Opozita kërkon zgjedhje, juristi tregon format dhe kur mund të mbahen ato

Politika

Opozita kërkon zgjedhje, juristi tregon format dhe kur mund të mbahen ato

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 27 korrik 2023 Në ora: 15:54
Ramush Haradinaj- Memli Krasniqi- Lumir Abdixhiku

Tri partitë opozitare kanë filluar të kërkojnë zgjedhje të reja, madje secila shpreh bindjen se në to do të dalin në mirë sesa Lëvizja Vetëvendosje.

Të mërkurën, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka thënë se PDK-ja është e gatshme që në seancën e 27, ose atë të 28 korrikut të merren vesh për shpërndarjen e kuvendit me mocion procedural.

“Nëse është kur të doni po iu lus hajde po shkojmë nesër, kemi seancë nesër dhe pasnesër në kuvend, unë jam i gatshëm që për 24 orë të merremi vesh me mocion procedural ta fusim shpërndarjen e kuvendit qysh të enjten, apo të premten dhe nëse janë kaq të sigurt po shkojmë në zgjedhje dhe le të flet qytetari dhe besoj se do të ishte puna më e mirë që mund ta bëjmë”, u shpreh Krasniqi.

Një ditë para tij, për zgjedhje u deklarua edhe nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, i cili tha se ky subjekt politik është i gatshëm që të shkojë në zgjedhje nëse ato do të shpalleshin nesër.

“Nëse nesër vendoset ose shkaktohen zgjedhjet, ne jemi të gatshëm për zgjedhje. Opozita kurrfarë punë tjetër parësore nuk ka përpos të mbajë zgjedhje”, ka shtuar ai tutje.

Për rrëzim të qeverisë, të njëjtën ditë u shpreh edhe shefi i deputetëve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, i cili ka kërkuar që mocioni i tyre për mosbesim ndaj Qeverisë të përkrahet nga opozita.

Sipas tij, seancat e shtatorit duhet ta kenë synim rrëzimin e Qeverisë.

“Kjo periudhë nuk duhet përsëritur, kjo qeveri këtë vit po karakterizohet si qeverisja më e dobët. Si GP ne nuk do të bëjmë asnjë kuorum dhe nuk do të votojmë asnjë projektligj”. “Kjo Qeveri nuk e meriton asnjë mbështetje, tek marrëveshjet ndërkombëtare i kemi votuar. Ne si opozitë duhet ta shtyjmë mocionin përpara dhe ka një dakordim për këtë çështje dhe në shtator duhet ta kemi në rend dite mocionin e mosbesimit”, u shpreh Tahiri.

Ndërsa, juristi Muhamet Kelmendi, tregon kur mund të mbahen zgjedhjet.

Image
Muhamet Kelmendi

Sipas tij, pos zgjedhjeve të rregullta që mbahen mbi bazën e kushtetutës, ka edhe mënyra tjera për zgjedhje.

“Zgjedhjet mbahen me plotësimin e kushteve ligjore!

Në zgjedhje mund të shkohet në mënyra dhe forma të ndryshme.

Pos zgjedhjeve të rregulla, të cilat mbahen mbi bazën e Kushtetutës, kemi edhe disa mënyra tjera.

Konkretisht:

1. Me peticion, duke mbledhur nënshkrime të votueseve në komunë.

2. Me mos funksionimin e organeve sipas kushtetutës së Republikës.

Presidentja i shpallë zgjedhjet, por me kusht që organet lokale të rrezikojnë shtetin e së drejtës.

3. Me ç'rregullime të ndryshme të pushtetit, kur organet e zgjedhura japin dorëheqje dhe komunat mbesin pa kryetar.

4. Me vdekjen e kryetarëve dhe me ikjen nga vendi.

5. Me krijimin e kushteve për votim, me ç’rast i mundësohet qytetarëve riatdhesimi në tokat, në banesat e në shtëpitë e veta.

6. Kur organet lokale, kryetarët e komunave kryejnë vepër penale të dënueshme sipas neneve 100 -125 të Kodit Penal të Kosovës, që nënkupton rrezikimin e tërësisë territoriale dhe të sovranitetit të shtetit, duke marrë vendime për ndarje dhe për mos respektimin e organeve të larta të shtetit.

Dënimet shkojnë këtu deri me burg të përjetshëm.

Në cilën do formë është Presidentja që i shpallë zgjedhjet e jashtëzakonshme a të rregullta”, deklaron Kelmendi.

Kujtojmë se në zgjedhjet e fundit të mbajtura më 14 shkurt 2021, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar me 438 mijë e 334 vota. Pas VV-së, partia e dytë më e votuar doli të jetë Partia Demokratike e Kosovës me 148 mijë e 296 vota dhe e treta ka përfunduar Lidhja Demokratike e Kosovës me 110 mijë 978 vota.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat