Asociacioni, “tema qendrore” në takimin e 17 shtatorit?

Politika

Asociacioni, “tema qendrore” në takimin e 17 shtatorit?

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 3 shtator 2023 Në ora: 07:57
Foto ilustrim

Edhe dy javë kanë mbetur që nga mbajtja e takimit në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.

Në takimin e 17 shtatorit, pritet të diskutohet për zbatimin e marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve, por edhe për shtensionim të situatës në veri të Kosovës.

Në anën tjetër, asociacioni si temë “ e pa zgjidhur”, sipas analistëve mund të diskutohet në këtë takim.

Për asociacionin dhe formimin e tij, të premten letër kryeministrit Kurti i ka shkruar edhe kongresistja amerikane, Claudia Tenney, e cila është pjesë e kaukusit serb.

Tenny përmes një letre që e ka publikuar edhe në Tëitter, ka shkruar se është e shqetësuar dhe kërkon zbatimin e marrëveshjes së Brukselit të nënshkruar më 2013.

“Jam shumë e shqetësuar me tensionet e përshkallëzuara në veri të Kosovës. Sot i kam dërguar letër kryeministrit Kurti, për të kërkuar nga ai zbatimin e marrëveshjes së Brukselit të nënshkruar më 2013 për të siguruar të drejta dhe siguri për serbët e Kosovës”, ka shkruar ajo në Twitter, derisa ka publikuar edhe letrën e plotë.

Përveç krijimit të asociacionit, Tenney ka kërkuar nga Kurti edhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja.

“Ju inkurajoj shumë ju dhe administratën tuaj për të mbajtur zgjedhje të reja për kryetarë të të komunave me shumicë serbe, të tërhiqni plotësisht forcat speciale në komunat me shumicë serbe dhe të krijoni asociacionin e komunave me shumicë serbe, siç është kërkuar në Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013”, thuhet në letër.

“Siç e dini, serbët e Kosovës bojkotuan zgjedhjet e 23 prillit për kryetarë komunash në veri të Kosovës, si rezultat i politikave diskriminuese anti serbe dhe mungesës së progresit në zbatimin e marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013.”

Më pas ajo ka përmendur edhe hyrjen e kryetarëve të rinj të komunave veriore në ndërtesat komunale, duke shtuar se “fluksi i policisë speciale vetëm shërben për t’i ndezur tensionet dhe konfliktin sesa për të ofruar një zgjidhje politike afatgjatë për këto komunitete”.

Duke folur për krijimin e asociacionit, Tenney i ka shkruar Kurtit se serbët janë të lodhur duke pritur zbatimin e plotë të marrëveshjes së Brukselit 2013.

“Serbët e Kosovës janë të lodhur duke pritur për zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Brukselit 2013 dhe me respekt iu kërkoj që të përmbushni këtë obligim të kahmotshëm”, ka shkruar ajo.

Analisti politik, Skënder Mulliqi, thotë se letra e Tenneyt sigurisht që do të jetë temë edhe në takimin e Brukselit.

Sipas tij, asociacioni është teka kryesore e vendosur në tavolinë nga BE-ja dhe Amerika sidomos kohën e fundit.

Image
Skënder Mulliqi

“Është shtuar interesimi që procesi i dialogimit të shtyhet përpara që të arrihet sa më parë një marrëveshje për normalizim të marrëdhënieve, para mbajtjes së zgjedhjeve në Amerikë dhe në BE. Edhe letra e dërguar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit nga kongresistja amerikane për formimin e asociacionit dhe deklarata e Krisofer Hilit, se Amerika mbështet formimin e tij, sigurisht se do të jetë temë edhe në takim të Brukselit ndërmjet Kurtit dhe Vuçiqit. Asociacioni nuk është temë tabu, por është tema kryesore të cilën e kanë vendosur në tavolinë BE-ja dhe Amerika sidomos kohën e fundit. Deri më tani në paraqitjet e tyre publike të Borellit e Lajqakut, por edhe të Eskobarit, është parë hapur se ata po kërkojnë implementim të marrëveshjeve të Brukselit të vitit 2013 dhe 2015, me kompetenca ekzekutive , i cili dihet se e cenon sovranitetin dhe territorialitetin e Kosovës. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thëne disa herë se themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe mund të vjen në pyetje me disa kushte, e në mes tjerash të jetë në përputhje më kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Nuk e theksova në fillim se agjenda e takimit ka pika të tjera, mbi të cilat do të diskutohet, e ajo e një peshe të madhe është e depërshkallëzimit të situatës në veri nga Vuçiqi dhe Lista Srpska, me strukturat e tyre paralele, e jo nga Kosova, që ju faturua shumë padrejtësisht nga BE-ja për çka edhe u ndëshkua me masa ekonomike”, shprehet Mulliqi.

Ai nuk pret ndonjë përparim nga takimi i 17 shtatorit, gjersa shton se për përparim BE dhe Amerika duhet t’i bëjnë presion Serbisë.

“Pala e Kosovës në këto bisedime trepalëshe do të kërkojë heqjen e këtyre masave pa asnjë kusht. Dyshohet me të drejtë se edhe në këtë takim të radhës në mes Kurtit dhe Vuçiqit, do t’i bëhet presion palës tonë që të formojë asociacionin, si kusht për heqjen e masave ekonomike. Këtë kushtëzim vështirë se do ta pranojë Kurti, kur dihet tashmë se situatën në veri nuk e ka keqësuar Kosova, por Serbia dhe Rusia në mënyrën më brutale. Kemi pasur një deklarim tash vonë të një parlamentari britanik, i cili sigurisht ka informacion, kur pati thënë se serbëve në veri do t’u takojë një autonomi, pa të drejtë shkëputje. Unë nuk pres që do të kemi ndonjë progres të madh nga ky takim, por që do të jetë një mundësi e avansimit të dialogut, me kusht që Vuçiq të pranojë në tërësi planin franko-gjerman. Nëse dëshirohet ndonjë përparim për normalizim të marrëdhënieve BE-ja dhe Amerika duhet t’i bëjnë presion Serbisë, e cila po vepron më politika dyfytyrëshe ndaj BE-së, dhe ndaj Kosovës nuk po i heq kërcënimet e luftës për ndarje mbi baza etnike”, shton Mulliqi.

Vuçiq do të këmbëngul të diskutohet për asociacionin në takim, thotë Mulliqi, gjersa shton se nëse kryeministrit Kurti i imponohet si temë atëherë ai duhet ta mbështes një asociacion siç e kanë serbët në Kroaci.

“Sigurisht temë e pashmangshme në Bruksel do të jenë edhe zgjedhjet në katër komunat me shumicë serbe, të cilat zgjedhje po kërkohet të bojkotohen sërish nga Lista Serbe dhe Vuçiqi, me motivacion të implementimit të Asociacionit, dhe pastaj të kemi zgjedhje në kuadër të tij. Do të jetë natyrisht një takim i vështirë dhe me tensione politike. Vuçiqi do të këmbëngul që tema e asociacionit të jetë temë qendrore e këtij takimi më 14 shtator. Kryeministrit tonë nëse kjo temë i imponohet edhe nga ndërmjetësit ndërkombëtarë në bisedime, mendoj se ai do të mbështet një asociacion siç e kanë serbët në Kroaci, si model i përshtatshëm për minoritete. Sigurisht se takimi do të mbahet edhe nën trysnin e fjalimit të presidentit të Francës , Emanuel Makron i cili dha një deklarim në formë të ultimatumit ndaj Kosovës dhe Serbisë që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e deritashme, duke kërcënuar edhe me heqje të vizave”, deklaron Mulliqi.

Para takimit Kurit- Vuçiq, për asociacion dhe themelimin e tij të shtunën ka folur edhe ambasadori i ShBA-së në Beograd, Christopher Hill, i cili ritheksoi se Uashingtoni e mbështet atë.

Hill tha se komuniteti serb në Kosovë duhet të dijë se si do të jetë jeta e tyre.

“Ata duhet të shohin se si do të duket e ardhmja e tyre. Prandaj SHBA-të e mbështesin fuqimisht Asociacionin. Nga pikëpamja e Kosovës, kur shikojnë dekadat e fundit, ata shohin se u duhet një bazë më e madhe ndërkombëtare dhe kërkojnë që negociatat përfundojnë në një situatë ku ata mund t’i bashkohen strukturave evropiane. Të dyja palët duan diçka që mund të bëhet. Të dyja palët mund të mësojnë shumë nga përvoja e Lajcak dhe Escobar. Ne jemi shumë krenarë që i ndihmojmë ata për këtë. Ne nuk jemi në në fund të procesit, jemi diku në mes. Ndoshta jemi ngecur pak në baltë, por po ecim përpara. Unë nuk do ta refuzoja optimizmin si një mënyrë për t’i parë gjërat. Nuk shoh arsye për pesimizëm”, tha Hill, duke shtuar se nuk pajtohet me deklaratën se shqiptarët në Kosovë janë të gatshëm të përmbushin gjithçka nëse SHBA-ja vërtet dëshiron diçka dhe se për këtë mjafton një telefonatë.

Kurse, analisti politik Blerim Burjani shprehet se Kurti nuk do ta themelojë asociacionin pa “ndonjë pazar të madh”.

Image
Blerim Burjani

Sipas tij, perëndimi është duke humbur kohë me Serbinë.

“Nuk ka kushte tjera përveç atyre të BE-së që duhet Kurti t’i plotësojë plotësisht deri në fund, mjaftojnë kërkesat e BE-së që t’i zbatojë, pa plotësimin e kërkesave vendi do të mbetet nën sanksione, kjo është e qartë. Temat e Brukeslit mund të jenë: zgjedhjet në veri, shpejtimi i procedurës, dorëheqja e kryetarëve aktualë mbetet e vetmja mundësi e shpejtë për të shkuar deri zgjedhjeve të reja. Kurti nuk e themelon asociacionin pa ndonjë pazar të madh, kjo i bie njohja e pesë vendeve të BE-së, njohja reciproke me Serbinë, anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, nëse këto qiten në tavolinë, atëherë Kurti së paku do të diskutojë në mënyrë korrekte. Perëndimi po humb kohë kot me Serbinë, ata do ta kuptojnë që herët apo vonë prej Serbisë nuk ka asgjë evropiane as sjellje evropiane, ajo është shtet mesjetar”, deklaron Burjani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat