Turpi i drejtësisë dhe politikës!/ Kishte dëshmi dhe adresë, por jo edhe vullnet për ta zbardhur vrasjen e Xhemail Mustafës!

Politika

Turpi i drejtësisë dhe politikës!/ Kishte dëshmi dhe adresë, por jo edhe vullnet për ta zbardhur vrasjen e Xhemail Mustafës!

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 23 nëntor 2023 Në ora: 07:58
Xhemail Mustafa, foto ilustrim

Sot (E enjte 23 nëntor) mbushen 23 vite nga vrasja e veprimtarit të LDK-së dhe bashkëpunëtorit të ngushtë të gazetës "Bota sot", Xhemail Mustafa.  

Mustafa u vra më 23 nëntor të vitit 2000 në hyrje të banesës së tij në lagjen “Dardania” në Prishtinë.  

Ai qëllua me armë zjarri nga dy persona.  

E kush ishin këta dy persona nuk u zbulua asnjëherë. Vrasja e Xhemail Mustafës, sikurse edhe shumë vrasje të tjera me motive politike që ndodhën në Kosovën e pasluftës vazhdojnë të mbesin të pazgjidhura.  

Xhemail Mustafa, ka qenë një emër i njohur në gazetarinë dhe publicistikën në Kosovë. Madje ai ka qenë njeri i afërt me ish-presidentin historik Dr. Ibrahim Rugova.  

Drejtësia në Kosovë nuk ka bëri asnjë hap në drejtim të zbardhjes së vrasjes së Xhemail Mustafës.  

Emri i tij, është përkujtuar më së shumti në përvjetorë, apo edhe për qëllime elektorale nga ish-bashkë partiaket e tij. Por rasti nuk u zbulua kurrë! 

Në këto rrethana, Gjykata Speciale e cila ka për target të hetimeve periudhën kohore nga vitit 1998 deri në fund të vitit 2000 mbetet e vetmja shpresë për zbardhjen e kësaj vrasjeje.  

Haziri: Zbardhja do të bëhet nga Gjykata Speciale e Kosovës  

Image
Nexhat Haziri

Lidhur me këtë temë analisti Nexhat Haziri, për gazetën “Bota sot” ka thënë mos zbardhja e vrasjes së Xhemail Mustafës vjen nga mungesa e vullnetit politik edhe pse sipas tij, ka pasur dëshmi dhe adresë.  

Haziri, shpreson se vrasjet e zyrtarëve të LDK-së, të zbardhen nga Gjykata Speciale.  

“Mos zbardhja e vrasjes së intelektualit dhe bashkëpunëtorit të ngushtë të presidentit Rugova, Xhemajl Mustafës, është pasojë e mungesës së vullnetit politik, përkundër që ka pasur dëshmi dhe adresë, sidomos nga shërbime të shteteve partnere apo aleate të Kosovës që nga koha e administratës së UNMIK-ut, por edhe pas pavarësimit të vendit.   

Dhe, tani shpresa për zbardhjen e kësaj vrasje politike sikur edhe vrasjet e tjera të zyrtarëve të LDK-së, do të bëhet nga Gjykata Speciale e Kosovës”, deklaron ai.  

Tahiraj: Përvjetorët shtojnë dhimbje dhe revoltë  

Image
Saim Tahiraj

Edhe veprimtari dhe ish-bashkëluftëtari i Sali Çekajt, Saim Tahiraj, thotë se përvjetorët si ky i Mustafës, shtojnë dhimbje po ashtu edhe revoltë.  

Sipas tij, Xhemail Mustafa ishte në ballë të të gjitha sakrificave.  

“Për çdo vit vijnë përvjetorët e personaliteteve të rëndësishme të lëvizjes sonë për liri dhe pavarësi, vijnë datat e dhimbjes sonë kombëtare. Secila datë përkujtimore sjellë me vete dhimbjen, mallëngjimin po edhe revoltën. E tillë është edhe data e 23 nëntorit ku mbushen 23 vite nga vrasja mizore e njërit ndër figurat më të rëndësishme të lëvizjes për liri dhe pavarësi, njërit nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Presidentit Rugova, Heroit Xhemail Mustafa.   

Kjo datë sjell me vete dhembjen e madhe; për familjen, bashkëpunëtoret, bashkëveprimtarët, kolegët dhe të gjithë ata që kanë njohur veprën e madhe atdhetare të burrit të urtë Xhemajl Mustafa. Kjo ditë sjellë me vete mallëngjimin për kujtimet e mira, për sakrificat që përjetuam së bashku si popull, e që Xhema ynë i dashur ishte në ballë”, thotë ai.   

Tutje, thotë se është dëshpërim i madh që në një vend ku Mustafa kontribuoi tërë jetën e tij, dhe në fund të mos zbulohet vrasja e tij.  

Ai shton, se kjo është një barrë e rëndë mbi supe të Kosovës.  

“Sot, na rikujtohen dhe mbushemi me plot emocione dhe revoltë. Së bashku me dhembjen dhe mallëngjimin shtohet revolta e madhe se si ka mundësi në një shtet demokratik, ku duhet të sundoi ligji, për të cilin kontribuoi Xhema tërë jetën, të mos zbulohet vrasja mizore e tij dhe kriminelët të dalin para drejtësisë. Shteti i Kosovës dhe populli i saj vazhdon ta mbajë mbi supe barrën e rëndë të ndërgjegjes për mos zbulimin e vrasjes së Xhemail Mustafës dhe të gjitha vrasjeve politike që ndodhën në Kosovë dhe Shqipëri”, nënvizon Tahiraj.  

Në fund, edhe Tahiraj thotë se shpresa e fundit ka mbetur të Gjykata Speciale, në mënyrë që drejtësia të vihet në vend dhe Kosova të çlirohet nga kjo barrë.   

“Deri sa mos të zbulohet kjo vrasje dhe vrasjet tjera, Kosova dhe ne si shoqëri do vazhdojmë të jetojmë të lidhur rëndë nga prangat e fajësisë e që rëndon fuqishëm mbi ndërgjegje kolektive si popull.  Shpresa e fundit për ne ka mbetur Gjykata Speciale në Hagë, që më në fund drejtësia të vihet në vendin që i takon, dhe ne të lirohemi nga barra e rëndë e përgjegjësisë kolektive. Urojmë që kjo të ndodhë, kriminelët dhe urdhërdhënësit e tyre ta marrin dënimin e merituar”, përmbylli ai. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat