“Situatë shqetësuese”, Karamuço paralajmëron provokime të reja serioze nga Serbia në Kosovë: Ky është plani i Putinit!

Politika

“Situatë shqetësuese”, Karamuço paralajmëron provokime të reja serioze nga Serbia në Kosovë: Ky është plani i Putinit!

Nga: A.Zh Më: 9 janar 2024 Në ora: 10:08
Ushtarët italianë të KFOR-it patrullojnë përgjatë vijës kufitare Kosovë-Serbi

Viti 2023 ishte më sfiduesi për Kosovën që nga pavarësia, për shkak të sulmit në Banjskë, ku u vra polici i Kosovës Afrim Bunjaku.

Kështu kanë vlerësuar krerët e shtetit, të cilët kanë paralajmëruar edhe sulme të reja nga Serbi në Kosovë, si ai i 24 shtatorit.

Duke komentuar paralajmërimet e tyre, eksperti i Kriminalistikës Ervin Karamuço, ka pohuar se Kosova gjendet në strategjinë e “botës ruse” të Vladimir Putinit. Ai ka thënë për gazetën “Bota sot”, se plani për “rikthimin e lavdisë ruse në Ballkan” është intesifikuar dhe rast tipik ishte edhe sulmi në Banjskë.

Image
Ervin Karamuço

“Fatkeqësisht, Kosova është planifikuar nga Putini në strategjinë e "botës ruse". Ky është një plan strategjik që synon dominimin e botës ruse-sllave në kuadrin gjeostrategjik, politik, ekonomik dhe kulturor. Qëllimi aktual i Rusisë në Ballkan, është të rikthejë lavdinë e humbur për rënien e hegjemonisë sllave në Ballkan dhe sidomos nga marrëveshja e Dejtonit dhe më pas nga pavarësia e Kosovës. Vitet e fundit ky plan është intensifikuar, duke zbatuar skenarë të destabilizimit në Kosovë dhe Bosnjë. Rast tipik i këtij plani ishte edhe sulmi në Banjskë, ku u përfshinë krimi i organizuar, paramilitarë serbë, ushtria dhe shërbimi sekret serb”, është shprehur eksperti.

Ai vlerëson se situata edhe gjatë këtij viti do të mbetet shqetësuese, pasi sipas tij, do të ketë provokime të reja serioze ndaj Kosovës.

“Kosova me ndihmën e partnerëve ndërkombëtarë, ia arriti të tejkalojë sfida të vështira të sigurisë gjatë vitit 2023. Megjithatë, situata në 2024 do të mbetet ende shqetësuese dhe do të përballet me provokime të tjera serioze. Qëllimi i sulmeve të armatosura, është synimi i Beogradit për të realizuar de-facto ato që nuk i përmbush de-jure në tavolinat e kancelarive evropiane. Kjo iniciativë shkon përbashkuar me planin e Putinit për të hapur vatra të reja konflikti në Ballkan, duke shpërqendruar vëmendjen dhe mbështetjen nga lufta në Ukrainë”, ka thënë më tej Karamuço për “Bota sot”.

Ai ka shtuar se “ndodhur në këto kushte, situata e sigurisë në Kosovë do të përballet në vijmësi nga kërcënime serioze, ndaj shqetësimet e Presidentes Osmani dhe Kryeministrit Kurti janë mëse të bazuara dhe justifikuara”.

Presidentja Vjosa Osmani, ka thënë së fundmi se alarmet për sulme të reja nga Serbia, duhet të merren seriozisht.

Ndërsa, kryeministri Albin Kurti, ka treguar se grupi i Milan Radojiçiqit po vazhdon të riorganizohet në Serbi dhe se i njëjti po planifikon sulme të reja në Kosovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat