2023-ta, vit i “përgjakshëm”, ekspertët japin paralajmërim për vitin 2024/ Çka pas vrasjeve që tronditën vendin?

Politika

2023-ta, vit i “përgjakshëm”, ekspertët japin paralajmërim për vitin 2024/ Çka pas vrasjeve që tronditën vendin?

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 3 janar 2024 Në ora: 08:02
E ndjera Liridona Ademaj dhe bashkëshorti i dyshuar për vrasjen e saj, Naim Murseli

Vitin që e lëmë pas mund të konsiderohet një ndër vitet më të përgjakshme në Kosovën e pas luftës, thonë ekspertët e sigurisë.

Vrasje të shumta tronditëse kanë ndodhur në vitin 2023, ku sipas raportit policor gjatë këtij viti numri i vrasjeve ka arritur në 27, e që vitin e kaluar ishte 21.

Më 24 janar, në Kaçanik nga Policia ishte gjetur një burrë i moshës 48-vjeçare i vrarë në veturën e tij.

Më pas u bë e ditur se viktima ishte Nysret Cena, ku sipas hetimeve të para dyshohej se persona të panjohur në Kaçanik të vjetër nga afërsia kishin gjuajtur breshëri plumbash mbi automjetin dhe shoferin.

E më 14 prill një grua ishte ekzekutuar në Pejë, ku i dyshuar ishte djali i saj. Sipas aktakuzës, i dyshuari i kishte shkaktuar viktimës mbi 20 plagë në pjesë të ndryshme të trupit, e që dyshohet se i njëjti kishte probleme mendore.

Ndërsa, më 25 qershor të vitit 2023 kishte ndodhur një vrasje për tokë në qytetin e Gjakovës, ku i dyshuari kishte deklaruar se dy vëllezërit i vrau në vetëmbrojtje.

Vrasje tjetër ndodhi edhe në Viti më 21 korrik, ku një 17-vjeçar mbeti i vrarë, pasi që nuk mundi t’iu mbijetojë plagëve të marra me thikë nga një bashkëmoshatar i tij.

Kurse, gjatë muajit gusht kishin “lulëzuar” vrasjet në vend ku ishin 5 vepra të tilla.

Më 2 gusht, një shtetase argjentinase ishte vrarë nga i dashuri i saj në Fushë Kosovë. Ajo ishte hedhur nga i dyshuari nga dritarja e katit të lartë në një ndërtesë në këtë qytet.

Teksa më 5 gusht, u privua nga jeta një person nga disa të shtëna me armë zjarri që ndodhën në lokalin “Bon Vivant” në Prishtinë.

Përpos viktimës, aty mbetën të plagosur 6 persona si dhe 10 tjerë mbetën të lënduar.

Dy ditë pas, një person tjetër u vra në një kafiteri në qytetin e Klinës. Viktima dhe i dyshuari kishin lidhje familjare, ku dorasi fillimisht kishte ikur nga Policia, por që më pas ishte vetë dorëzuar.

Ndërkohë, më 10 gusht në një lokal që kishte muzikë në Skenderaj, u vra një 39-vjeçar dhe mbetën të plagosur tre të tjerë. Sipas hetimeve të para, nga Policia u tha se dy persona të maskuar kishin hyrë në kafiteri, kanë shtënë me armë zjarri dhe janë larguar në drejtim të panjohur.

Edhe më 31 gusht kishte ndodhur një tjetër vrasje në fshatin Balincë të Malishevës, ku për vdekje ishte qëlluar një 29 vjeçar.

Ngjarja kishte ndodhur në tregun e druve e për këtë rast ishin arrestuar tetë persona.

Kurse më 3 shtator të vitit 2023 një person i moshës 48-vjeçare ishte vrarë nga të shtënat me armë zjarri në lagjen Arbana në Prizren, ku dyshohet se i dyshuari ka shtënë më pushkë automatike nga automjeti në lëvizje.

Tjetër vrasje ishte raportuar më 11 shtator në rrugën “Zahir Pajaziti” në Podujevë, ku kishte mbetur pa shenja jete një person. E gjithë ngjarja kishte ndodhur në sytë e një fëmije 4-vjeçar.

Kurse, më 20 shtator në Banjë të Malishevës ishte gjetur pa shenja jete një person dhe se dyshohej që ishte qëlluar me armë zjarri, ku më pas ishte vetdorëzuar në Polici një person.

Katër ditë më pas, ndodhi një vrasje që u bë lajm edhe në media ndërkombëtare.

Afrim Bunjaku, rreshter policor kishte shkuar për të intervenuar në një barrikadë në Banjskë të Zveçanit.

Ai mbeti i vrarë aty nga një grup terrorist të cilët sulmuan Policinë e Kosovës gjatë asaj dite, e që më pas u arrit të neutralizohen disa prej tyre, teksa disa ikën nga vendi i ngjarjes.

Në konfrontim me Policinë mbeti i vrarë edhe një person më 30 nëntor në Prishtinë.

Ai dyshohet se ishte i përfshirë një grabitje të armatosur në Suharekë, ku bashkë me tre persona tjerë kishin vjedhur ari në vlerë prej 250 mijë eurosh.

Javën e fundit të nëntorit, Kosova u trondit nga vrasja e një gruaje.

Liridona Ademaj u privua nga jeta nga dy grabitës të cilët shtien me armë zjarri në drejtim të saj e cila ishte në veturë bashkë me familjen e saj.

E dy ditë pas vdekjes së saj, Policia e Kosovës arrestoi të dyshuarit kryesor, ku ndër ta doli të jetë edhe bashkëshorti i të ndjerës, Naim Murseli.

Teksa, të shtunën e dytë të dhjetorit një 31-vjeçar vdiq në Dobërçan të Gjilanit

Pas plagëve të marra nga therja me thikë e që i dyshuari ishte shoku i tij, i cili më pas u arrestua.

Pas këtyre vrasjeve në vitin 2023, ekspertët e sigurisë thonë se viti 2024 do të jetë sfidues për zbardhjen e tyre dhe marrjen e vendimeve.

Tërnava: Pasojat e kësaj situate tani janë nga ato të pas luftës

Eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava, thotë se viti 2023 cilësohet me vrasje të rënda dhe kjo sjellë shqetësim te populli.

Image
Hajrullah Tërnava

Sipas tij, pasojat e vrasjeve duhen kërkuar pas luftës, atëherë kur në institucionet shtetërore janë emëruar persona të përkrahur nga “çlirimtarët- komandantët”.

“Viti 2023 mund të konsiderohet si viti që pati shumë vrasje të rënda në Kosovë, që është një shqetësim për popullin tonë, që tani po e gëzojmë lirinë që mbi 23 vite, e kur këtë shtet tani e qeverisin institucionet shtetërore, të cilat institucione tani e përbëjnë si shumicë absolute popullata shqiptare, e që dikur në sistemin e mëparshëm mendonim se nëse ndonjëherë çlirohemi dhe e qeverisim si popull Kosovën, bota do të na kishte lakmi për të arriturat në drejtësi, duke llogaritur në ato vite më të padrejta që bëheshin nga popullata serbe në ish- Jugosllavi, dhe si produkt i atyre padrejtësive ndodhi edhe lufta mes Serbisë dhe Kosovës. Kur tani po e qeverisim në Kosovë si komb shqiptar, bëhet pyetja çka po ndodhë me këtë shtet të Kosovës, me këtë nivel të lartë të kriminalitetit të pas luftës, e sidomos këto vrasje mizore që po ndodhin, kur tani ne si komb po e qeverisim këtë shtet. Pasojat e kësaj situate tani janë nga ato të pas luftës, kur në krye të institucioneve shtetërore janë emëruar persona të përkrahur nga “çlirimtarët-komandantë” të cilët kishin për qëllim që në ato poste t’i kenë njerëzit e tyre që do të punonin për interesat e tyre, që e kishin si qëllim pasurimin e tyre.

Tani ata persona punonin ashtu si insistonin “shefat e tyre” prandaj shumë lëndë kriminale vjetërsoheshin apo vepër kryesit dënoheshin me dënime të lehta, dhe kjo praktikë kryesisht u zhvillonte nëpër institucionet e Kosovës, dhe këto veprime ndikonin në popullatë, prandaj krimi në përgjithësi është në këto nivele i zhvilluar, dhe është e kuptueshme tani që edhe në vitin që shkoi patëm shumë vrasje të rënda që opinioni për këto vrasje u shqetësua, duke e pasur në konsideratë institucionet shtetërore të drejtësisë: Gjyqësi, prokurori, polici dhe te tjera, prandaj tani është në pritje miratimi i ligjit të vettingut i cili duhet të jetësohet nga viti në ardhje dhe gjasat janë se me këtë ligj të vettingut institucionet shtetërore do të spastrohen nga ata që nuk e meritojnë të punojnë në ato institucione, dhe çështja e situatës se kriminalizuar nëpër institucionet shtetërore do të ndryshohet për të mirë, dhe në të ardhmen krimi do të luftohet në mënyrë permanente në përputhshmëri me ligjet e Kosovës”, shprehet Tërnava.

Ai pret që viti 2024 të zbardh shumë raste kriminale.

“Prandaj pritet që viti i ardhshëm të jetë vit sfidues në zbardhjen e shumë rasteve kriminale të kryera, dhe kryesit e veprave kriminale do të përgjigjen në përputhshmëri me ligjet e Kosovës, dhe zbardhjet e vepër kryesve që deri më tani ishin NN (të panjohur) do të zbulohen në shumicë”, shton eksperti.

Elezi: Viti 2023, një ndër vitet tej të rënda në aspektin e sigurisë

Image
Bedri Elezi

Në anën tjetër, Bedri Elezi, ekspert i sigurisë e quan vitin 2023 një ndër vitet më të përgjakshme.

Sipas tij, me statistikat e fundit viti 2023 ka renditur Kosovën për disa vende më lart sa i përket rrezikut për jetë e sigurisë publike.

“Viti 2023 sigurisht që do të mbetet një ndër vitet më të përgjakshme për shkak se në këtë vit kemi pasur një situatë të rëndë të sigurisë, duke filluar nga 24 shtatori një ngjarje shumë e rëndë ku grupet terroristet të përkrahura nga Serbia dhe Rusia, përkatësisht nga Beogradi dhe shërbimet sekrete ruse tentuan një agresion në veri në Kosovës me që rast edhe patëm akte terroriste. Këtë vit që shkoi përshkruhen edhe ngjarje shumë të rënda, vrasje mjaft të rënda që tronditën mbarë opinionin kosovar e më gjerë siç ishte rasti i vrasjes makabre apo rast tepër i ndjeshëm i Liridona Ademajt, një rast që tërhoqi vëmendjen jo vetëm në Kosovë, e rajon por ndoshta edhe më larg, po ashtu kemi pasur edhe vrasje tjera të cilat mund të themi se kanë pozicionuar vitin 2023 si një ndër vitet tej të rënda në aspektin e sigurisë.

Viti 2023 përpos vrasjeve në baza gjinore, kemi pasur edhe organizime të vjedhjeve të rënda, po ashtu vrasje e qërim hesapesh mes grupesh, po ashtu edhe vrasje Për çështje familjare apo probleme familjare. Viti 2023 edhe me statistikat e fundit krahasohet me statistikat e përgjakshme, konsiderohet se ka sjellë në vëmendje krimin e organizuar në Kosovë dhe e ka renditur Kosovën për disa vende më lart sa i përket rrezikut për jetë e sidomos sigurisë publike. Ajo që dua të them është që ministria e punëve të brendshme ka bërë një organizim të ri me ç’rast ka bërë drejtorinë e ...kjo drejtori ka filluar punën në vitin 2023, çuditërisht pasi kjo drejtori ka filluar punën ku janë dhënë një shumë e konsiderueshme e parave nga taksat e qytetarëve, kemi pasur më së shumti probleme dhe nuk e dimë për cilat efekte do të flasë kjo drejtori që e ka në protokollin e saj një shumë mjaft të madhe për implementimin e projekteve të caktuara”, thekson Elezi.

Ai vitin 2024 e quan sfidues për drejtësinë.

“Ndërsa, sa i përket vitit 2024 do të kemi një vit sfidues sidomos pas vitit 2023 dhe kemi çështje të drejtësisë, sigurimi i provave të mjaftueshme, një gjykim e dënim të merituar për ato vrasje që kanë ndodhur”, përfundon Elezi.

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat