Eksperti në Uashington tregon pse Vuçiq po e mban ushtrinë pranë kufirit me Kosovën - dy vende në rrezik nga konflikti i ri

Politika

Eksperti në Uashington tregon pse Vuçiq po e mban ushtrinë pranë kufirit me Kosovën - dy vende në rrezik nga konflikti i ri

Nga: A.Zh Më: 8 dhjetor 2023 Në ora: 11:11
Aleksandar Vuçiq

Eksperti i politikës së jashtme dhe sigurisë me bazë në Uashington, Adrian Shtuni, ka thënë se paralajmërimi i Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg, se “akumulimi i ushtrisë serbe pranë kufirit me Kosovën nuk ndihmon në qetësimin e situatës”, ështe mesazh i qartë për Aleksandar Vuçiqin.

Por, sipas tij, presidenti serb, po vazhdon të mbajë trupa ushtarakë pranë kufirit me Kosovën, për shkak të zgjedhjeve që do të mbahen me 17 dhjetor.

Bashkëpunëtori i Qendrës Ndërkombëtare për Kundër-Terrorizëm, në Hagë, vlerëson se gjasat për një kërcënim të drejtpërdrejtë ushtarak nga Serbia janë të ulëta, për dy arsye.

Image
Adrian Shtuni

“Mesazhi i NATO-s përmes Stoltenberg, ishte i qartë dhe mendoj se Vuçiq i dëgjon, i sheh dhe i interpreton qartë mesazhet “këshilluese” të NATO-s, por Vuçiqit i duhet edhe të bëjë teatër elektoral dhe të tregohet trim dhe krenar para kamerave, sepse ka zgjedhje me 17 dhjetor. Prandaj, dhe mendoj se vazhdon të mbajë një numër trupash pranë kufirit me Kosovën dhe tha gjatë konferencës për shtyp se nuk i jep llogari kujt se ku e vendos ushtrinë në territorin e Serbisë.

Gjithsesi, shtimi i prezencës së KFOR-it në veri tregon qartë se tensionet janë rritur dhe rreziku për destabilizim mbetet i lartë. Megjithatë, në vlerësimin tim, gjasat për një kërcënim të drejtpërdrejtë ushtarak nga ana e Serbisë janë të ulëta, pikërisht për shkak të prezencës së KFOR-it dhe çmimit të lartë që do të paguante nëse do të konfrontohej me NATO-n”, është shprehur Shtuni për gazetën “Bota sot”.

Ai e sheh si “real” edhe paralajmërimin e presidentit ukrainas Volodymyr Zelenksy, për një luftë të re nga Rusia në Ballkan.

“Po ashtu, deklarata e Zelenskyt është shqetësuese dhe rreziku për destabilizim të sponsorizuar nga Rusia në Ballkanin Perëndimor është real dhe i njohur. Sigurisht se Rusia kërkon të krijojë kriza të shumfishta në Evropë e më gjerë për shpërqëndruar dhe vënë në stres NATO-n, aleatët, dhe Bashkimin Evropian. Kjo do ta ndihmonte që në planin afatshkurtër të thyejë rezistencën e Ukrainës dhe në planin afatgjatë të ri-shtrijë e forcojë kontrollin e saj në ish-sferën e influencës së Perandorisë Ruse”, ka potencuar Adrian Shtuni.

Sipas ekspertit, dy vendet që mund të përdoren për destabilizimin e rajonit nga Rusia, janë Bosnja dhe Serbia.

“Duke pasur parasysh se Rusia ka prezencë, influencë dhe mbështetje në Bosnjë dhe Serbi, këto dy vende mund të përdoren si trampolinë destabilizimi për rajonin. Unë sido që të jetë, destabilizimin potencial të Ballkanit nga Rusia nuk e shoh si një skenar të njëjtë me atë të Ukrainës. Pra, jo me luftë frontale, por nëpërmjet kërcënimeve të tipit hibrid nëpërmjet proksive apo grupeve paramilitare dhe operacioneve informative që nxisin përplasje, pra nëpërmjet veglave lokale që krijojnë eskalim dhe përplasje të brendshme”.

Ai më tej ka përmendur vendet më të rrezikuara nga një konflikt i mundshëm në Ballkan.

“Dy janë hallkat më të dobëta apo të cenueshme të zinxhirit të sigurisë në Ballkanin Perëndimor. Ato janë Bosnja dhe Kosova. Një vend tjetër në skajet e Evropës Lindore që rrezikohet nga një konflikt i mundshëm është Moldavia, ku gjendja e sigurisë është tejet e paqëndrueshme dhe Rusia ka të dislokuara forca ushtarake në rajonin e Transnistrias.

Por sigurisht se rreziku për destabilizim në aspektin e sigurisë në Ballkan, është padyshim më i madh në Bosnjë për shkak të shtimit të retorikës separatiste të Milorad Dodik dhe rritjes së influencës ruse në vend. Madje, pak ditë më parë ministri i Mbrojtjes së Bosnjës ka ngritur shqetësimin se ekzistojnë kampe paramilitare të mbështetura nga Rusia në zonën e Republika Srpska. Ky pretendim mbetet për t’u vërtetuar, por do të ishte mjaft i rrezikshëm nëse është qoftë edhe pjesërisht i vërtetë”, ka thënë eksperti për “Bota sot”.

Ai ka shtuar se “përkeqësimi i marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë pas sulmit paramilitar të 24 shtatorit, është gjithashtu shumë shqetësues, pasi cenon stabilitetin e rajonit dhe më gjerë. Kjo u tha qartë nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Stoltenberg, gjatë vizitës së fundit në rajon”.

Pa probleme, sipas Shtunit, nuk është as Maqedonia e Veriut.

“Edhe Maqedonia e Veriut po përballet së fundmi me probleme që cenojnë stabilitetin e vendit. Në thelb, problemet në këtë vend kanë polarizimin politiko-shoqëror në lidhje me ngërçin e ndryshimeve kushtetuese mbi minoritetet, që është vënë si parakusht nga Bullgaria për t’i hapur rrugë bisedimeve për anëtarësim në BE”, përmbyll eksperti i njohur./Botasot

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat