“Broçkulla dhe pallavra”, analistët “shpërthejnë” ndaj Vuk Jeremiqit pas deklaratës për refuzimin e planit franko-gjerman

Politika

“Broçkulla dhe pallavra”, analistët “shpërthejnë” ndaj Vuk Jeremiqit pas deklaratës për refuzimin e planit franko-gjerman

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 7 dhjetor 2023 Në ora: 13:58
Vuk Jeremiq

Kosova dhe raporti i saj me Serbinë është një ndër temat kryesore në fushatat për zgjedhjet në Serbi. 

Të martën, bartësi i listës “Partia Popullore – Zgjedhje e sigurt. Njerëz seriozë” Vuk Jeremiq ka thënë se më e rëndësishmja është refuzimi i planit franko-gjerman për Kosovën pas zgjedhjeve. 

Duke folur për zgjedhjet e ardhshme të 17 dhjetorit, Jeremiq tha për mediat serbe se për Partinë Popullore nëse rezultati do të jetë i kënaqshëm nuk varet në radhë të parë nga numri i votave që do të fitojë lista e tij, por nëse do të ketë rrethana që do të mundësojë refuzimin e planit franko-gjerman, “ultimatumin më serioz me të cilin është përballur Serbia që nga viti 1999”. 

“Ata që thonë se për këtë Serbia do të sanksionohet, se vizat do të vihen ose investitorët do të tërhiqen, e kanë gabim. A nuk ju thanë se pasoja të ngjashme na presin nëse nuk vendosim sanksione ndaj Rusisë? atë herë kam pohuar, si dhe tani pohoj se nuk ka asgjë”, tha Jeremiq. 

Deklarata të tilla si kjo, sipas analistëve politikë janë vetëm për shkak të fushatës atje, pasi sipas tyre, procesi i dialogut Kosovë- Serbi tashmë ka hyrë në fazën finale dhe cilado parti që fiton atje do të duhet ta realizojë planin paqësor franko-gjerman.  

Haziri: Deklaratat janë vetë, për konsum të brendshëm në Serbi 

Image
Nexhat Haziri

Analisti politik, Nexhat Haziri, thotë se procesi i dialogut Kosovë-Serbi tashmë ka hyrë në fazën finale. 

Sipas tij, marrëveshja e Brukselit dhe sekuencimi në Ohër që ka bazamentin në planin franko-gjerman është pranuar nga të dyja shtetet edhe pse nuk është nënshkruar nga palët. 

Deklaratë si kjo e Vuk Jeremiqit dhe të gjithë të tjerëve në Serbi duke përfshirë edhe vetë presidentin serb Vuçiq, janë vetëm për konsum të brendshëm në Serbi dhe bëhen tani për të tërhequr votues tani kur atje po mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Të gjithë tashmë janë të vetëdijshëm pra edhe ata në Serbi se procesi i dialogut Kosovë- Serbi tashmë ka hyrë ne fazën finale dhe si rrjedhojë e kësaj është marrëveshja e Brukselit dhe sekuencimi i saj në Ohër që ka bazamentin në planin franko-gjerman është pranuar nga të dyja shtetet, pra nga Kosova dhe Serbia pa marrë parasysh se nuk është nënshkruar nga palët”, deklaron Haziri. 

Sipas tij, nëse Serbia nuk përmbush obligimet atëherë nuk mund të anëtarësohet në BE. 

“Në rast se cilado palë refuzon për ta përmbushur, atëherë do të ndeshet me sanksione nga BE e cila është edhe ndërmjetëse e procesit të dialogut Kosovë-Serbi për normalizim të marrëdhënieve në mes dy shteteve fqinje. Po ashtu në këtë drejtim kemi edhe deklarata nga Brukseli në adresë të Beogradit se Serbia nuk mund të llogarisë në vazhdimin e procesit të saj të anëtarësimit ne BE, pa i përmbushur obligimet që dalin nga marrëveshjet e lartcekura që për bazë kanë planin franko-gjerman”, thekson Haziri. 

Propozimi evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë- Serbi, ishte pranuar nga të dyja shtetet më 18 mars në Ohër të Maqedonisë, mirëpo për këtë nuk kishte nënshkrim. 

Në anën tjetër, po në kohë fushate presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se dy shtete po kërkojnë që Marrëveshja e Ohrit të bëhet kusht për Serbisë në rrugën për anëtarësim në BE, por shtoi se nuk mund të pranojë një gjë të tillë. 

“Së pari, të shohim se çka do të ndodhë, sepse ata nuk mund të injorojnë diçka që kanë diskutuar me mua. Pas secilës vizitë të tyre, edhe pas Ohrit, unë dola dhe thashë qartë çka pranojmë dhe çka nuk mund të pranojmë, sepse deklarata ime është edhe qëndrim i shtetit”, u shpreh ai. 

Mehazi: "Shaka" politike zgjedhore 

Image
Sulejman Mehazi

Ndërsa, Sulejman Mehazi, deklaratën për refuzimin e planit franko- gjerman e konsideron broçkull patriotike e shtetërore. 

Sipas tij, Jeremiq nuk është aq i “fortë” sat ë kërcënojë shtetet më të fuqishme të BE-së. 

“Si zakonisht gjatë fushatave zgjedhore parlamentare vlojnë "premtimet" para qytetarëve jo vetëm në Serbi, por në të gjitha shtetet e botës, normale se gjatë fushatës zgjedhore çfarë do lloj fjalësh e broçkullash patriotike e shtetërore dëgjojmë vetëm për një qëllim, për të mashtruar qytetarët që të votojnë partitë e tyre, e njëri nga pallavraxhinjtë zgjedhore është edhe bartësi i listës së Partisë Popullore serbe, Vuk Jeremiq, i cili më gaçkat e tij zgjedhore mundohet të mashtrojë votuesit se nëse fiton ai dhe partia e tij aq do jetë i "fortë" saqë do kërcënonte shtetet më të fuqishme të BE, Presidentin francez, Makronin dhe Kancelarin gjerman, Scholzin, duke mohuar e refuzuar planin franko-gjerman të tyre për Kosovën me Serbinë”, deklaron Mehazi. 

Sipas tij, secila parti e cila do t’i fitonte zgjedhjet në Serbi është e detyruar të realizojë planin paqësor franko- gjerman dhe “kaçiku politik” i Jeremiqit është i vogël dhe i pafuqishëm për të refuzuar këtë plan. 

“Është e qartë se deklarata e Jeremiqit për refuzimin e planit franko-gjerman është një "shaka" politike zgjedhore kundër konkurrentëve politikë e posaçërisht kundër partisë së Aleksandar Vuçiqit, deklarata e Jeremiqit është sekondare deri pas zgjedhjeve parlamentare serbe, po edhe sikur të fitonte partia e Jeremiqit, ai nuk do kishte fuqi të refuzonte planin franko-gjerman i cili është projekt serioz i BE-së, e jo projekt djallëzor i mendjes së vakët të Jeremiqit i cili më tepër është i njohur me spektakle sesa me veprime serioze politike. Është e qartë se zëri i mohimit të planin franko- gjerman i Jeremiqit do shuhet pas zgjedhjeve parlamentare në Serbi. Cila parti të fitonte në Serbi do jetë e detyruar të realizojë planin paqësor franko-gjerman të ideuar e projektuar nga BE-ja dhe SHBA-të. Kaçiku politik i Jeremiqit është i vogël e i pafuqishëm për të refuzuar planin e Francës dhe Gjermanisë me rastin e dialogut përfundimtar të Kosovës me Serbinë, pasi rruga e Serbisë drejt BE-së është njëkahëshe, e ajo është rruga projektuese franko- gjermane”, përfundon Mehazi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat