflikt-ndezëse, nuk e kanë vendin në Kuvend

Image
Analisti Gani Qarri

Analisti Gani Qarri, thotë se për gjuhën e përdorur në Kuvend e po ashtu edhe për rrahjen, duke të krijohet një ligj, me qëllim që të parandalojë, secilin person të inkriminuar ligjërisht, të mos guxojë kandidohet nga partitë politike.

“Kosova fatmirësisht është çliruar njëherë e mirë nga okupimi serb, dhe nuk mund të lejojë, në asnjë mënyrë, që ajo të riokupohet tani edhe nga gangsterët, hajnat e uzurpatorët, ata që e vodhën e plaçkitën për më tepër se dy dekada me radhë dhe në vend të arsyes, në momentin që u konfiskohen objektet e uzurpuara apo kontestohet pasuria e kundërligjshme, përdorin forcën dhe gjuhën e urrejtjes, duke shkaktuar përleshje fizike edhe në institucionin më të lartë ligjvënës si Kuvendi, me pretendimet për ta rimarrë pushtetin me dhunë.

Prandaj është momenti i fundit, që në Kosovë, të krijohet me ligj, një kod i veçantë etik, i cili do duhej të firmosej nga të gjitha partitë dhe votohej nga shumica e deputetëve në Kuvend, me qëllim që të parandaloj, secilin person të inkriminuar ligjërisht, në krim e korrupsion, të pa moralshëm e jo etik dhe të papjekur politikisht, që as të mos guxojë të kandidohet, se jo edhe katapultohet nga partitë e inkriminuara në deputet të Kuvendit, si dhe të evidentojë dhe të mënjanojë, paraprakisht përdorimin e retorikës ofenduese dhe gjuhën e urrejtjes e të denigrimit nga deputetët dhe subjektet politike në Kosovë”, thotë Qarri.

Tutje, analisti thotë se përdorimi i gjuhës së urrejtjes po degradon edhe sjelljet e njerëzve dhe rritë përçarjet ndërmjet segmenteve politike në Kosovë.

“Individ dhe grupe të krimit të organizuar, nga të cilët mjerisht kohët e fundit, ka filluar publikisht të shfaqet dukuria negative e përdorimit të gjuhës së urrejtjes dhe po merre gjithnjë e më tepër, përmasa shqetësuese, që nga shpeshtimi i fyerjeve deri te përdorimi i denigrimeve, gjë që tejkalon dukshëm kufijtë e mirësjelljes dhe shprehjeve normale, në institucione dhe përgjithësisht në gjuhën politike.

Përdorimi i gjuhës së urrejtjes po degradon edhe sjelljet e njerëzve dhe rritë përçarjet ndërmjet segmenteve politike në Kosovë, e cila më së tepërmi po përdoret nga përfaqësuesit e inkriminuar të partive opozitare, kundër Kryeministrit, Presidentes së vendit, Qeverisë e ministrave dhe shumicës qeverisëse që aktualisht ndodhet në pushtet dhe udhëheq me Kosovën”, shprehet ai.

Më tej, ai deklaron se kjo gjuhë kaq e rëndë ka përmasa gati të njëjta, si nga PDK, e AAK, ashtu edhe nga LDK.

“Një gjuhë e tillë kaq e rëndë, është bërë pothuajse alarmante kohët e fundit dhe po përdoret në përmasa gati të njëjta, si nga PDK, e AAK, ashtu edhe nga LDK, e cila edhe që nga ardhja e Isa Mustafës me parat e 3% në krye të partisë, LDK ka humbur unin si segment më vete dhe ka vepruar vetëm si patericë e Hashim Thaçit.

Gjuhë e cila përveç futjes së urrejtjes, ka filluar të ndez edhe konfliktet fizike, nga individë të inkriminuar të cilët duke parë se sa poshtë kanë rënë, duke humbur tërësisht mbështetjen e popullit dhe shuar shpresën se do të rikthehen në pushtet me votën e lirë, tani kanë filluar ta përdorin gjuhën e urrejtjes dhe forcën, si dhe të inskenojnë provokime të atilla, të cilat qojnë në konflikte të pashmangshme, siç ndodhi së fundi edhe në Kuvend, me shpresën se pushtetin do ta rimarrin me dhunë.

Njerëz të tillë, të cilët në vend të ideve për prosperitetin e vendit dhe të shoqërisë, përdorin gjuhën e urrejtjes dhe provokimet konflikt-ndezëse, për të krijuar kacafytje ndërmjet deputetëve, nuk e kanë vendin në Kuvend, as institucionet e shtetit tonë”, përfundon ai për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat